Duam shtet pa padronë e robër

Zgjedhjet përfunduan dhe sovrani e tha të veten. Mirë a keq, e qëlloi a s’e qëlloi, kjo nuk është më temë serioze debati, sepse këto janë rregullat e demokracisë. Shfaqja u mbyll dhe epilogu mund të jetë ndryshe vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kurdo që të organizohen ato. Fituesit kanë të drejtë të gëzohen, kurse ata që nuk ia dolën të realizojnë pritshmëritë duhet ta pranojnë realitetin dhe ta respektojnë vendimin e sovranit, që do t’i gëzojë favoret apo do t’i paguajë tagret e votës së tij.

Këto zgjedhje sollën dhe një të papritur. Shqiptarët fituan më shumë votues se kurdoherë tjetër, duke i kthyer kësisoj mandatet e djegura në zgjedhjet paraprake dhe duke dëshmuar se nuk janë pakicë kombëtare, po një etni kompakte, që paradoksalisht nëpërkëmbet nga kubaritë e tjetrit dhe mungesa e vetëdijes për fuqinë e vet reale.

Sidoqoftë, nuk ka vend për kremte të mëdha, sepse realisht asnjëra parti shqiptare nuk është fituese e zgjedhjeve të 15 korrikut. Dhe, meqë është kështu, ato (partitë) duhet të reflektojnë me kohë, të përafrohen me njera-tjetrën, të bëjnë marrëveshje parimore, të caktojnë vijat e kuqe që nuk do t’i shkelë asnjëra prej tyre, të përgatisin strategjitë, nëpërmjet të cilave mund të ndryshojnë shumëçka në këtë vend që duhet t’u takojë qytetarëve dhe etnive të barabarta, ku secili do të ndihet zot në shtëpinë dhe trollin e të parëve, ku askush nuk do të ketë më të drejtë të përcaktojë me doza të kërmillta rritën e tjetrit, ku nuk do të ketë më padronë dhe robër, po qytetarë evropianë që e kanë të qartë se liria e tyre nuk fillon aty ku mbaron liria e tjetrit.

Ndryshe: triumfalizmat, inatet, kacagjelimet dhe përçarjet e reja, do ta ulin çmimin e votës shqiptare dhe do ta kthejnë atë sërish në garë tragjikomike lypsarësh të padinjitet, që do të radhiten si kokrra rruazash të pavlera para dyerve të LSDM-së apo VMRO-së, duke lutur për pushtete fiktive, për ca poste ministrash e drejtorësh, që as i kanë zgjidhur as do t’i zgjidhin në të ardhmen problemet madhore me të cilat ballafaqohemi me dekada të tëra.

Pra, është koha që subjektet shqiptare të shfrytëzojnë mandatet e fituara për të kushtëzuar mandatarin e qeverisë së re, e cila, për shkak të numrave, do të jetë e brishtë dhe e paaftë të shtyjë përpara pa votat tona proceset e mëdha para të cilave gjendet vendi. Ky moment mund ta ndryshojë kursin e politikës maqedonase ndaj nesh, mund ta ndryshojë substancialisht pozitën tonë prej qytetarësh të rendit të dytë, statusin tonë prej përqindjeje.

Nëse kjo nuk ndodh edhe kësaj radhe për faj të subjekteve shqiptare, ne do të jemi dëshmitarë të katandisjes së mëtejshme, të shuarjes sonë në këste, të braktisjes përfundimtare të trojeve etnike nga të rinjtë, 2-300 mijë prej të cilëve tani më janë bërë diasporë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button