Qyteti i Shkupit e ndryshoi arsyen për mosfunksionimin e semaforëve në bulevardin “Hristijan Todorovski – Karposh”

Kanë kaluar dy muaj që nga inaugurimi i bulevardit “Hristijan Todorovski – Karposh” në veri të Shkupit, por njëri prej udhëkryqeve vazhdon të jetë pa semaforë. Automjetet, por edhe këmbësorët që lëvizin në këtë aks rrugor, janë të rrezikuar. Qyteti i Shkupit më herët u arsyetua se EVN-ja duhet që të njëjtat t’i vë në funksion pasi të vendosë njehsorë, ndërkaq tani thotë se nuk janë funksionale rrugët anësore, por Portalb.mk ishte në terren dhe pa që në këto rrugë lëvizin makinat.

Qyteti i Shkupit e ndryshoi arsyen për mosvënien në funksion të semaforëve në bulevardin “Hristijan Todorovski. Fillimisht na thanë që semaforët ende nuk janë lidhur pasi që nuk ka njehsorë dhe se EVN duhet t’i vendos të njëjtat, ndërkaq tani thonë që nuk janë funksionale dy rrugët anësore të këtij udhëkryqi.

“Ende nuk janë funksionale dy rrugët anësore që e lidhin udhëkryqin. Kur të vihen në funksion, do të rregullohen edhe semaforët”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Por, pavarësisht deklaratë së Qytetit të Shkupit, Portalb.mk ishte në terren dhe pa automjete që lëviznin nga të katër rrugët e udhëkryqit, pavarësisht të rrezikut për shkak të mosfunksionimit të semaforëve.

Bulevardi "Hristijan Todorovski - Karposh"
Bulevardi “Hristijan Todorovski – Karposh”

Duke e pasur parasysh që bulevardi është në periferi të Shkupit ku ka numër më të vogël të qarkullimit të automjeteve, nga ajo që kemi vërejtur se rrezik shtesë në këtë rrugë është edhe automjetet që vozisin me shpejtësi të mëdha, duke e shndërruar bulevardin në fjalë në “autostradë”.

Portalb.mk, u bën thirrje autoriteteve për të vënë në funksion semaforët, me qëllim të parandalimit të aksidenteve, por edhe të mbrojtjes së këmbësorëve.

Bulevardi është në pjesën veriore të Shkupit dhe i njëjti e lidh pjesën e Butelit, Radishanit, Lubancit, Lubotenit dhe Çuçer Sandevën.

Bulevardi i ri është i gjerë 40 metra, me gjashtë korsi me nga tre metra e gjysmë. Nga të dyja anët ka rrugica për biçikleta të gjera dy metra e gjysmë, rrugica për këmbësorë nga të dyja anët me sipërfaqe të përzier, hapësirë për gjelbërim të mesëm dhe brez të gjelbër nga të dy anët e bulevardit. Është vendosur kanalizim i ri ujësjellësi, atmosferik dhe fekal dhe ndriçim i ri rrugor prej 140 shtyllave

Derisa Qyteti i Shkupit t’i vë në funksion semaforët në këtë udhëkryq, i njëjti gjithsesi mbetet i rrezikshëm për qytetarët të cilët lëvizin në këtë aks rrugor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button