fbpx

(Intervistë) Veton Gashi: Trojet shqiptare, arti vlerësohet diametralisht ndryshe

Veton Gashi është aktor nga Kosova, i cili aktualisht vepron në Shkup, në serialin ‘N ‘han te na’, dhe karriera po i ecën mjaftë mirë. Vetoni është vetëm 26 vjeçar, ndërsa është ndër aktorët e rrallë shqiptar të rinj që kanë arritur të shkelin edhe skenën e spektaklit të madh shqiptar ‘Portokalli’.

Intervistoi: Aida Xhoni

PORTALB: Të njihemi pak më shumë, kush është Vetoni Gashi, ku u lind, ku jeton, ku mbaroi fakultetin e aktrimit?

Veton Gashi: Unë kam lindur në Pejë, ku edhe jetoj. Në Pejë e kam përfunduar shkollën fillore dhe të mesme e kam përfunduar në shkollën e arteve aplikative “Odhiese Paskali” dega aktrim, si dhe studimet i kam përfunduar në Prishtinë, në fakultetin e arteve po ashtu dega aktrim.

PORTALB: Kur lindi pasioni i aktrimit?

Veton Gashi: Qysh si fëmije kur shihja ndonjë film menjëherë shkoja në banjë dhe para pasqyrës i interpretoja rolet të cilat i shihja në film, dhe gjithmonë kisha bindjen që unë do ta beja më mirë se X-aktori qe e shihja, dhe kjo dëshirë dhe ambicie vazhdoi, dhe kështu u hap dega e aktrimit ne Pejë, dhe vendosa qe ta ndjek ëndrrën time.

PORTALB: A jeni frymëzuar nga ndonjë aktor? 

Veton Gashi: Sigurisht që po, si fëmijë i kam pasur idhujt e mi si Bruce Lee, Jeckie Chan, Chak Noris etj… dhe mund të them se kisha ëndërr që të bëhem sikur ta, mirëpo më vonë kur fillova ta kuptoj aktrimin e mirëfilltë, pastaj fillova te inspirohem nga aktoret që unë i kam të preferuar, si Kevin Becon, Mel Gibson, Rusell Crow, etj… etj….

PORTALB: Çfarë lloj personazhesh kanë qenë preferencat tuaja për të luajtur? Cila ka qenë personazhi juaj i parë?

Veton Gashi: Gjithmonë e kam dashur dramën, dhe edhe sot preferoj të luaj në dramë, sepse drama është një sfidë ku secili aktor dëshiron ta provoj vetën, drama është ekspresion i brendshëm, për dallim nga komedia ose tragjedia, ku mund të luash edhe me pjesën e jashtme, si me gjeste dhe me emocione te ekzagjeruara, ndërsa në dramë duhet të flasin sytë, dhe përmes syve të kuptohet emocioni i brendshëm. Personazhi i parë i imi ka qenë në komedi, dhe Komedia më ka ndjek më shumë sesa zhanret tjera.

PORTALB: A e mbani mend paraqitjen tuaj të parë në skenë, mund të na e përshkruani atë emocion?

Veton Gashi: Emocionin e parë nuk mund ta përshkruaj me fjalë, vetëm nëse ju ka ndodh ndonjëherë te ju hyj lepuri ose fluturat në bark, atëherë ajo ndjenjë është. Ka qenë komedi e cila është pritur shumë shumë e mirë, dhe ku biletat janë shitur me javë më herët. Me atë shfaqje jam bërë i njohur në qytetin tim, sepse mendoj që se ka lënë kush pa e pa.

PORTALB: Ju keni jetuar, dhe interpretuar role në Kosovë, Shqipëri, por gjithashtu aktualisht interpretoni edhe në Maqedoni. Ç ’mund të na thoni për ndryshimin mes këtyre eksperiencave?

Veton Gashi: Po kam pas fatin që të punoj në këtë trekëndëshin Kosovë-Shqipëri – Maqedoni, këto si vende janë shumë afër, mirëpo sa i përket vlerësimit të artit shumë larg njëra tjetrës, në Kosovë njerëzit e artit nuk vlerësohen shumë, për shembull, në Kosovë pastruesi (me gjithë respektin ndaj tyre) merr dorëza dhe të thotë ty si artist “hej mos kalo këndej a s’po e sheh që e kom la  dyshemenë a” gjë që nuk bën të ndodh asnjëherë. Dhe me këtë shembull mund të shihet sa vlerësohet një aktor në Kosovë.

Në Shqipëri kam pasur fatin të jem në spektaklin më të popullarizuar “Portokalli” aty çdo ditë e më tepër e kam parë se çka është profesionalizmi dhe se çka është respekti ndaj aktorit, duke filluar nga portieri, e deri tek drejtorët, ti je vlerësuar për punën që e bën, dhe e ke pasur  respektin si aktor, jo si njeri por si aktor. Kjo ndjenjë mendoj që të jep motiv për punë me tepër, dhe në rrugë, në lokale, në restorante ti gjithmonë ki qene i respektuar dhe i nderuar nga të tjerët, thjeshtë në Shqipëri ndjehesh artist.

Tani jam në Maqedoni, edhe këtu jam shumë i kënaqur, kam kolegët me të cilët punoj të mrekullueshëm, kemi një kolegjialitet shumë të mire, dhe edhe ne Maqedoni ndjehem artist, sepse respektohem shumë nga qytetaret, dhe kjo më bën vërtet të ndjehem mirë.

PORTALB: Në cilin nga këto tre vende është më e lakmueshme ose më e mirë pozita e aktorit shqiptar. Mendoni se vlerësohet sa duhet ky profesion?

Veton Gashi: Nëse do ti rendis me numra atëherë 1 është Shqipëria, 2 Maqedonia, dhe 6 Kosova. (Heheh…qeshet)

Në Kosovë të merresh me art është shumë e vështire, në Kosovë është shume vështir të merresh me art, dhe patjetër duhet të kesh dhe një profesion të dytë qe t’ia dalësh.

PORTALB: Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj?

Vetoni Gashi: Në profesionin tonë më pëlqen kur pranoj një rol dhe peripitetit që i kaloj gjatë ndërtimit të atij rolit. Ndërsa nuk më pëlqen kur nuk vlerësohem për punën që e bëjmë.

PORTALB: Pretendimet e të ardhmes?

Veton Gashi: Holliwoodi,(ehehe) jo shaka, mirëpo s’mund të them që nuk kam pretendime kaq të mëdha, unë asnjëherë nuk mendoj se ku do jem nesër, por çka të bëj sot, që të më shpërblehet nesër.

PORTALB: Çfarë lloj filmash preferoni?


Veton Gashi: Me pëlqejnë filmat qe shtjellojnë dramë familjare, por më pëlqejnë edhe filmat historik, dhe filmat që nuk kanë epilog të qartë me pëlqejnë, qe me shtyjnë ta mendoj vet epilogun.

PORTALB:: Si e paramendoni vetën pas 10 vitesh?

Veton Gashi: Pas 10 vitesh?? Hmm… shkove pak larg, sepse e thash më lart nuk mendoj shumë për të ardhmen, se di, ndoshta i martuar dhe me disa fëmije, (hehe…) dhe i angazhuar në ndonjë projekt të madh filmi.

PORTALB: Hobi dhe pasioni juaj?

Veton Gashi: Si hobi mund të them e kam shkrimin, shkruaj ndonjëherë ndërsa pasion e kam kalërimin.

PORTALB: Mesazhi juaj për lexuesit…

Veton Gashi: Të gjithë jemi njerëz të barabartë, si aktori, si mekaniku, si zdrukthëtari, si mjeku, asnjeri nga ne nuk është më i privilegjuar në natyrë, as më pak i privilegjuar, andaj ta respektojmë dhe ta vlerësojmë njëri tjetrin për punën që e bën, dhe si e bën…Ju faleminderit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button