SHBA, ekzekutimi i parë federal me vdekje pas 17 vjetësh

Pas 17 vjetësh, qeveria amerikane kreu ekzekutimin e saj të parë me vdekje, transmeton VOA.

Ekzekutimi i të burgosurit Daniel Lewis Lee u krye pas vendimit të Gjykatës së Lartë të martën herët në mëngjes që rrëzonte urdhrin e një gjykate më të ulët për tre ekzekutime të planifikuara për këtë javë dhe një tjetër të caktuar për muajin e ardhshëm.

Lee u ekzekutua me një dozë qetësuesi të fuqishëm, pentobarbital, në një burg federal të shtetit Indiana, pak orë pasi gjykata shpalli vendimin.

Ai ishte shpallur fajtor për vrasjen e një familjeje prej tre anëtarësh, përfshirë një vajzë 8-vjeçare, në vitin 1996.

Lee duhej të ekzekutohej të hënën, por disa orë para se kjo të ndodhte, një gjykatës federal lëshoi një urdhër paraprak me arsyetimin se gjykatave duhet t’u lihej më shumë kohë për të shqyrtuar nëse metoda e ekzekutimit shkelte masat mbrojtëse kushtetuese kundër dënimeve mizore dhe të pazakonta.

Avokatët argumentuan se pentobarbitali mund të shkaktojë një lloj stresi të frymëmarrjes me ndjesinë e mbytjes.

Shumica e Gjykatës së Lartë (5-4) e hodhi poshtë këtë argument, duke thënë se pentobarbitali ishte miratuar nga shtetet që kryejnë ekzekutimet e tyre dhe se më shumë se 100 njerëz janë ekzekutuar me këtë mënyrë, pa ndonjë incident.

“Qeveria ka sjellë dëshmi ekspertësh, ku ka treguar se edemat pulmonare ndodhin vetëm pasi i burgosuri ka vdekur ose ka humbur plotësisht ndjenjat,” shkruhej në opinionin e shumicës. “Pala ankuese në këtë rast nuk ka treguar provat për të justifikuar ndërhyrjen në minutën e fundit nga një Gjykatë Federale.”

Gjyqtaret Sonia Sotomayor, Ruth Bader Ginsburg dhe Elena Kagan, u shprehën në opinionin e pakicës se shumica ishte nxituar në rishqyrtimin e çështjes.

“Vendimi i sotëm ilustron se sa të rënda mund të jenë pasojat e vendimmarrjes së tillë të përshpejtuar,” tha gjyqtarja Kagan.

Gjyqtari Stephen Breyer, të cilit iu bashkua edhe gjyqtarja Ginsburg, u shpreh se Gjykata e Lartë mund të duhet të shqyrtojë vetë kushtetutshmërinë e dënimit me vdekje.

Ekzekutimi i Wesley Ira Purkey është caktuar për ditën e mërkurë, i ndjekur nga ekzekutimi i Dustin Lee Honken të premten. Keith Dwayne Nelson është planifikuar të ekzekutohet më 28 gusht.

Që nga rivendosja e dënimit me vdekje në vitin 1988, qeveria federale kishte ekzekutuar deri tani tre persona në vitin 2003.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button