Zgjedhjet lokale, matematika e BDI-së

Qe dhjetë vjetë me rradhë BDI është faktori dominant në skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Qysh nga pjesëmarrja e parë në zgjedhje, ajo ka qenë fituese e pakontestueshme e çdo cikli zgjedhor, pa marrë parasysh nëse bëhej fjalë për zgjedhje parlamentare, lokale ose presidenciale. Prandaj gjatë gjithë ekzistencës së saj, rreth BDI-së është krijuar një aurë e pamposhtmërisë, gjegjësisht mendohet se votuesit shqiptarë nuk kanë çare tjetër dhe se BDI do të jetë fituese e pashmangshme e zgjedhjeve, pa marrë parasysh se çka ka bërë gjatë kohës në pushtet.

Kjo pikëpamje gjithsesi është e gabuar dhe iracionale. Ajo që nuk bie në lehtë në sy është rezultati relativ i BDI-së që shkon duke rënë nga viti në vit. Kështu në vitin 2006 BDI ka marrë 57% të votave shqiptare, në 2008 ka rënë në 56%, në 2009 në 52%, ndërsa në 2011 në vetëm 48% të votave shqiptare. Këto shifra pra tregojnë një trend të pandalshëm rënie, ndërsa posaçërisht i rëndësishëm është rezultati i fundit. Megjithëse në përgjithësi kaloi pa vërejtur, rezultati paraqet fenomen të llojit të vet dhe pikë të rëndësishme kthese politike: për herë të parë më shumë shqiptarë votuan kundër BDI-së se sa për të!

Rrëfim në vete janë rezultatet e BDI-së nëpër komuna. Në zgjedhjet lokale të vitit 2009 BDI humbi dy komunat më të mëdha shqiptare, Tetovën dhe Gostivarin. Në 2011 ajo riktheu rezultatin në Gostivar me një fitore të ngushtë, por shënoi humbje edhe më të madhe në Tetovë, të shoqëruar me humbje edhe në disa komuna rurale të Pollogut. Ndërkaq edhe në komunat ku fitoi, rezultati ndoqi trendin global – fitore me nën 50% të votave. BDI arriti të marrë shumicën e votave vetëm në Likovë, Çair dhe Kërçovë; gjithkund tjetër më shumë shqiptarë votuan për parti tjera.

Por si arrin BDI t’i fitojë zgjedhjet në rrethana kur merr një përqindje gjithnjë e më të vogël votuesish shqiptarë? Nëse në periudhën 2002-2006 BDI u shpërblye nga votuesit për të arriturat në qeverisjen qendrore, ndërsa në 2008 fitoi në sajë të keqqeverisjes paraprake të PDSH-së, fitoret e mëtejme i dedikohen më tepër përçarjes së opozitës. Në vitin 2008 ndodhi përçarja e madhe e PDSH-së, që u reflektua në zgjedhjet e vitit 2009, ndërsa në 2011 në skenë doli edhe partia e re RDK. Paaftësia e opozitës për të bërë koalicione rezultoi me një numër të madh votash të djegura shqiptare, gjë që u kushtoi shumë partive opozitare, ndërsa shkoi direkt në favor të BDI-së. Si rezultat, edhe përskaj rënies së numrit të deputetëve nga 18 në 15, BDI në 2011 mbeti partia dominuese shqiptare.

Për fatin e saj të mirë, BDI-së po i rrjedhin gjërat ashtu siç don edhe këtë cikël zgjedhor. Pas tentimeve të dështuara për koalicionime të ndryshme, opozita definitivisht dëshmoi se nuk ka kapacitet për koalicione, duke i bërë kështu përsëri një favor të madh BDI-së. Opozita e përçarë do t’i mundësojë asaj që të mbajë në kolonën e vet një sërë komunash që përndryshe i kishte të rrezikuara, ndërsa në vende ku do t’a kishte humbjen e garantuar i jep gjasa reale për fitore. Koalicionimi shtesë me DR-në dhe PAE-n vetëm se i jep komoditet edhe më të madh në zgjedhje.
Në këto rrethana është e qartë se BDI përsëri ngelet favorite për të fituar numër më të madh këshilltarësh dhe komunash. Por kjo nuk do të jetë matësi i vërtetë i suksesit të partisë. Përveç fitores në vota totale, ajo duhet të kujdeset që të rikthehet përsëri në kuotën e mbi 50% të votave shqiptare, sepse në të kundërtën do të jepet shenjë se trendi i rënies thjeshtë është i pandalshëm. Prandaj çdo shifër nën atë të vitit 2011 duhet të konsiderohet si dështim, apo thënë më së miri, një fitore Pirrike e BDI-së.

Sipas të gjitha gjasave BDI do të arrijë të fitojë edhe numër më të madh kryetarësh komunash, por vetëm numerikisht. Për BDI-në nuk do të jetë e rëndësishme se sa komuna do të fitojë, por cilat komuna do t’i fitojë. Pikë së pari, ajo duhet të rifitojë të paktën njërën nga dy komunat e mëdha, ose Tetovën ose Gostivarin. Pa marrë parasysh rezultatin në vendet tjera, nuk ka asnjë mënyrë se si humbja e njëkohshme e të dy nënkryetarëve të “spinohet” si sukses. Në rradhë pas tyre vjen komuna e Kërçovës, bastion i padiskutueshëm i BDI-së, por vetëm karshi partive tjera shqiptare. Nëse pas bashkimit të Kërçovës fitues del kandidati maqedonas, kjo deligjitimon plotësisht politikën e partisë në këtë dhjetëvjeçar, të bazuar thuajse kryekëput në frazeologji patriotike për “rikthim të dinjitetit shqiptar”. Humbja do të ishte edhe më therrëse duke marrë parasysh kujdesin dhe favoret e jashtëzakonshme, disproporcionale, që merr ky regjion në kurriz të viseve tjera shqiptare, si dhe faktin që një pjesë e madhe e udhëheqësisë së partisë vjen pikërisht nga Kërçova.

Jashtë Pollogut dhe Kërçovës, BDI do t’a ketë punën më të lehtë. Nëse kalon me sukses sfidat në këto vende, një humbje për shembull në Strugë nuk do të ishte edhe aq tragjike. Në Shkup dhe Kumanovë BDI ka disa bastione ku e ka thuajse të garantuar fitoren, e me këta do të mbulon edhe dështimin eventual në komuna tjera më kompetitive, siç mund të jenë Haraqina, Studeniçani ose Saraji.

Pengesa më e madhe në arritjen e këtyre qëllimeve të BDI-së do të jetë demotivimi i vetë anëtarësisë së partisë, që ndihet e frustruar nga mungesa e rezultateve nga bashkëqeverisja me VMRO-në. Në zgjedhjet e fundit platforma e partisë ishte e orientuar në tre drejtime: integrimet euroatlantike, çështjet e gjuhës dhe flamurit dhe çështja e veteranëve të luftës. Në ndërkohë integrimet kanë ngecur tërësisht, ndërsa partisë nuk i ka ngelur më asnjë alibi për këtë dështim, pasi udhëheq me dy resorët kyç për integrim. Edhe pyetjet e kërkesat ajo po i bën në adresa të gabuara, drejt Athinës, Brukselit e opozitës maqedonase, pa i kërkuar asnjëherë llogari subjektit që ka fjalën kryesore, VMRO-së.
Zgjidhjet e ofruara për përdorimin e gjuhës dhe flamurit vazhdojnë të mbeten të cunguara, ndërsa çështja e veteranëve thuajse është harruar. Në fakt, siç pranoi edhe vetë kryetari i partisë, gjatë bisedave për koalicionim është dakorduar që tema mos trajtohet fare, pra është harruar menjëherë sapo kanë mbaruar zgjedhjet. Kulmi i frustrimeve megjithatë është heshtja e plotë përballë gjitha padrejtësive që ka bërë dhe bën partneri i saj i koalicionit, duke filluar nga regjistrimi i dështuar i popullsisë, deri te miratimi piratesk i buxhetit të fundit diskriminues.
Në raste të panumërta BDI madje i ka dhënë VMRO-së mbështetje totale, të pakushtëzuar, ndërsa konfrontimin që është dashur t’a bëjë me VMRO-në e ka zëvendësuar me një konfrontim mjeran me TMRO-në. Për sikletin e simpatizantëve të vet, partia që ka marrë mbi 100.000 vota shqiptare s’po ia del në krye as me një parti me 1000 vota dhe që ka saktësisht një funksionar, Vanço Shehtanskin.

Si pasojë e gjithë kësaj është tejet e mundshme që një numër i konsiderueshëm simpatizantësh të BDI-së ditën e zgjedhjeve të ngelin në shtëpi. Por për fatin e saj të mirë, këtë nuk duket se po e kapitalizon opozita, e cila ka po të njëjtat probleme në anën e vet. BDI-ja kështu i shmanget edhe një herë ndëshkimit dhe i jepet përsëri rasti për fitore. E në këtë drejtim suksesi do të vlerësohet me disa parametra: ndalja e rënies, fitore në Tetovë ose Gostivar, fitore në Kërçovë dhe fitore në disa komuna të rajoneve tjera. Çdo rezultat nën këto kritere bazë do të thotë se partia ka marrë tatëpjetën.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button