MPJ Kosovë: Të dënohen ata që rrahën shqiptarët në Shkup

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës reagon lidhur me situatën e tensionuar në Republikën e Maqedonisë, duke dënuar aktin e rrahjes së nxënësve shqiptarë dhe konsideron se përshkallëzimi i dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme në Shkup dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-maqedonase në këtë shtet multietnik.

MPJ e Kosovës u bënë thirrje të dyja palëve në Maqedoni, veçanërisht të gjithë faktorëve politikë që të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm për të shmangur tensionet etnike.

Po ashtu u bëhet thirrje autoriteteve zyrtare të Shkupit që të ndërmarrin masa të vendosura për zbulimin dhe dënimin e autorëve të akteve të tilla të dhunës dhe të incidenteve me sfond etnik, duke vlerësuar se forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konsideron se është në interesin e Maqedonisë që të kultivohet fryma evropiane, toleranca dhe bashkëpunimi efektiv ndërmjet të gjitha forcave të shoqërisë, për zgjidhjen e të gjitha kontesteve të brendshme, ngase kjo është rruga e vetme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Maqedonisë dhe të rajonit si një parakusht për integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike.  /Zeri

Lajme të ngjashme

Back to top button