Dialogu me Serbinë, Thaçi informon Jahjagën

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka zhvilluar një takim me kryeministrin Hashim Thaçi, i cili e informoi për takimin e fundit në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave dhe për marrëveshjet e arritura në parim, të cilat priten të konkretizohen në takimin e radhës më 4 mars.

Në këtë takim, Thaçi u shpreh se është arritur pajtimi që të shpërbëhen strukturat policore dhe të inteligjencës të Serbisë në Kosovë dhe që të transformohen strukturat e tjera, të krijohet asocacioni i komunave ekzistuese me shumicë serbe në Kosovë, dhe që në katër komunat në veri të Kosovës të mbahen zgjedhjet për asambletë komunale dhe për kryetarët e komunave, si dhe të funksionalizohet sistemi i drejtësisë dhe i gjykatave edhe me krijimin e dy gjykatave komunale, të Republikës së Kosovës në Leposaviq dhe në Zveçan.

Ndër të tjera kryeministri Thaçi theksoi se të gjitha zgjidhjet janë në kuadër të respektimit të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës të cilat kanë mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, dhe që janë funksionale dhe të pranueshme nga të gjithë qytetarët.

Nga ana e saj në këtë takim, presidentja Atifete Jahjaga i dha mbështetje të plotë dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë e që po udhëhiqet nga kryeministrat e shteteve.

Ajo theksoi se dialogu është e vetmja mënyrë e suksesshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende fqinje, të pavarura dhe sovrane, dhe se të gjitha marrëveshjet që po arrihen janë sipas standardeve dhe normave më të larta evropiane./ShekulliOnline

Lajme të ngjashme

Back to top button