Mjeku Izairi: Nëse vazhdon trendi i infektimit të punëtorëve shëndetësor atëherë do të ketë mungesë të madhe të kuadrit!

Në një bisedë me Portalb.mk, mjeku Driton Izairi theksoi se nëse vazhdon trendi i infektimit të punëtorëve shëndetësor atëherë do të ketë mungesë të madhe të kuadrit. Sipas tij, nevojiten edhe më shumë mjete, mjekët amë në këtë aspekt kanë pasur më pak mbështetje, njofton Portalb.mk.

Çfarë përvoje fituat nga përballja me virusin Korona, si një virus i panjohur më herët për ju?

Është një sëmundje e re e panjohur më parë, por dalëngadalë me kalimin e kohës fituam njohuri dhe rreth këtij virusi dhe tani vetëm se kemi një përvojë se si të veprojmë.

Ju si mjekë si e përballoni këtë situatë?

Driton Izairi, mjek
Driton Izairi, mjek

Është pak vështirë për shkak se duhen ndryshime drastike në mënyrën e funksionimit të përditshëm si mjek, duhet të punojmë gjatë gjithë orarit me të gjitha rekuizitat për mbrojtje personale si dhe si  mjekë amë duhet të jemi në kontakt me pacientët edhe pas orarit nëpërmjet telefonit ose vizitave në shtëpi.

Si është gjendja aktuale në vendin tonë sa i përket numrit të të infektuarve?

Në vendin tonë kemi një numër të madh të rasteve dhe për momentin jemi në një fazë që çdo rritje e mëtejshme e rasteve mund të sjellë pasoja të rënda.

Cila mendoni se është zgjidhja për t’a tejkaluar këtë situatë?

Si zgjidhje për këtë situatë është respektimi i masave, si distanca, mbajtja e maskës dhe larja e duarve. Shpresojmë që së shpejti të kemi një vaksinë efikase.

OBSH parashihte se do të kishte edhe një fazë të dytë më të rëndë në vjeshtë sa i përket virusit, nga ana tjetër numri i të infektuarve në vendin tonë vazhdimisht ka shkuar në rritje. A mendoni se kjo është faza dytë për ne apo ende nuk e kemi kaluar fazën e parë? 

Shtimi i rasteve në vendin tonë është si pasojë e mosrespektimit të masave dhe kjo ende nuk është faza e dytë.

 A keni materiale dhe njerëz të duhur për sfidën që përballeni?

Kuadër ka por nevojiten ende, veçanërisht nëse vazhdon trendi i infektimit të punëtorëve shëndetësor atëherë do të ketë mungesë të madhe, sa i përket mjeteve ekzistojnë por nevojiten edhe më shumë, në këtë aspekt mjekët amë kanë pasur më pak mbështetje.

Për dallim prej vendeve tjera të rajonit, pse Maqedonia e Veriut ka numra alarmante të të infektuarve dhe të vdekurve nga virusi Korona? 

Vendi jonë deri më tani ka bërë testime më shumë se vendet e rajonit dhe ka qenë deri diku i suksesshëm në gjetjen dhe ndjekjen e kontakteve përveç rasteve kur janë dhënë informacione të rrejshme, në numrin e lartë të të infektuarve dhe vdekshmërisë si shkaqe do ti veçoj lajmet e rrejshme dhe shkuarja me vonesë në spital. 

Çfarë mesazhi keni për njerëzit në lidhje me këtë?

Ju bëj apel qytetarëve që të ruajnë distancën, të mbajnë maska në mënyrë adekuate duke mbuluar hundën dhe gojën e jo mjekrën dhe të lajnë duart, e nëse ju paraqitet ndonjë simptomë, të paraqiten te mjeku amë i tyre dhe të kërkojnë ndihmën adekuate e jo të mundohen t’i ikin realitetit.

Ndryshe, faza që po kalojmë tash llogaritet si fazë e parë e virusit, më e keqja ende nuk ka ardhur, parashihet të paraqitet në vjeshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button