Tre milionë euro të reja për propagandë partiake në media

Për propagandë politikë në media partitë politike në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen me 15 korrik, do të kenë në dispozicion të shpenzojnë rreth 3.6 milion euro, thonë në Komisionin shtetëror të zgjedhjeve. Ato zbulojnë se vetëm tre partitë e mëdha të pushtetit dhe të opozitës, LSDM, VMRO dhe BDI, për propagandë politike në media gjatë fushatës zgjedhore do të mund të harxhojnë rreth dy milionë euro.

Të gjithë 12 koalicionet dhe partitë tjera pjesëmarrës në zgjedhje, së bashku do të mund të shpenzojnë 360 mijë euro. Për të njëjtin qëllim, koalicioni i Aleancës për shqiptarët dhe Aletrnativa kanë marrë 36 mijë euro.

Prej masës së përgjithshme të  mjeteve të parapara për fushatën mediatike të zgjedhjeve, 3.6 milion euro, e sigurt është se do të kursehen rreth 820 mijë euro, sepse partia e dytë opozitare, Besa e Bilal Kasamit, në zgjedhje nuk merr pjesë vetëm, por në kuadër të koalicionit të LSDM, nën slloganin “Mundemi”.

Në këto zgjedhje partitë e pushtetit dhe opozitës do të kenë dy minuta shtesë më shumë kohë për tu reklamuar në televizion dhe radio. Prej 12 minutave të deritashme për reklamim për një ore program real të emituar për reklamim të paguar politik, koha për reklamim zgjerohet në 14 minuta. Në dekretin e fundit për zgjedhjet, qeveria parashikoi që dy partitë më të mëdha në pushtet dhe dy në opozitë që kanë fituar më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, të ndajnë nga tre minuta kohë për reklamim politik në media. Kjo do të thotë se LSDM dhe BDI do të kenë në dispozicion gjithsej gjashtë minuta për reklamim, derisa partia opozitare VMRO-DPMNE do të ketë tre minuta, sepse Besa, si parti e dytë në opozitë që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet e fundit, merr pjesë në zgjedhje në kuadër të koalicionit me LSDM dhe nuk ka të drejtë t’i përdorë tre minutat e saj për reklamim. Të gjitha partitë tjera pjesëmarrëse në zgjedhje do të kenë  vetëm dy minuta kohë për reklamim në televizion dhe radio.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë të parat kur propagandën politike në media të partive ta paguajnë qytetarët me taksat e tyre. Kjo ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale të vitit 2019 dhe në fushatën për referendumin për emrin të vitit 2018. Për zgjedhjet presidenciale për propagandë në media partitë kanë shpenzuar 3.8 milion euro, ndërsa për fushatë mediatike për referendum janë shpenzuar gati një milionë euro.

Për zgjedhjet e vjetshme presidenciale Komisioni shtetëror i zgjedhjeve informoi se 3.7 milion euro  të paguara për propagandën politike të partive, mbi 80 për qind ose 3 milion euro janë shpenzuar për reklama në pesë televizionet nacionale, katër televizionet kabllore dhe në televizionet më të mëdha rajonale dhe lokale. Pesë televizionet kombëtare kanë marrë rreth 2 milion euro, dhe prej kësaj shume më shumë ka fituar TV “Sitel” – 564 mije euro, “Kanal 5” dhe “Alsat-M” kanë marrë nga 400 mijë euro, “Telma” rreth 200 mijë, ndërsa më pak ka pasur “Alfa” – rreth 150 mijë euro.

Bashkësia e gazetarëve dhe mediave është njëzëri se paratë publike në media janë rrezik i madh për të shtuar ndikimin politik mbi median dhe për lirinë e mediave.

Kryetari i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, (SHGM), Mladen Çadikovski, për portalin “Prizma”, ka deklaruar se kriteret për shpërndarjen e parave për fushata politike në media janë të paqarta.

“Ekziston rreziku që parti të caktuara të favorizojnë media të njëjta dhe në këtë mënyrë të ndikojnë ndaj politikës së tyre editorial edhe në të ardhmen, dhe me këtë të vazhdojë të jetojë klientelizmi mediatik në dëm të qytetarëve”, thotë Çadikovski.

Drejtoresha e Institutit Maqedonas të Mediave (IMM), Biljana Petkovska, është shumë e qartë se reklamimi i paguar politik në media me mjete të buxhetit dhe të taksapaguesve duhet të hiqet.

“Ai është mekanizëm shumë i keq, i cili krijon varësi klienteliste të mediave prej partive, cenon integritetin e mediave dhe shfaq kapacitet të ultë demokratik në shoqëri”, thotë Petkovska.

Sipas saj, nuk duhet të harrohet se çfarë pasojash të rënda ndaj ambientit të përgjithshëm mediatik krijoi reklamimi shtetëror i para disa vitesh. “Pasojat prej tij janë të dukshme dhe sot e kësaj dite dhe fare nuk janë mënjanuar”, përkujton Petkovska.

Edhe drejtoresha e Këshillit të Etikës në Media (KEM), Marina Tuneva, është e një mendje lidhur me efektin negativ të parasë publike ndaj politikës editorial të mediave, e cila shihet edhe nga mënyra e raportimit të mediave për këto zgjedhje parlamentare.

“Është dëshpëruese të shihet se si gjatë kohës së këtij cikli parazgjedhor në vend, disa media “lojalisht” ndjekin dhe në hapësirën e tyre transmetojnë teknika manipulative që i përdorin politikanët për përshkallëzimin e përçarjes, paragjykimeve dhe mosbesimit në shoqëri”, vlerëson Tuneva.

Ajo thotë se mediat harruan se pa marrë parasysh rrethanat socio-politike në shoqëri, përgjegjësia parësore e mediave duhet të jetë, para së gjithash, e orientuar në shërbim të qytetarëve.

“Shumë prej mediave u distancuan prej rolit të tyre të raportojnë të përgatitur për fushatën, të analizojnë programet e partive dhe të kandidatëve, të ofrojnë pikëpamje të ndryshme prej më shumë burimeve, e jo vetëm qëndrime të partive politike.  Qërimi i hesapeve për çdo ditë mes partive në mënyrë “komode” gjetën rrugën edhe në raportimin e mediave. Një indikator i fuqishëm se si dinë partitë të keqpërdorin mjetet e taksapaguesve të investuara në media në formën e reklamimit politik të partive”, thekson Tuneva.

Sipas saj, mediat duhet patjetër të ndihmojnë për të parandaluar dezinformatat e pakontrolluara dhe të përballen me përpjekjet për të mashtruar zgjedhjet në çfarëdo qoftë mënyre.

Edhe ministri për shoqëri informative dhe administratë, Damjan Mançevski, është i vetëdijshëm se kjo zgjidhje ligjore ndikon negativisht ndaj lirisë së mediave, mirëpo për këtë fajëson partinë opozitare VMRO-DPMNE, e cila në vitin 2018 kishte këmbëngulur që propaganda politike e partive në media gjatë fushatës zgjedhore të financohet nga buxheti i shtetit, ndryshe, nuk do të votonte formimin e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve para referendumit për emrin. Mançevski në deklarata për media ka paralajmëruar se pas zgjedhjeve mendojnë të braktisin këtë model, që fushatat mediatike të partive të financohen drejtpërdrejt prej buxhetit.

Autor: Naser Selmani

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button