Me serbët e veriut të dialogojë Qeveria e Kosovës

Me serbët e veriut të Kosovës duhet të bisedojë vetëm Qeveria e Kosovës, mundësisht pa praninë e ndërkombëtarëve, të cilët e kanë krijuar problemin e veriut dhe e kanë toleruar strukturat paralele në atë pjesë të vendit tonë, vlerësojnë analistët politikë. 

Analisti Belul Beqaj mendon se problemi qëndron te bashkësia ndërkombëtare , e cila po kërkon zgjidhje të pranueshme, e jo zgjidhje të drejtë mes Serbisë dhe Kosovës.Në bazë të formatit të tanishëm të bisedimeve, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në bisedime me Serbinë do të ishte e palejueshme dhe e dëmshme për Kosovën, ka thënë për Telegrafin Bajrush Morina, kryeredaktor i gazetës Bota Sot. 

“Serbët e Kosovës i kanë mjaft të fortë ‘avokatët’ e tyre nga Beogradi dhe ata nuk kanë çka të kërkojnë më tepër në këto bisedime më shumë se sa ato që po i kërkojnë presidenti serb Nikoliq e kryeministri Dacic”, tha Morina. 

Sipas tij, Nikolici po kërkon autonomi për veriun ndërsa Dacic shkon edhe më larg duke kërkuar bashkimin e kësaj pjese të Kosovës me Serbinë. Këto kërkesa janë edhe të serbëve të veriut të Kosovës”,tha ai. 

Morina vlerëson se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të jenë pjesë e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, vetëm atëherë kur faktori ndërkombëtar ndërron pozicionin dhe vendos për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë. “Për momentin shqiptarët e Luginës së Preshevës do të duhet të luftojnë për më shumë të drejta në trojet dhe komunat e tyre etnike”, ka deklaruar Morina. Ndërsa, analisti Belul Beqaj, vlerëson se serbët e Kosovës janë në konfuzion. 

Sipas tij, zgjidhja që do të nxjerr shteti i Serbisë u duket pak, ndërsa vetë nuk mund të nxjerrin më shumë nga negociatat, pa shtetin e Serbisë . “Ata duhet ose t’i besojnë shtetit të tyre ose të marrin mbi vete përgjegjësinë për fatin e vet, pavarësisht se çfarë mund të përfitojnë në dialog”, tha Beqaj për Telegrafin. 

Ai mendon se problemi qëndron te bashkësia ndërkombëtare, e cila po kërkon zgjidhje të pranueshme, e jo zgjidhje të drejtë mes Serbisë dhe Kosovës . “Sikur të kërkohej zgjidhja e drejtë atëherë do të duhej të aplikohej kriteri i njëjtë si për serbet e Kosovës edhe për shqiptarët e Serbisë”, ka thënëBeqaj./Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button