Cana: Mund ta fitojmë Milanin

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, duke folur për ‘Lazio Style Channel’, ka thënë se fitorja kundër Pescarës erdhi në momentin e duhur, pasi skuadra kryeqytetase italiane nuk dinte për fitore në Itali për pesë ndeshje rresht.

“Ishte e rëndësishme për ne ta arrijmë fitoren pas një kohë të gjatë. Ne kemi fituar disa ndeshje rresht në Evropë, mirëpo kemi ngecur në Kampionat. Kur Pescarës ne patëm një paraqitje të mirë për të fituar dhe për t’u përgatitur para ndeshjes me Milanin”, deklaroi Cana.

Duke vijuar tutje, ai theksoi se nuk mund të parashikojë se në cilën pozitë do të përfundojë Lazio në fund të stinorit, pasi dëshiron të mendojë vetëm takim pas takimit.

“Pozita në fund? Sinqerisht, ne luajmë ndeshje pas ndeshje, duke zbritur në fushë çdo tri ditë. Pozitat do të vendosen në fund. Ne gjithmonë kemi qenë në pozitat e kreut dhe kështu duhet të vazhdojmë. Nëse ne vazhdojmë të luajmë ndeshje pas ndeshje dhe me rikthimin e Kloses dhe Maurit, mendoj se mund të luftojmë në të tri frontet”, bëri të ditur mesfushori kosovar.

Cana është paraqitur në katër ndeshje si titullar me Lazion këtë stinor në Serie A, ndërsa 10 herë të tjera është inkuadruar nga banka rezervë. Ai ende nuk ka gjetur golin me këtë skuadër në kampionatin italian, mirëpo është njëri nga lojtarët më të ndëshkuar në skuadër, me pesë kartonë të verdhë.

Për Milanin

Duke vijuar tutje, kapiteni ‘kuqezi’ theksoi se në sfidën kundër Milanit skuadra e tij duhet të jap maksimumin për të nxjerrë një rezultat pozitiv. “Të shtunën ne do të japim 100 % nga vetja kundër Milanit. A do të luajë? Nuk është puna ime ta them. Dias është me përvojë dhe mendoj se kemi formuar një kombinim të mirë mes vete”, tha Loriku. Sfida do të zhvillohet në ‘Giuseppe Meazza’.

I mungon Klose

Cana ka thënë se mungesa e Miroslav Kloses është duke rënduar gjendjen e skuadrës, mirëpo ai ka lavdëruar paraqitjen e Sergio Floccarit në sulmin e skuadrës. “Mungesa e Kloses? Sigurisht se është e madhe, por në sulm ne kemi lojtar si Sergio Floccari, i cili është duke luajtur mjaft mirë”, theksoi ish-anëtari i Sunderlandit.

Lajme të ngjashme

Back to top button