Hoti takoi komisionerin evropian Varhelyi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, brenda pak ditësh, ka takuar për herë të dytë komisionerin e Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend si dhe për procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç ka njoftuar Zyra e kryeministrit Hoti nëpërmjet një komunikate për media, i cili nesër pritet të zhvillojë takime në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, temë kryesore e takimit të tyre ka qenë procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët.

Hoti ka theksuar nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian.

“Kosova dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar në orientimin e tyre euroatlantik, prandaj kryeministri Hoti ka vlerësuar se është e rëndësishme që edhe BE-ja të ndërmarrë hapat e nevojshëm që të sigurohet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim u fol edhe për nevojën për strategji dhe protokolle të përbashkëta regjionale e evropiane për luftimin e pandemisë, ndërsa “Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se Kosova si pjesë e kontinentin është dhe do të jetë pjesë e kësaj strategjie”.

Pas takimit virtual të udhëheqësve të lartë shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë më 12 korrik, të enjten e 16 korrikut kryeministri kosovar Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç do të takohen ballë për ballë në Bruksel për rifillimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Biseda do të lehtësohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrel dhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për të diskutuar kushtet e një marrëveshjeje finale për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button