Kryengritësit sirianë kërkojnë armë nga Amerika

Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shtojnë ndihmat për rebelët sirianë. Por një prej liderëve kryengritës, Salim Idris thotë se luftëtarët e tij kanë nevoje për armë nga Amerika, e jo për ushqime dhe fasho.
Na duhen raketa antitank e antiavion për të frenuar vrasjet e forcave të Bashar al Assadit, pohoi ai për agjencinë e lajmeve Associated Press.

“E vlerësojmë ndihmë humanitare të Shteteve të Bashkuara, por ajo nuk do t’i çojë kundërshtarët e regjimit sirian më pranë fitores”, shton Idris.

Washingtoni deklaroi këtë javë se do t’u dërgojë për herë të parë drejtpërdrejt edhe 60 milionë dollarë ndihmë ushtarake jo vdekjeprurëse kryengritësve, dhe disa vende europiane pritet të bëjnë të njëjtën gjë, transmeton TCH.

Por, analisti politik sirian, Tarek Ahmad, mendon se Ameriken e shqetëson përfshirja direkte, ose edhe jo e drejtpërdrejtë ushtarake në Siri dhe nuk po i ofron kryengritësve armët që ata prisnin prej saj.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta përmbysin me forcë qeverinë aktuale, sepse një gjë e tillë mund ta zhyste Sirinë në kaos për 10 apo 20 vjet të tjera. Dhe duke pasur parasysh pozicionin e rëndësishëm gjeopolitik të saj, kriza do të përhapej shumë shpejt në të gjithë rajonin”, tha Tarek Ahmad, analist politik sirian.

Sipas Ahmadit, Washingtoni ka dhe një frikë tjetër: ai druhet se armët e ofruara kryengritësve mund të përfundojnë në duart e ekstremistëve, ndërsa nisma në vetvete mund të ndeshte në kundërshtimin e Rusisë, Iranit e disa vendeve të tjera, e në këtë mënyrë, mbështetja për Damaskun, do të rritej.

Moska në fakt e ka bërë që tani të qartë se nuk pajtohej me idenë e një ndihme të tillë, që sipas saj, nuk do t`i jap fund konfliktit thuajse dyvjeçar të vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button