“Bombat” vepër penale, ilegalisht në media, mediat nuk marrin qëndrime nga palët e involvuara

Burimi: KriThink

Publikimi i disa incizimeve, ku thuhet se gjoja lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka fyer shqiptarët, ka krijuar teori të ndryshme në media dhe më pas edhe në publik. E tillë është edhe teksti që do ta recensojmë, ku pretendon të krijojë përshtypjen në publik se pas deklaratave të Zaevit s’ka mbetur pikë gjaku shqiptari te lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami që është në koalicion me LSDM-në.

Nga Fatbardha Curri

“Pas ofendimeve që ju bëri shqiptarëve Zaev, a i ka mbet një pik gjak shqiptari Bilall Kasamit?”, thuhet në titullin e artikullin që e recensojmë.

Titull tendecioz dhe propagandues. Kjo është përshtypja e parë që krijohet sapo e lexon këtë titull. Por nëse e lexojmë artikullin dhe retorikën që është përdorur, shohim se përveç titullit, tendencioz është edhe artikulli. I tëri është shkruar me gjuhë gjykimi, ku akuzon liderin politik, por pa asnjë fakt. Liderët që përmenden, as nuk i ka përfshirë në artikull, sepse nuk ka një qëndrim nga të njëjtit. Kjo është në kundërshtim me parimet gazetareske.

“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”, thuhet në Kodin etik të gazetarëve.

Gjithashtu thotë se “Zaevi duhet t’u kërkoj falje shqiptarëve”, ndërkohë që ai ka sqaruar se se deklaratën nuk e ka pasur për shqiptarët në përgjithësi, por për partinë shqiptare në pushtet BDI-në.

“BDI nuk vlen pesë pare në tregun e votimit. Ky është qëndrimi im, ky ishte qëndrimi im edhe atëherë, nga koha kur është regjistruar biseda dhe publikuar sot. Kishte 20 deputetë dhe pati rënje në 10 deputetë, në këto zgjedhje do të ketë edhe më pak”, ka deklaruar disa herë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Akuzat ndaj Zaevit bëhen mbi materiale që janë të incizuara prej para 5 vjetësh dhe që paraqesin vepër penale pasi janë përgjime ilegale. Përgjimet ilegale janë të përfshira në nenin 151 të Kodit penal. Nëse personi që e incizojmë nuk njoftohet me atë se e incizojmë dhe se deklaratën e incizuar do t’ia dërgojmë palës së tretë, në këtë rast publikut, atëherë edhe media që i publikon bën shkelje penale.

Por megjithatë, duhe të mos harrojmë “se nëse tema për çfarë flitet ka interes publik, atëherë media mund të publikojë materialin e përgjuar”.

“Gazetari do ta respektojë privatësinë e personit, përveç kur kjo bie ndesh me interesin publik. Gazetari është i detyruar ta respektojë dhimbjen dhe vuajtjen e personit”, thuhet në Kodin etik të gazetarëve.

Në rastin tonë, ajo çfarë Zaev ka thënë për shqiptarët nuk ka interes publik, sepse paraqet vetëm një qëndrim i tij ndaj partisë politike, dhe jo shqiptarëve. Nga ana tjetër, edhe nëse Zaevi të thoshte “se shqiptarët vlejnë për 5 pare”, sërish nuk mund të themi se kemi të bëjmë me interesin publik. Interes publik paraqet çdo informacion që dëshmon se dikush ka bërë shkelje të ligjit dhe kushtetutës me qëllim që të dëmtojë qytetarët. Se “bombat” më nuk mund të paraqesin interes publik, tregon edhe fakti se ata nuk mund të përdoren si dëshmi materiale.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button