Kriza poltike, VMRO dhe LSDM me skenarë mirë të menduara

Skenarë mirë të menduara janë sjelljet e partisë maqedonase në pushtet VMRO e cila dëshiron me çdo kusht ta ruajë pushtetin. Nga ana tjetër opozita në krye me LSDM-në nuk lëshon pe dhe shkon në stilin “sa më keq aq më mirë” pasi që dëshiron të krijojë situatë të re politike e cila mund të rezultojë me rrëzimin e Qeverisë. 

Por, një gjë është e qartë, dy partitë nuk çajnë kokën se në këtë mënyrë rrezikojnë perspektivën evropiane të vendit, gjë që secili diplomat evropian ia ka thënë Maqedonisë, madje dhe përsëritur.  Kështu analizojnë situatën aktuale politike njohësit e zhvillimeve, pas miratimit të vendimit për prolongim të afatit të dorëzimit të kandidaturave të kryetarëve të komunave dje në Parlament.

“Pas sjelljes skajshmërish jo-racionale të pushtetit dhe opozitës, fshihen strategji dhe taktika skajshmërish racionale. Opozita e bashkuar kalkulon si të merr pushtetin duke e kapitalizuar incidentin e 24 dhjetorit, ndërsa pushteti si ta dobësojë opozitën dhe në këtë mënyrë ta ruajë qeverisjen. Ma merr mendja se në shtabet partiake as që flitet për integrimet euro-atlantike e ku më për reputacionin e shtetit edhe pse dy oponentët politik dëshirojnë të tregohen si faktor politik konstruktiv” thotë për Portalb, profesoresha e shkencave politike, Mirjana Malevska.

Sipas saj, opozita e bashkuar zgjodhi skenarin “sa më keq, aq më mirë” për të kthyer mandatet dhe të organizohen zgjedhje te reja të parakohshme. 

“Zgjedhjet e eventuale do ta prishin baraspeshën e fuqisë në Parlament dhe do ti dobësojnë pozitat e BDI-së. Atëherë do të ishte krijuar një situatë e re politike e cila mund të rezultojë me rrëzimin e Qeverisë. Një “lojë” e rrezikshme por nuk është e pakuptimtë” thotë Malevska.
“Qeveria, nga ana tjetër nuk është aspak e sinqertë në tendencat e saj për të filluar dialogun politik. Ajo tregoi dobësinë e tyre themelore: e humbi kontaktin me realitetin”’ përfundon ajo.

Bashkim Bakiu nga Instituti për Hulumtim të Politikave dhe Qeverisje të mirë, është i mendimit se VMRO DPMNE nuk dëshiron që opozita maqedonase të merr pjesë në këto zgjedhje lokale dhe jep propozime që realisht e dinë se nuk do të pranohen. 

“Ky është  alibi i kësaj partie para ndërkombëtarëve sepse presioni më i madh është për ata si subjekt politik në Qeveri dhe përgjegjësia më e madhe për këtë krizë kërkohet nga ata. VMRO duhet të lëshojë pe për mos të rrezikuar proceset demokratike dhe euro-integruese në vend” thotë Bakiu.

Ai thekson se mënyra e tillë e të vepruarit lë hapësirë për shmangien e demokracisë në vend.

“Propozuimet e Zoran Stavrevskit dhe Gordana Jankullovskës të cilët në mënyrë direkte ishin prezent në ngjarjet e dhunshme të 24 dhejtorit, në një farë mënyre janë provokim ndaj LSDM-së prandaj refuzohen quke u quajtur si propozim ironik i ardhur nga personat që në mënyrë direkte quhen fajtorë të dhunës” vlerëson Bakiu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button