Hoti: Normalizimi i marrëdhënieve, vetëm pas njohjes reciproke

Në një konferencë për media te dielën pasdite, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përsëriti se dialogu nuk ka alternativë dhe se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen çështjet me Serbinë.

“Ne në këtë proces hyjmë për vetëm një qëllim e që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, tha Hoti.

Ai konfirmoi arritjen e pajtueshmërisë në parim që më 16 korrik të zhvillohet takimi i parë ne Bruksel.

“Jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve e cila vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve”, shtoi Hoti, transmeton REL.

Sipas tij, marrëveshja finale duhet të përfshi njohjen reciproke, adresimin e çështjes të së pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimi i marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve, lidhjet infrastrukturore.

“Këto janë tema që do të jenë pjesë e procesit të dialogut nga e enjtja e tutje”, tha Hoti.

Hoti tha se ne Bruksel ai do të përfaqësojë shtetin e Kosovës si kryeministër, dhe bashkë me të do të jetë edhe delegacioni shtetërorë i cili përfaqëson koalicionin qeverisës, duke shtuar se gjithashtu është “shtrirë dora tek opozita që të jetë pjesë e këtij procesi”.

Dialogu Prishtinë – Beograd, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u zhvillua të dielën në Bruksel përmes një video-konference.

Takimi i së dielës është dashur të zhvillohej në Bruksel me praninë fizike të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, ky takim është shtyrë për datën 16 korrik në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button