Sali Berisha: Të ndëshkohen autorët e rrahjeve ndaj shqiptarëve në Shkup

Ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në lidhje me dhunën e ushtruar nga huliganët maqedonas ndaj shqiptarëve, ku shumë fëmijë u lënduan. Ai u bën thirrje shqiptarëve në Maqedoni të shmangin incidentet, ndërsa autoriteteve i kërkon që të ndëshkojnë autorët e këtyre veprime, sipas tij primitive dhe që dëmtojnë rëndë bashkëjetesën ndëretnike.

Apelin kryeministri e bëri në faqen e tij në Facebook, transmeton Shekulli online.

“Ditët e fundit, grupe ekstremistesh e huliganësh maqedonas kanë ndërmarrë sulme fizike të përsëritura, kundër nxënësve dhe të rinjve të etnisë shqiptare në Shkup dhe kanë keqtrajtuar dhe plagosur disa prej tyre. Këto sulme primitive, që në aparencë kanë pasur si shkak absurd emërimin në detyrën e Ministrit te Mbrojtjes të z.Talat Xhaferi nga BDI, në përputhje me marrëveshjen e koalicionit qeveritar, kanë shkaktuar rritjen e mëtejshme të tensioneve ndëretnike dhe dëmtimin e klimës parazgjedhore në Maqedoni.

Qeveria shqiptare dënon me ashpërsi këto sulme primitive ndaj nxënësve dhe të rinjve shqiptarë, nga ekstremiste fanatikë maqedonas dhe i bënë thirrje forcave politike shqiptare dhe shqiptareve të Maqedonisë të shmangin provokacionet dhe përshkallëzimin e dhunës.

Qeveria shqiptare kërkon nga autoritetet maqedonase të ndëshkojnë me të gjithë forcën e ligjit autoret e këtyre akteve primitive, me te cilat ata duan te dëmtojnë rëndë bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni”shkruan Berisha.

Reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë

Qeveria shqiptare reagoi ndaj zhvillimeve të fundit në Maqedoni, duke i cilësuar ngjarjet e rënda të ditës së djeshme dhe dhunën e shfaqur sot në Shkup ndaj shqiptareve si “akte kriminale të patolerueshme, por edhe një  tronditje serioze për vlerat themelore të një shoqërie multietnike dhe demokratike”.

Ministria e Jashtme shqiptare shprehu shqetësimin se “rishfaqja e incidenteve me sfond etnik dhe rritja artificiale e tensioneve e në Republikën e Maqedonisë, është  sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit e shohin në familjen e Bashkimit Evropian dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve, apo konflikteve etnike”.

Ministria e Jashtme shqiptare u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë “të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm”, ndërsa kërkon nga autoritetet e vendit që “të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbulimin dhe dënimin e autorëve, si dhe të përkujdesën që këto raste mos të përsëritën. Forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen, apo mbështet akte të tilla dhune”, nënvizon deklarata zyrtare e Tiranës. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button