Po hulumtohet nëse ka ikur jashtë shtetit, ndërkohë MPB me fletëarrest e kërkon ish kryetarin e Penale, Vlladimir Pançevski

Ministria e Punëve të Brendshme e ka publikuar fletëarrestin në ueb-faqen e saj të internetit për ish kryetarin e Gjykatës Penale të Shkupit, Vlladimir Pançevski, pasi që policia nuk e ka gjetur për ta dërguar në paraburgim, njofton Portalb.mk.

Fletëarresti për Vlladimir Pançevskin
Fletëarresti për Vlladimir Pançevskin

“Vlladimir Pançevski, nga babai Zdravko, Nëna Cveta, është i lindur më 01.05.1974 në Shkup, me vendbanim në rrugën Dame Gruv nr. 7/5-15 në Shkup, kërkohet sipas fletëarrestit të Gjykatës së Velesit, në bazë të vendimit të gjykatës me të cilin i është shqiptuar paraburgim, për shkak të ekzistimit të dyshimit se ka kryer vepër penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, nga neni 353, pargrafi 2 i Kodit Penal.

Ndërkohë, Ministri në largim i punëve të brendshme, Naqe Çulev sqaroi se MPB-ja është duke kontrolluar nëse Pançevski ka ikur jashtë vendit.

“Për Pançevskin është shpallur fletëarrest. Momentalisht kryhen edhe kontrolle operative që të konfirmohet nëse personi zyrtarisht e ka braktisur shtetin” deklaroi Çulevi, duke sqaruar se policia tre herë nuk e ka gjetur të akuzuarin në adresën e tij.

Përndryshe, Pançevski akuzohet edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë shfrytëzimit të sistemit AKMIS. Ai mund të dënohet prej 6 muaj deri në 3 vjet burg nëse shpallet fajtor se e ka shpërdorur detyrën dhe autorizimin zyrtar duke shpërndarë lëndë gjyqësore në mënyrë manuale, gjegjësisht duke mënjanuar përdorimin e sistemit AKMIS.

Akuza ndaj Pançevskit u ngrit pasi që në fund të vitit 2017-të Ministria e Drejtësisë e publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Pas kontrollit të bërë në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët i theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS.

Gjykimi për këtë lëndë duhej të fillonte vjeshtën e kaluar, megjithatë deri tani nuk ka filluar as diskutimi kryesor. Gjykatë kompetente është ajo e Velesit pasi gjykata e Apelit solli vendim të këtillë për t’u shmangur dyshimi për njëanshmëri në Gjykatën Penale të Shkupit ku Pançevski ka punuar.

LEXO më shumë për lëndën: AKMIS

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button