KShZ mbajti konferencën e parë për media pas fillimit të votimit

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot e mbajti konferencën e parë për shtyp pas fillimit të tre ditëve të votimit në zgjedhjet e parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani theksoi se të drejtë të votimit kanë një milion e 814 mijë e 263 qytetarë dhe se në këto tre ditë do të votojnë kategori të ndryshme të qytetarëve. Sot filloi votimi i 706 personave të sëmurë me Kovid-19 dhe në vetizolim, ndërsa nesër votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, numri i të cilëve është 8.852, personat në 13 Institucione ndëshkuese-përmirësuese edhe atë 1.657 dhe gjashtë persona të zhvendosur brenda vendit. Në 17 shtëpi pleqsh, 357 votues do të jenë në gjendje ta realizojnë të drejtën e tyre të votës, transmeton MIA.

Në këto zgjedhje janë të akredituar 2.508 vëzhgues vendas dhe 96 vëzhgues të huaj, si dhe 56 përkthyes dhe 55 gazetarë të huaj.

Shabani theksoi se konform Udhëzimeve të KSHZ-së, në fletëvotim rrethohet numri rendor i paraqitësit.

“Konform Kodit zgjedhor dhe udhëzimeve të parashtruara nga KSHZ-ja, qytetarët duhet t’i shënojnë fletëvotimet e tyre duke e rrethuar numrin rendor të paraqitësit të listës. Dua të theksoj se duke e plotësuar numrin rendor të parashtruesit të listës, asnjë shenjë tjetër nuk duhet të vendoset në fletëvotim sepse në atë rast, fletëvotimit do të konsiderohet i pavlefshëm”, tha Shabani.

Me qëllim që qytetarët të jenë në gjendje të informojnë KSHZ-në dhe të japin rekomandime të tyre lidhur me procesin e zgjedhjeve, KSHZ-ja do të ketë aktiv numrin falas të telefonit 0800-555-44 ndërsa për komunikim me qytetarët me dëgjim dhe të folur të dëmtuar do të jetë aktiv numri i telefonit 076488360, përmes të cilit këta qytetarë do të mund të komunikojnë me KSHZ-në përmes video-thirrjeve. Për të gjithë qytetarët e tjerë, do të jetë në dispozicion uebfaqja e KSHZ-së, www.sec.mk, si dhe rrjetet sociale Facebook dhe Twitter dhe kanali Youtube

Këto janë zgjedhjet më specifike deri më tani sepse po mbahen me rekomandim të detyrueshëm për zbatim të masave mbrojtëse nga Kovid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button