Euro-integrimet, fajtore nuk është Greqia, po vetë politika në vend

Integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian sot më shumë se kurrë është ndërlikuar. Tashmë jo vetëm çështja e emrit është pengesa kryesore e integrimit, por në këtë stagnim ndikojnë edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm siç janë, kriza politike, mungesa e demokracisë, marrëdhëniet ndëretnike dhe të tjerë.

“Sigurisht që nuk është vetëm çështja e emrit tashmë problem i Maqedonisë drejt rrugës për në BE, vendi tashmë ka shumë probleme të rëndësishme që nuk e lejojnë integrimin dhe mund të theksojë këtu situatën politike që mbizotëron kohët e fundit, raportet ndëretnike që janë larg asaj që kërkohet nga BE-ja, gjendja e mediumeve dhe raportet e tyre me qeverinë, Maqedonia po shënon regres në të gjitha pikëpamjet, ne kemi përkeqësim të gjendjes ekonomike duke u bazuar për këtë në treguesit real ekonomik dhe borxhet e Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare”, vlerëson Malinka Jordanova nga Instituti për politikë Evropiane në Shkup.

Sipas Enisa Bajramit nga Instituti për Alternativë Liberale  paqartësitë që mbizotërojnë në opinion në lidhje me kushtet që duhet të plotësojë Maqedonia për integrim në BE janë një strategji e qëllimshme e kësaj qeverie për ti mbuluar dështimet e saj në procesin e reformave që BE-ja i kërkon nga vendi ynë.

“Problemi i emrit me Greqinë  është  ndër problemet kyçe që  Maqedonia ka për momentin, por zgjedhja e këtij problemi absolutisht nuk i garanton Maqedonisë  anëtarësimin në  Bashkimin Evropian . Qeveria e Maqedonisë ka dështuar me  sqarimet e saj tek qytetarët se çka në  fakt domethënë anëtarësimi në  BE dhe cilat janë  kushtet që një  vend duhet ti plotësojë për tu anëtarësuar, siç janë stabiliteti i institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, ekonomia e tregut, aftësia për të përballuar presionin konkurrues brenda Bashkimit Evropian, bashkimi politik, ekonomik dhe monetar si dhe një sërë kushtesh të tjera” thekson Bajrami në prononcimin e saj për Portalb.mk. 

Jordanova dhe Bajrami theksojnë se politikanët e Maqedonisë duhet të vetëdijesohen dhe të përcaktohen të punojnë për interesat e përgjithshme të vendit dhe jo të fokusohen në interesat partiake dhe individuale sepse në këtë mënyrë dëmtojnë dhe ndikojnë negativisht në proceset integruese dhe zhvillimin e përgjithshëm të Maqedonisë. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button