RMV, zgjedhjet 2020: Matematika zgjedhore

Në këtë analizë po jap këndvështrimin tim për atë se si duket pasqyra zgjedhore para zgjedhjeve parlamentare 2020. Kryesisht jam bazuar te baza nga e cila fillojnë partitë, koalicionet e formuara, lëvizjet e fundit politike, zhvillimit të fushatës dhe diçka më pak te anketat.

Në analizë do të trajtoj vetëm raportet ndërmjet koalicionit Aleanca për Shqiptarët me Alternativën (koalicioni AA) dhe BDI. Lëvizjen Besa e kam lënë jashtë nga kjo analizë, sepse ajo është në koalicon me SDSM-në dhe aty shumëçka do të varet nga vota e komunitetit maqedonas. Me siguri mund vetëm të themi se Besa i ka katër deputetë të sigurtë, që nuk bëhen tre dhe është tejet e vështirë të bëhen pesë. Poashtu PDSH-në do t’a trajtoj vetëm në zonën 6, sepse mendoj se votat e saj në zonat 1,2 dhe 5 do të digjen.

Anketat. Në analizë jam bazuar shumë pak tek anketat, sepse ato kanë qenë shumë tendencioze qysh nga zgjedhjet e vitit 2016 e këndej. Zatën e gjithë industria e anketimeve ra poshtë në zgjedhjet para një jave në Kroaci ku anketat i jepnin përparësi koalicionit socialdemokrat, ndërsa fituese absolute doli HDZ me rezultat 66-41. Duket se anketat më tepër shërbejnë për qëllime propagandistike të partive se për matje reale të opinionit. Sidoqoftë kam bërë një simulim të rezultateve sipas mesatares të të gjitha anketave nga muaji i fundit, ku del se SDSM i merr 49 deputetë, VMRO 47, BDI 13 dhe Aleanca 11. Por në këtë mesatare janë futur edhe prognoza qesharake si ajo e Brima që nxjerr 20 deputetë për BDI dhe 40 deputetë shqiptarë total, prandaj ky simulim duhet të merret me shumë rezervë. Andaj në parashikimet e mia e kam patur patjetër të mbështetem edhe te parametra tjerë.

Zona 1. Në zgjedhjet e fundit në këtë zonë BDI ka patur 12.900 vota, Besa 11.600, Aleanca 3.800 dhe PDSH 4.800 vota. Nga një mandat morrën BDI dhe Besa. Për dy mandate duheshin 18.000 vota, që do të thotë se të dy subjektet ishin tejet larg deputetit të dytë.

Shtyllat kryesore shqiptare në këtë zonë janë Saraji, Studeniçani dhe Çairi, me komunitete shumë të vogla në komunat tjera. Realisht BDI ka përparësi në Saraj, ndërsa koalicioni AA mund të mbulojë dallimin në Studeniçan. Përcaktues mund të jetë Çairi ku gara duket tejet e barabartë.

Realisht rezultati më i mundshëm këtu është 1-1. Me dalje më të vogël pragu për dy deputetë mund të ulet nën 16.000, por është vështirë të shihet se si mund të arrijnë këtë prag të dy blloqet, sidomos duke marrë parasysh prezencën e Besës dhe strukturave lokale shqiptare të SDSM në këtë rajon. Rol vendimtar këtu mund të luajnë votuesit e PDSH në Studeniçan, votat e të cilëve do të digjen nëse nuk shkojnë për parti tjera. Megjithatë nuk dihet se në cilën anë mund të shkojnë këta votues nëse kanë ndryshuar mendjen nga viti 2016.

Zona 2. Në zgjedhjet e fundit në këtë zonë BDI ka patur 16.800 vota, Besa 16.100, Aleanca 6.100 dhe PDSH 5.900 vota. Megjithë dallimin shumë të vogël rezultati ka dalur 2-1 për BDI, gjegjësisht Besës i munguan vetëm rreth 250 vota për të marrur deputetin e dytë, sepse për dy deputetë duheshin rreth 16.350 vota.

Bastion i BDI në këtë zonë është Likova, ku ajo pret të bëjë dallimin nga koalicioni AA. Mirëpo ky dallim menjëherë mund të mbulohet nga bastioni i koalicionit AA në Kumanovë. Më tutje duket se ka ndodhur kthesë e madhe në Haraçinë ku koalicioni AA duket se është në epërsi, ndërsa po e njëjta vlen edhe për Hasanbegun nga ku vjen edhe kryetari i Alternativës. Duke patur parasysh se në Çair gara duket e barabartë, nuk duket se ka vend tjetër ku BDI mund të mbulojë rezultatin, sidomos kur kihet parasysh se struktura jo të pakta të PDSH kanë kaluar në anën e koalicionit.

Në përgjithësi duket se koalicioni AA këtu është në epërsi dhe pa problem do të sigurojë votat për deputet të dytë. BDI ka të sigurtë deputetin e parë, por do duhet të luftojë për të siguruar të dytin, sidomos nëse dalja te maqedonasit vazhdon të jetë e madhe. Në rastin e kundërt, me dalje të madhe te shqiptarët dhe më të vogël te maqedonasit BDI e siguron pa problem të dytin, por njëkohësisht koalicioni AA mund të atakojë për të tretin.

Me gjithë epërsinë e koalicionit AA, rezultati më i mundshëm në këtë zonë duket 2-2.

Zona 5. Në vitin 2016 BDI në këtë zonë ka patur 13.980 vota, Aleanca 7.350, Besa 5.160 dhe PDSH 3.430 vota. Rezultati doli 1-1, ndërsa për dy deputetë duheshin 14.700 vota. Duhet patur parasysh se në këtë zonë tani është shtuar edhe gjysma tjetër e Dibrës, që në zgjedhjet e kaluara ishte te zona 6, si dhe komuna e Rostushes.

Që në fillim mund të themi se të dy blloqet e kanë nga një deputet të sigurtë. Më tutje për të nxjerrur deputetin e dytë strategjitë e BDI dhe bllokut AA këtu janë diametralisht të kundërta, duke gjykuar nga listat e kandidatëve.

Blloku AA është koncentruar fuqimisht në pjesën shqiptare, duke patur si bartës kandidatë nga Struga, Kërçova dhe Dibra. Rruga drejt deputetit të dytë për këtë bllok është maksimalizimi i fitores në Strugë, një fitore çfarëdofare në Dibër dhe ngushtimi i rezultatit në Kërçovë, ku BDI nuk ka kandidat. Për të patur shanse për të dytin më tutje do ti duhet t’i ketë marrur votuesit e PDSH në Dollnen dhe të ketë vota solide, por jo domosdoshmërisht fitore, në Manastir, Ohër, Krushevë dhe Resnjë.

Ndërkaq rruga drejt deputetit të dytë për BDI kalon përmes komunitetit torbesh, duke qenë se i dyti në listën e saj është kryetari i Plasnicës Ismail Jahoski, ndërsa ka anashkaluar totalisht Strugën dhe Kër[ovën. Në trekëndëshin Strugë-Kërçovë-Dibër pritet që BDI të jetë në disavantazh, por ajo pret të mbulojë këtë rezultat me votat e Plasnicës, Rostushes dhe Qendrës Zhupë. Nëse arrin këtë ajo ka gjasa reale për të dytin, duke qenë se ka përparësi edhe në komunitetet më të vogla shqiptare. Por pengesë mund t’i bëhet fakti që disa struktura të saj nga Resnja e Krusheva tanimë kanë kaluar te lëvizja Besa, si dhe fakti që konkurent serioz për votat e torbeshëve do t’a ketë edhe SDSM-në.

Rezultati më real këtu është përsëri 1-1. Gjithçka do të varet nga dalja në zgjedhje. Me mobilizim të madh të shqiptarëve në Strugë, Kërçovë dhe Dibër fitues mund të dalë blloku AA, por me dalje më të madhe në komuna si Plasnica, fitoren mund t’a korrë BDI. Sidoqoftë detyra është e rëndë për të dy blloqet.

Zona 6. Pa zonën gjashtë si duket të dy blloqet janë sado kudo të barabarta dhe prandaj përsëri pritet që kjo zonë të jetë vendimtare. Në vitin 2016 BDI këtu ka patur 40.550 vota, Besa 25.000, Aleanca 17.950 dhe PDSH 16.160 vota. Duhet cekur se Besës i mungonin vetëm rreth 1.000 vota për të fituar katër mandate, ndërsa BDI për po aq vota ka siguruar të gjashtin.

Mirëpo në këtë zonë BDI veçmë është në disavantazh, sepse Aleanca këtu qeveris në tre komuna, BDI në dy dhe Besa në një. Nga trendet e mëparshme pritet që BDI të jetë dobësuar aty ku ka humbur komunat dhe opozita të jetë forcuar, e kjo jep një pasqyrë si më poshtë.

Që në fillim BDI do të ketë një avantazh nga rajoni i Zajasit dhe Osllomesë, por blloku AA menjëherë do të neutralizojë këtë me Gostivarin. Më tutje pritet që ai të krijojë avantazh në Bogovinë, Vrapçisht dhe Bërvenicë (ku kryetari është i pavarur, por Aleanca doli e para me vota për këshilltarë). Përpara se të futet në Tetovë, këtë diferencë BDI duhet t’a mbulojë me Zhelinën dhe Tearcën. Mirëpo megjithëse pritet të jetë përpara në Tearcë, BDI nuk është më ajo që ka qenë në Zhelinë. Fitimtare këtu do të dalë Besa, që e qeverisë edhe komunën, ndërsa pa kryetarin e komunës BDI nuk ka figurë tjetër nga kjo komunë, ndërkohë që Aleanca i ka dhënë peshë rajonit me kandidaten e tretë në listë. Nëse BDI nuk arrin të bëjë dallim të dukshëm në Zhelinë, atëherë ajo do futet në Tetovë nga prapa, gjë që është sinjal i keq për të.

Përfundimisht fati i zonës 6 dhe i gjithë zgjedhjeve do të vendoset në Tetovë, ndërkohë që kjo komunë shpesh ka ditur të befasojë. Problem i BDI-së këtu është që disponimi në Tetovë është thellësisht opozitar (ajo ka fituar 10.800 nga 30.000 vota shqiptare në 2016, ndërsa në 2017 me shumë vështirësi fitoi komunën, e me këshilltarë pati 10.700 nga 26.500 vota shqiptare). Ndërkohë problemi i opozitës ka qenë se këtu vota kanë marrur të gjitha partitë. Për atë rezultati i bllokut AA do të varet nga ajo se sa vota do t’i shkojnë koalicionit Besa-SDSM dhe sa PDSH-së. Në përgjithësi BDI-së i duhet një fitore bindëse në Tetovë, por nuk duket se ka disponim për këtë, madje fitues lehtë mund të dalë koalicioni AA. Për këtë shkak duket se avantazhin në zonën 6 e ka koalicioni AA.

Në këtë zonë gjasat e fundit për deputet i ka PDSH. Për të nxjerrur deputet asaj do t’i duhen minimum 3.000 vota në Tetovë dhe nja 1.000 në Tearcë, sepse në komunat tjera nuk mund të pretendojë më tepër se nga 500 vota në secilën. Duket se PDSH në këtë zonë për pak do të nxjerrë ose për pak do të humbë një deputet. Ndërsa nëse votat e PDSH kalojnë në anën e bllokut AA, atëherë fitorja e bllokut mund të jetë më e thellë.

Rezultati më i mundshëm duket se është 6-5 për koalicionin AA, por edhe këtu gjithçka do të varet nga dalja në zgjedhje. Në Pollog disponimi shpesh ka qenë opozitar dhe kjo është bërë edhe më e theksuar vitet e fundit. Nëse dalja në zgjedhje është e madhe ose normale padyshim fitore do të korrë AA, ndërsa mund të ndodhë që për shkak të daljes më të ulët rezultati të jetë baraz ose surprizë me fitore të bëjë BDI. Natyrisht duhet marrur parasysh edhe daljen e votuesve maqedonas dhe votat për Besën e PDSH, që do të determinojnë edhe numrin total të deputetëve të BDI dhe AA.

Total. Krijimi i një pasqyre të saktë për këto zgjedhje është gjëja më e vështirë që më është dashur të bëj qëkur përcjell zgjedhjet parlamentare. Gara është tejet e ngushtë, ndërkohë që akoma ka shumë të panjohura. Situata është tejet më komplekse për shkak të situatës me Covid19, por nuk dijmë se si do të ndikojë kjo në dalje. Përfundimisht do të thoja që rezultati, njëlloj si gara, do të jetë i ngushtë, me përparësi +1 për ndonjërin bllok, ose me rezultat të barabartë. Shprehur me gjuhë probabiliteti mendoj se gjasat për fitore të bllokut AA janë 50%, gjasat për barazim 25% dhe gjasat për fitore të BDI 25%.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button