Shqipëri, u hap ekspozita “Libra të ndaluar në komunizëm”

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë ka hapur ekspozitën “Libra të ndaluar në komunizëm”, raporton Anadolu Agency(AA).

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, gjatë fjalës në ceremoninë e hapjes së ekspozitës tha se me ketë ekspozitë synojnë t’i rikthehen edhe një herë “dijes së mohuar”, dhe sipas saj autorëve që iu është mohuar liria e fjalës.

“E mbajmë mend shumë mirë sesi para viteve 90-të një sërë librash kalonin dorë pas dore, ndonjë herë në errësirën e natës ose të fshehur në shtëpitë e njëri-tjetrit, që ishin të ndaluar. Shpeshherë këto libra ishin të literaturës së huaj të ndaluar nga regjimi, por kjo nuk na ka penguar në fakt që të marrim edhe këtë lloj bagazhi dhe me një etje për të njohur atë që ekzistonte jashtë kufijve”, u shpreh Margariti.

Duke theksuar se kjo ekspozitë duhet të shërbejë për të rinjtë, ministrja Margariti tha se “Ka pasur dhe një sërë të tjerë librash të autorëve shqiptarë të dënuar, edhe për të mos ekzistuar fare as në të shkruar emrin e tyre nëpër libra, një proces i gjatë që ndodhte në Bibliotekën Kombëtare, ai i mbledhjes së këtyre librave të ndaluar. Një sistem dhe mekanizëm i tërë i cili ishte i ngritur i gjithi për të mohuar fjalë,n për të mohuar përcjelljen e dijes”.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha se aktivitete të tilla duhet të promovohen sa më shumë për të kuptuar edhe të kaluarën komuniste.

“Diktatura ka frikë dhe diktatura është e dhunshme sepse ka frikën e dijes, nuk arrin të besojë tek leximi kritik, sepse e di që e ka të gabuarën me vete. Është shumë e domosdoshme që këto aktivitete të jenë sa më shumë të promovuara në mënyrë që sidomos brezat e rinj ta kuptojnë se çfarë ndodh në situatat e diktaturës në mënyrë që diktaturat të mos kthehen dhe ky besoj se është mesazhi kryesor i të gjitha këtyre ekspozitave”, theksoi Bido.

Ekspozita që do të qëndrojë e hapur për disa ditë në ambientet e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në Tiranë, përmban dokumente arkivore, por edhe të tjera mbi procesin e ndalimit të disa lloje të botimeve gjatë komunizmit në Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button