RMV, Votuan 95.25% e qytetarëve që patën të drejtë vote sot

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në seancën e saj të zhvilluar sot, raportoi se 723 qytetarë prej 759 qytetarëve që kishin të drejtë vote sot, e shfrytëzuan këtë të drejtë, transmeton Portalb.mk.

Të drejtën e votës sot nuk e shfrytëzuan 36 qytetarë që patën mundësi. Në qytetin e Ohrit tetë qytetarë nuk votuan, ndërsa në Demir Hisar dhe Kërçovë nga tre qytetarë nuk votuan.

Më së shumti votues sot pati në Resen (59), ndërsa në Strugë dhe Tetovë 53 qytetarë.

KSHZ-ja raportoi se për të votuar sot, ishin paraqitur 823 qytetarë, por vetëm 759 kërkesa ishin pranuar.

Ndryshe, procesi zgjedhor në Çair filloi me vonesë, kjo për shkak se ngadalë ecte procedura e verifikimit të materialit zgjedhor nga anëtarë e komisioneve zgjedhore. Aty patën të drejtë vote 22 qytetarë, dhe të gjithë votuan.

KSHZ-ja sot e mbajti konferencën e parë për shtyp pas fillimit të tre ditëve të votimit në zgjedhjet e parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani theksoi se të drejtë të votimit kanë një milion e 814 mijë e 263 qytetarë dhe se në këto tre ditë do të votojnë kategori të ndryshme të qytetarëve. Sot filloi votimi i 706 personave të sëmurë me Kovid-19 dhe në vetizolim, ndërsa nesër votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, numri i të cilëve është 8.852, personat në 13 Institucione ndëshkuese-përmirësuese edhe atë 1.657 dhe gjashtë persona të zhvendosur brenda vendit. Në 17 shtëpi pleqsh, 357 votues do të jenë në gjendje ta realizojnë të drejtën e tyre të votës.

Ministria e punëve të brendshme (MPB) në Maqedoninë e Veriut sot raportoi se qytetarët mund të marrin letërnjoftime edhe më 15 korrik, ditën kur mbahen zgjedhjet parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button