Policia nuk ka informata për sulmuesit e Blinit

Nuk është gjetur asnjë gjurmë nga sulmuesit e mbrëmshëm të 13 vjeçarit Blin Shabani i cili brenda dy muajve dy herë në po të njëjtin vend ishte viktimë e personave të panjohur. Nga policia si zakonisht thonë se hetimet për të dy rastet po vazhdojnë, dhe se deri tani nuk disponojnë me të dhëna konkrete për autorët apo motivet e sulmeve.

“Dje rreth orës 18 në rrugën “Pançe Nedellkovski” një i mitur 13 vjeçar është sulmuar fizikisht nga tre persona të panjohur, kur njëri prej tyre duke përdorur thikë ka shkaktuar të prera në fytyrën e djalit. SPB Shkup po merr të gjitha masat për zbardhjen e rastit të kaluar. Nëse dikush prej familjes të të dëmtuarit ose cilido qytetar ka ndonjë informatë, le të drejtohen në polici”, tha Liza Bendevska, zëdhënëse e SPB Shkup.

Pikërisht në këtë vend, mbrëmë rreth orës 18:00, persona të panjohur sulmuan dhe keqtrajtuan 13 vjeçarin me emrin Blin. Sulmuesit duket se kanë qenë të organizuar mirë, dhe e kanë ndjekur djalin shumë kohë para se ta sulmonin.

Mbrëmë prindi i Blinit Kenan Shabani derisa i ofrohej ndihma e parë djalit të tij, rrëfeu për Alsat M se si ishte sulmuar djali i tij. Ai kërkon nga institucionet përkatëse të zbulojnë sulmuesit.

“Ky është rasti i dytë që përsëritet, që e kanë sulmuar djalin tim Blinin, i cili është vetëm 13 vjeç, hiq më tepër. Para dy muajve ka ndodhur sulmi i njëjtë prej personave të maskuar, një grup personash të rritur. Siç tregon djali, kanë qenë diku rreth 20 vjeçar, të maskuar, kanë folur maqedonisht. E kanë rrahur, në fillim i kanë kërkuar para, pastaj kanë nxjerrë një kryq dhe e kanë detyruar që të puthë kryqin, ky ka kundërshtuar, pastaj kanë filluar me grushte… dy të tjerët e kanë mbajtur për krahë, ndërsa i treti ka filluar ta vizatojë nëpër fytyrë, e kanë shkarravitur nëpër fytyrë”, tha Kenan Shabani, babai i Blini për televizionin Alsat-M

Gjendja shëndetësore e Blinit sot është stabile dhe vazhdon të qëndroj në spital, por me shenja të dukshme të dëmtimeve në fytyrë.

Lajme të ngjashme

Back to top button