Vardari në Lisiçe sërish i ndotur,inspektorët në terren, ndotësi i panjohur

Kontrolli i inspektorëve për mjedis jetësor në impiantet e dy fabrikave më të mëdha në qarkun e Hekuranës së mëhershme të Shkupit – “Makstill” dhe “Liberti Grup” (“Arçello Mitall” i mëhershëm) sot, nuk tregoi kush është shkaktari i ndotjes së lumit Vardar në Lisiçe, njofton Meta.mk.

Pasi në rrjetet sociale u paraqitën fotografi të ujërave të Vardarit me ngjyrë kafe-kuq dhe pasi Inspektorati i Qytetit i alarmoi kolegët e tyre në Inspektoratin Shtetëror për mjedis jetësor për ndotje të re të lumit, janë marrë mostra edhe nga pikat e pastrimit të dy subjekteve ekonomike edhe nga kolektori, të cilat duhet të dërgohen për analiza në laboratorin e NP Ujësjellësi. Këtë e konfirmoi për Meta, inspektori shtetëror Mite Nacev.

“Mostrat që janë marrë, nuk mund të dorëzohen për analizë sot meqë është ditë jo pune shkaku i zgjedhjeve, do t’i dërgojmë nesër”, njoftoi Nacev, i cili ka konfirmuar edhe që inspektorët i kanë vizituar “Makstill” dhe “Liberti Grup”, mirëpo nga kontrolli në vend nuk ka pasur mundësi të konstatohet që diku ka pasur avari, përkatësisht prej nga rrjedhë ndotja. Sipas inspektorit, “Liberti Grup” nuk kanë punuar as sot as ditët e kaluara.

Në ndërkohë, për incidentin është prononcuar edhe Ministria për Mjedis Jetësor, me komunikatë në të cilën thuhet: “Pas informatës së pranuar për ngjyrë në ujin e lumit Vardar në urën “Bineqë”, inspektorët shtetëror për mjedis jetësor menjëherë kanë dalë në terren. Gjatë kësaj, është bërë kontroll inspektues në dy subjektet juridike: Liberti Shkup dhe SHA Makstill, që gjenden në kompleksin e Hekuranës së mëhershme dhe për të cilat inspektimi është në kompetenca të Inspektoratit shtetëror për mjedis jetësor”.

Në komunikatën e MMJPH-së vërtetohet që është bërë këqyrje dhe kontroll në pikat e pastrimit të dy subjekteve juridike, si dhe në vendin ku kolektori derdhet në lumin Vardar dhe prej aty janë marrë mostra të cilat do të dorëzohen për analizë në laborator të akredituar.

“As Liberti Shkup, as SHA Makstill nuk kanë paraqitur havari, ndërsa gjatë këqyrjes në pikat e pastrimit nuk është vërejtur ngjyrë në ujërat e zeza”, thuhet në komunikatën nga MMJPH.

“Liberti Grup” Shkup në shtator të vitit të kaluar është dënuar nga ana e Inspektoratit shtetëror për mjedis jetësor me gjobë në lartësi prej100.000 euro për shkak të avarisë të cilën kjo firmë e ka shkaktuar, kur ka plasur një vaskë nga e cila është derdhur sasi më e madhe e ujërave të zeza që kanë përmbajtur hekur dhe acid, pa u trajtuar në mënyrë adekuate në sistemin për ujëra të zeza.

Përgjegjësit e Inspektoratit Shtetëror dhe të Ministrisë për Mjedis Jetësor thonë që, megjithatë nuk duhet të prejudikohet me akuza për cilin do nga subjektet ekonomike derisa analizat nuk paraqesin çfarë do shkaku për ndotjen e sotme të lumit Vardar.

Pasi të analizohen mostrat presim të zbulojmë më tepër për atë kush është shkaktar për ndotjen, thonë përgjegjësit. Sipas Ligjit në fuqi për mjedis jetësor, neni 212-zh i të cilit përcakton procedura të organeve kompetente lidhur me shkelje më serioze ekologjike, ndër të tjerat është paraparë dënim në lartësi prej 100.000 euro me kundërvlerën e denarit për personin juridik i cili prodhon dhe lëshon materie dhe substanca ndotëse në mjedisin jetësor.

Për shkak të angazhimit me aktivitetet rreth zgjedhjeve sot nuk morëm përgjigje nga përgjegjësit nga MMJPH.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button