Bota kërkon ujë në mars, banorët e fshatit Pallçisht kanë probleme me ujin e pijshëm

Derisa bota në këtë shekull të teknologjisë po kërkon ujë në planetin mars, në fshatin Pallçisht banorët tash e 11 vite kanë problem me ujin e pijshëm. Nga ndërmarrja e mirëmbajtjes së ujësjellësve deklaruan se rezultatet e analizave tregojnë se uji përmban fekale të kafshëve. Komuna e Bogovinës thotë që projekti është dorëzuar që nga viti 2019 te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve prej të cilëve ende nuk kanë marrë përgjigje, ndërkaq nga Ministria thonë që pas zgjedhjeve duhet të realizohet projekti në fjalë, njofton Portalb.mk.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Ujësjellësin, Nebi Ademi, për Portalb.mk tregoi arsyet se pse uji i pijshëm përmban fekale të kafshëve.

“Sipas normave evropiane, ujërat nuk na dalin të pijshëm për shkak të prezencës të disa baktereve me prejardhje të fekaleve të kafshëve. Problemi qëndron tek ajo se uji që buron nga Mali Sharr, hyn në sistem të fshatit nga një burim i hapur dhe si rezultat i kësaj është e kotë të bëhet edhe klorinimi i ujit sepse përsëri nuk do të ketë rezultat për ujë të pijshëm.” deklaroi Ademi.

Gypat e ujit të pijshëm në fshatin Pallçisht të Poshtëm
Gypat e ujit të pijshëm në fshatin Pallçisht të Poshtëm

Nga ana tjetër, Komuna e Bogovinës e hedh fajin te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e cila, sipas tyre, që nga viti 2019 nuk e ka shqyrtuar projektin e dorëzuar për rregullim të këtij problemi.

“Në vitin 2018 ne si komunë porositëm projektin që e kanë punuar inxhinierë të caktuar ku më pas me datë 15 Mars të vitit 2019 e kemi dorëzuar te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, prej të cilëve ende nuk kemi marrë përgjigje. Pra, vonesat kryesisht janë nga Ministria e transportit sepse ata e bëjnë tenderimin me punë ndërsa ne si komunë aplikojmë”, thonë nga Komuna.

Gypat e ujit të pijshëm në fshatin Pallçisht të Poshtëm
Gypat e ujit të pijshëm në fshatin Pallçisht të Poshtëm

Por, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thotë që “menjëherë” pas zgjedhjeve do ta bëjnë prokurimin publik pë realizimin e këtij tenderi.

“Dëshirojmë t’ju informojmë se për projektin specifik, Banka Evropiane e Investimeve dha miratimin e saj rreth një muaj më parë dhe në këtë periudhë është duke u përgatitur dokumentacioni i tenderit. Ne presim që prokurimi publik për realizimin e këtij projekti të shpallet menjëherë pas zgjedhjeve”, thonë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve

Por, pavarësisht arsyeve dhe premtimeve, banorët e këtij fshati vazhdojnë të përballen me problemin e furnizimit të ujit të pijshëm. Banorët vazhdimisht janë në kërkim të një zgjidhjeje që më herët u kërkua edhe nëpërmjet protestave për çështjen e ujit. Protestat i organizuan banorët që kërkonin mirëmbajtje të sistemit të ujësjellësit nga Komuna, por, një zgjidhje e tillë nuk është gjetur ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button