Irani: Rrëzimi i avionit ukrainas “gabim njerëzor”

Irani njoftoi se rrëzimi i avionit të udhëtarëve të “Ukraine Airlines” me 2 raketa të Gardës Revolucionare në janar u shkaktua nga gabimi njerëzor për shkak të “problemit të komunikimit dhe negzlizhencës në detyrë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së lajmeve Asriran në një raport të publikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Iranit thuhet se “Pas ndryshimit të vendit të sistemit të mbrojtjes, avioni i udhëtarëve është perceptuar si armik për shkak se është neglizhuar kryerja e përcaktimit ‘drejtimi veri’ në sistem”.

Në raportin në fjalë thuhet se mungesa e komunikimit në kohë ndërmjet punonjësve të sistemit të mbrojtjes dhe qendrës së koordinimit shkaktoi vonesë në transmetimin e informacionit në lidhje me lejen e fluturimit të avionit dhe kjo situatë bëri që avioni të klasifikohej gabim dhe të vendosej në objektiv.

“Butoni u shtyp pa marrë urdhrin qëllo”, thuhet ndër të tjera në raportin ku vihet në dukje se ngjarja është shkaktuar nga gabimi njerëzor.

– Irani pranoi se avioni ishte qëlluar “gabimisht” me raketë

Avioni Boeing 737 i pasagjerëve të linjës ajrore të Ukrainës u rrëzua më 8 janar menjëherë pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar “Imam Khomeini” i Teheranit, në drejtim të Kievit. Si pasojë humbën jetën 176 personat që ndodheshin në bord.

Qeveria e Teheranit fillimisht refuzoi pretendimet se avioni ishte goditur nga ushtria e Iranit, por 3 ditë pas ngjarjes Shtabi i Përgjithshëm i Iranit pranoi se avioni i udhëtarëve ishte perceptuar si raketë “Cruise” dhe se ishte goditur “gabimisht” me raketa të rrezes së shkurtër.

Në avion ndodheshin 82 shtetas nga Irani, 63 nga Kanadaja, 11 nga Ukraina, 10 nga Zvicra, 4 Afganistani, 3 nga Gjermania dhe 3 nga Britania e Madhe.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif në një deklaratë muajin e kaluar tha se kutia e zezë e avionit të rrëzuar të “Ukraine Airlines” do të dërgohet në Francë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button