Pesë leksione

Zgjedhjet parlamentare 2020 kanë qenë ndër zgjedhjet më vështirë të parashikueshme. Deri në moment të fundit nuk mund të dihej saktë kush do të fitojë kush do të humbë, e kush sa mandate do të marrë gjithsej. Vështirësitë dhe pengesat me të cilat u ballafaqua sajti onlajn i Komisionit Shtetëror Zgjedhor e rritën edhe pak më shumë konfuzionin që vazhdon të zgjasë edhe në ditët e sotme. Megjithatë, duke u bazuar edhe tek rezultatet që janë mbledhur në mënyrë direkte edhe në vendvotime mund të nxirren disa rezultate preliminare të cilat janë shumë pozitive dhe shpresëdhënëse. Qytetarët edhe kësaj radhe mbajtën leksione të cilat partitë politike dhe analistët duhet t’i analizojnë seriozisht gjatë periudhës në vijim.

Ajo që është për t’u përshëndetur është se parë në përgjithësi disponimi pro-Evropian dhe pro-NATO u përkrah fuqishëm edhe në këto zgjedhje. Mandatar për të krijuar qeverinë e re do të jetë Zoran Zaev. Duke pasur parasysh dallimet e dukshme dhe eklatante mes qëndrimeve pro dhe kundër Marrëveshjes së Prespës si dhe marrëveshjeve tjera të rëndësishme në rrugën e këtij shteti drejt integrimit Evropian, është shumë mirë që kjo frymë do të vazhdojë edhe në qeverinë e re. Të mos harrojmë që para tri vitesh Zaev nuk ishte mandatar dhe u ballafaqua gati me konflikt të armatosur deri sa arriti të formojë qeverinë. Tani ai ka një start shumë më të volitshëm, duke e pasur në dorë së pari ai mandatin dhe mundësinë për të krijuar një qeveri të re pro-perëndimore.

Të mos harrojmë po ashtu që homologu i Zaevit në Greqi, Tsipras, i humbi zgjedhjet pikërisht si pasojë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. Vendimet e rënda janë shpesh fatale për burrështetasit që i ndërmarrin ato. Prandaj është shumë me rëndësi të vlerësohet ky leksion i parë i qytetarëve të cilët megjithatë, edhe përkundër përçarjes së madhe në shoqëri, arritën sërish ta bëjë dallimin dhe ti njohin si arritje vendimet e rënda e jo si diçka që duhet ndëshkuar. Sigurisht, këtu rol të rëndësishëm luajti edhe koalicionimi parazgjedhor me Lëvizjen Besa për të bërë diferencën. Nga ana tjetër deklaratat e përfaqësuesve të VMRO-DPNE-së që ata janë përfaqësuesit më të mëdhenj të vullnetit të maqedonasve etnikë nuk mbajnë aspak sepse: 1) ata nuk fituan shumicën e votave dhe 2) ata po ashtu kanë për partnerë koalicioni parti jo-maqedonase. Deri kur koalicionimi parazgjedhor me partitë shqiptare do të shihet si krim ndërsa koalicionimi me partitë e etnive tjera do shihet si diçka e natyrshme?

Leksioni i dytë i rëndësishëm që qytetarët e mbajtën në këto zgjedhje ka të bëjë me BDI-në. Pavarësisht sa do të jetë numri përfundimtar i mandateve që BDI do i ketë në Kuvend, qytetarët treguan që një parti nuk shkon në opozitë kur ndonjë politikan e dëshiron këtë por kur këtë e vendosin qytetarët. Qytetarët kësaj rradhe ishin në gjendje të dallojnë listat e reformuara, strukturën e reformuar, dhe angazhimin e përgjithshëm të BDI-së në këto zgjedhje. Dhe vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhje me numra relevantë është gjithmonë diçka që duhet trajtuar shumë seriozisht. Kthimi në lojë i BDI-së pas përgjysmimit që përjetoi në 2016 dhe përkundër pritshmërive se ky përgjysmim do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje është diçka që tregon arsyen se pse kjo strukturë edhe pas 18 vjetësh mbetet një lojtar i rëndësishëm politik në këtë shtet.

Leksioni i tretë i rëndësishëm i qytetarëve në këto zgjedhje është përkrahja shumë e madhe e dhënë ndaj koalicionit Aleancë-Alternativë. Është një përkrahje shumë e rëndësishme që tani e bën këtë koalicion një faktor politik po aq të rëndësishëm sa edhe BDI, por ende të pamjaftueshëm për të qenë partneri ekskluziv shqiptar për të formuar qeverinë e ardhshme. Dhe është vërtet për t’u analizuar ky precizitet i votave shqiptare që zakonisht jepet në zgjedhje. Jepen shumë për opozitën, por jo edhe aq mjaftueshëm që pozita e gjertanishme të dalë tërësisht jashtë loje. Në këtë mënyrë qytetarët shfrytëzojnë rastin t’u japin pak kokëdhimbje politikanëve deri sa të dakordohen për qeverisjen e re të shtetit. Gjërat nuk janë edhe aq të lehta sa duken, ndërsa ndryshimet e mëdha zakonisht nuk ndodhin brenda natës.

Leksioni i katërt i rëndësishëm i qytetarëve në këto zgjedhje është që treguan se arrijnë të bëjnë dallime vendimmarrëse në kohëra kritike. Në vitin 2016 shqiptarët përkrahën një koalicion antiqeveritar të asaj kohe qëllimi kryesor i të cilit ishte të çlirohemi nga Gruevski. Pasi u arrit kjo, LSDM bëri hapa të rëndësishëm për të promovuar konceptin “një shoqëri për të gjithë” me qëllim që të mbajë një kontingjent të votave shqiptare. Ndoshta nuk bëri hapa radikalë, por megjithatë duhet pranuar që retorika e LSDM-së gjatë viteve të fundit dallonte shumë nga retorika nacionaliste e VMRO-DPMNE-së. Të mos harrojmë që është pikërisht meritë e madhe e LSDM që raportet ndëretnike në shtet ishin mjaft të relaksuara gjatë tri viteve të kaluara.

Ata madje bënë edhe hapin e rëndësishëm të koalicionit të parë ndëretnik parazgjedhor në zgjedhje parlamentare. Por në anën tjetër, LSDM dhe BESA nuk arritën ta artikulojnë mirë konceptin e koalicionit multietnik parazgjedhor gjatë fushatës. Ata bënë kampanjë tërësisht të ndarë dhe sikur kishin frikë ta promovonin hapur këtë koalicion. Kështu, lideri i BESËS nuk arriti ta artikulojë besimin e mirëfilltë se një koalicion multietnik mund të funksionojë përkundër retorikës nacionaliste që zakonisht përdoret nga partitë shqiptare, në të cilën retorikë ato ndjehen shumë komode. Nga ana tjetër, LSDM i referoheshte kolaicionit me BESËN vetëm në vendbanimet shqiptare, ndërsa në ato maqedonase paraqitej me materiale promovuese ku BESA nuk figuronte askund.

Koalicionimi multietnik është diçka e cila i duhet Maqedonisë së Veriut sepse vetëm në atë mënyrë u jepet përparësi temave unifikuese që kanë të bëjnë më pak me përkatësinë etnike e më shumë me mirëqenien ekonomike dhe sociale të vendit. Por për të promovuar koalicion të tillë nuk mjafton vetëm në mënyrë deklarative të lidhet koalicioni. Partitë politike që vendosin të funksionojnë në aspekt multietnik duhet të reklektojnë siguri në atë që e bëjnë, besim të plotë në vlerat e diversitetit dhe interkulturalizmit e jo të kalkulojnë njëkohësisht edhe me konceptin multikulturor edhe me konceptin nacionalist. O besoni, o nuk besoni në një koalicion multietnik. Nëse besoni, atëherë këtë duhet ta shprehni kudo, si në Strumicë, ashtu edhe në Tetovë, e jo të turpëroheni e të ndjehen i jo rehat me këtë ide. Ky koncept kërkon sakrificë dhe risk, kërkon besim të plotë në ato vlera dhe promovim të tyre gjithkund dhe para të gjithëve. Qytetarët arritën ta shohin këtë pasiguri që reflektoi ky koalicion dhe ndoshta kjo është njëra ndër arsyet pse i njëjti nuk arriti të tregonte një rezultat ende më të thellë që do të bënte dallimin e vërtetë mes një koalicioni nacionalist si ai i VMRO-së dhe një koalicioni multietnik si ai Mundemi. Por megjithatë, duhet pasur parasysh që shqiptarët dolën fitimtar edhe në këtë koncept. BESA si subjekt politik mori riskun për t’u paraqitur ndryshe në këto zgjedhje në një dritë ndryshe dhe aty shqiptarët fituan disa deputetë më shumë. Pra shqiptarët janë fitimtarë edhe me këtë koncept dhe ndoshta në të ardhmen duhet të vazhdojnë të punojnë edhe më tej për të mundësuar koalicionime të koordinuara ideologjikisht që vërtet do të besojnë në vlerat interkulturore të kësaj shoqërie.

Leksioni i pestë që duhet të nxjerrim nga këto zgjedhje lidhet me të Majtën që funksionon si e Djathta Ekstreme. Është për t’u analizuar seriozisht fakti që kur në vitin 2016 kjo parti u paraqit me koncept të mirëfilltë majtist nuk arriti të nxjerrë mandate në Kuvend. Sivjet, kur kjo parti u paraqit me retorikë shoviniste dhe fashiste ata mund të kenë nxjerrë dy mandate në Kuvend. Kjo parti e ka të shënuar në platformën e vetë, me ngjyrë të zezë mbi letër të bardhë se do të angazhohet për anulim të Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së Ohrit si dhe për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Kjo parti kundërshtoi ashpër anëtarësimin e vendit në NATO. Retorika e udhëheqësit të kësaj partie është tërësisht fashiste. E megjithatë ajo retorikë arriti të mobilizojë mjaftueshëm vota për të siguruar hyrjen në parlament të këtij subjekti politik. Kjo është dëshmia më e mirë që nacional-shovinizmi mbetet ende temë shumë aktuale në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Apasiev mund të jetë një mishërim i dobët i Lë Penit në këtë shtet.

Leksioni përmbyllës i këtyre zgjedhjeve është faktorizimi i votës shqiptare dhe kthimi i numrit adekuat të përfaqësuesve shqiptarë në Kuvend. Kushdo që ta formojë qeverinë e ardhshme do e ketë të qartë që pa faktorin shqiptar ndryshimet në këtë vend nuk bëhen asnjëherë. Kaq besoj mjafton edhe për ata të VMRO-DPMNE-së të cilët mendonin se në këto zgjedhje do mund ta artikulojnë teorinë e kombit të vetëm maqedonas. Kombi i vetëm maqedonas me faktor vendimtar shqiptar për të gjitha vendimet e rëndësishme në shtet është një koncept tërësisht utopik dhe i mundshëm vetëm në kokat e ideatorëve të atyre zgjidhjeve kushtetuese që na lanë në qorrsokak për 30 vjet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button