Rrogëtari i prinë bajraktarit

(“Mos o Zot, kurrë më kështu”!)

Bajraku ishte njësi territoriale-administrative dhe ekonomiko-shoqërore e vetëqeverisur sipas të drejtës zakonore apo Kanunit. Bajraku apo fisi përmblidhte një numër shtëpish të shpërndara në disa fshatra. Fisi kishte territorin e tij me kufij të caktuar në vrri dhe në bjeshkë.

Bajraktari ishte i pari i  fisit klasik  (me 200, 300, 500 apo 1000 shtëpi). Ai ishteiI pari në mesin e të barabartëve. Dmth. kur bëhej tubimi i fisit, nga një burrë për çdo shtëpi, bajraktari kishte vetëm një votë si do ta kishte secili pjesëmarrës. Posti i bajraktarit trashëgohej nga vëllau i madh.

Në raste kur sulmoheshin nga pushtues të hueja ,bajraktari duhej të qitte kushtrimin dhe vet i printe fisit me flamur n’dorë drejtë betejesë në mbrojtje të fisit.

Ai ndiqte zbatimin e vendimeve dhe të rregullave të vetëqeverisjes. Dhe kur dikush i shkelte ato, thërriste krentë e fisit për ta gjobitur fajtorin, djegur shtëpinë e deri në dëbimin 3 – 5 vjet apo përgjithmonë.

Bajraktari i printe fisit në raste festash, dasmash, gjamësh (mortesh), etj. Ai ulej në krye të vendit në odat e pritjes, në sofër apo tryezën e parë, etj. Por, qëllimi i këtij tregimi nuk është të flasë për bajraktarin as për funksionet e tij. Do të flasim për diçka tjetër.

Tregohej se diku në Malësinë e Mdadhe bajraktari ishte nga njjë shtëpi e madhe dhe ndër më të pasurat e fisit ku jetonte dhe drejtonte. Për ti sherbyer ai kishte “punësuar”
një burrë që në gjuhën popullore quhej ”rrogtar”. Ky shërbente nga mëngjesi deri në darkë. Bënte të gjitha detyrat që i kishin caktuar, pa iu dëgjuar zëri. Lante e pastronte enët e kuzhinës, dhomat e shtëpisë, odën e burrave, avlinë dhe oborrin. Punonte bashçen dhe kopshtin. Ushqente kafshët e punës: kalin, mushken e gomarin. Kujdesej për pulat, rosat, qentë dhe derrat. Bluente në mulli misrin e grurin, shkonte në qytet ose në dugaja për pazare, shoqëruar burrin e shtëpisë dhe ngarkuar kafshën me gjërat qo do të shitnin dhe ato që do të blenin. Nga ndonjëherë shoqëronte bajraktarin në tubime, në festa ose në udhëtime të ndryshme, për t’i shërbyer nga afër, et.

Rrogtari jetonte gjithnjë në shtëpinë e pronarit dhe thuajse konsiderohej si antar familje. Megjithatë, ai qëndrone i strukur, i veçuar dhe kokulur, duke iu bindur jo vetëm burrave të shtëpisë, por edhe grave dhe fëmijëve.

Bajraktari i Malësisë e kishte kuptuar se rrogatari i tij jo vetëm se ishte mjaft punëtor, i sjellshëm, i ndershëm, por dhe shumë i zgjuar. Prandaj filloi ta trajtonte disi ndryshe këtë njeri. E ftonte për kafe dhe bisedonte lirshëm me rrogtarin. E vinte në sofër me burra edhe në ndonjë rast edhe kur i shkonin miq. Qellonte kur kishte ndonjë problem për ta zgidhur në fisin e tij apo në ndonjë fis tjetër dhe i duhej të pleqëronte, bajraktari do t’ia tregonte shërbtorit dhe t’i kërkonte mendimin për rrugëzgjidhje.

  • Po pse më pyet mue more zotni? Unë di me ba ato punet që i kam. Me pleqnue je ti zotni, do të thonte një ditë i skuqur rrogtari.
  • Leri ato, po, ma thuaj mendimin tand shkoqur për gjidhjen e asaj ngatërrese. Ti pse punon tek ne, nuk do të thotë se je budall, bile ti je taman i mençem,- do ta “qortojë” i pari i fisit.

Një ditë bajraktarit i shkoi lajmtari nga një fis tjetër, rreth 4 orë larg. Ai e gjeti të zotin e shtëisë jashtë në oborr ulur këmbëkryq mbi një lëkurë ogiçi duke prirë duhan. Ndonëse e luti të hynte në shtëpi për të pushuar apo të rrinte për dreke, djali nuk pranoi. Mikpritësi thirri rrogtarin dhe porositi t’u sjellte dy kafe. Djali, i lodhur nga rruga e bërë, e njoftoi për vdekjen e një burri të atij fisi, nga shtëpia më e zëshme në fashtin X, dhe se varrimi do bëhej të nesërmen pasdite.

Kur bajraktari e pyeti për shkakun e vdekjes, u tmerrua nga përgjigja që mori: se burrin 35-37 vjeç e kishte vra vet i zoti  i shtëpisë!  Aq më shumë se me vrastarin ai njihej prej vitesh dhe kishe konsideratë të lartë jo vetëm ai, por mbarë fisi për te.

Bajraktari, sa u nda me djalin që i solli lajmin mortor, thirri korrierin  dhe e porositi për të njoftur sipas zakonit “me qitje zani”, jo vetëm fshatin e tij, por edhe fshatrat e jera në tërë fisin.

Për vdekjen tragjike, tejkriminale, të padëgjuar më parë, bajraktari nuk i tregoi as njeriut. Por  ky krim, kjo vrasje e pakuptimt brenda një shtëpie të madhe e shokoi vërtetë. Ai u mbyll në vetvete, ndjente dhembje koke, lodhje, nuk hengri darkë atë natë. Vetëm piu dy kafe sade (pa sheqer). U shtri më vonë se zakonisht, jo në dhomën e tij që i lutej gruaja, por në odën e burrave mbasi i shtroi e shoqja thuajse me lot në sy. Ajo trembej ta linte vetëm duke e ditur se nuk qe mirë. Nga sikleti ai nuk fjeti asnjë orë gjumë  gjatë tërë natës. E mundonte fakti se ishte i detyruar jo vetëm të shkonte në gjamë, në krye të burrave të fshatit e të fisit, por edhe se nuk gjente dot fjalën  ngushëlluese kur të takonte burrat e victimës. Dhe pastaj atë fjalë ngushëlluese do ta përsëritnin 40, 60 apo 80 burra që vinin mbas tij. “Ju shndosh” – ishte ngushëllim i zakonshëm, po kjo nuk ishte vdekje e zakonshme. “Paçi  baftin” (fatin), ata ishin vet fatzitë. “Zoti ju forcoftë” ishte një mënyrë tjetër ngushëlluese, por ata ishin aq “të fortë” sa e kishin vra vet me dorën e tyre, etj.

Pak përpara se të ngrihej nga dysheku, mendoi ta marrin rrogtarin me vete, duke pasur besim se ai mund ta nxirrte nga situata. U ngrit, doli dhe pasi bëri shërbimet e tij personale, thirri rrogtarin, bëri dy kafe, një për veti dhe tjetrën ia vuri përpara shërbtorit. Duke pirë duhan dhe rrufitur kafen, i thotë atij që të bëhej gati se duhej ta shoqërone zotnin atë ditë për te gjama e rëndë.

  • Të lutem zotni, mos keshni me mue! Pse të shkoj unë atje ku nuk njoh njeri as nuk me njeh kërkush, – shprehu mospëlqimin burri që shërbente ne atë shtëpi.
  • Mos e zgjat, ti je atje ku të them  unë dhe sot do më shoqnosh mue. Ti do hipsh në mushkë dhe do jesh ngjitur pas kalit tem, urdhëroi bajraktari.
  • -Po unë nuk kam rrobe për t’shkua në pamje me Ty dhe m’vjen marre prej teje, o zotni, u ankua punonjësi i shërbimit.
  • – Atë problem ta zgjidhi unë, tha i zoti i shtëpisë dhe thirri gruan. E porositi t’i sjellte rrobat e veta që i kishte rezervë. Ata kishin thuajse të njëjtin fizik.

Kur rrogtari u la, u rrua dhe veshi sipër të brendshmeve kemishë, tirqë, xhamadan,shall e shokë,vuri kapuçin e bardhë mbi kokë, dukej aq, në mos më i pashëm se vet bajraktari.

Në “Kodrën e Thepit”, ku do të prisnin njeri-tjetrin burrat e dy fshatrave, ishte pëshpëritur se victimën e kishte vra vet i zoti i shtëpisë. Në orën e caktuar bajrktari i pari dhe rrogtari i  dyti, në krye të 60 burrave u nisën për të shkuar në pamje dhe në varrimin e njeriut të vrarë. Mbas katër orësh arritën tek shtëpia e gjamës së rëndë. Dikush ua morën kuajt e mushkat. Bajraktari mbante alltinë dhjetëshe në shokë, kurse pushkën ia jep rrogtarit dhe i thotë që të ecte ngjitur pas tij.

Në kohën kur iu afruan njerëzve të rrjeshtuar për t’i pritur në krye të cilëve qëndrone vrastari, bajraktari gati në befasi e kapi rrogtarin përkrahu dhe e nxorri përpara. Ai nuk pati rrugë tjetër vçse t’i shtrijë dorën të zotit të gjamës dhe të shprehej:

“Mos o Zot, kurrë më kështu”!

Me këtë shprehje ngushëlloi jo vetëm (edhe) bajraktari, por terë karvani prej mbi 60 burrave.

(Tregim i nxjerrë nga libri me tregime i Pal Neçajt: “Vdekja e bosit”).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button