fbpx

Mediat duhet t’i korrigjojnë, e jo dyfishojnë shkeljet ndaj fëmijëve në fushatë

Burimi: KriThink

Mediat, në asnjë moment nuk duhet ta harrojnë rolin e tyre, se janë promovuesit e standardeve profesionale dhe etike. Mediat, gjithashtu janë të obliguara të respektojnë ligjet. Kësisoj, ata duhet të korrigjojnë edhe të tjerët në rast se bëjnë shkelje të ligjeve dhe standardeve etike. Por disa media, në vend se t’i korrigjojnë gabimet e partive politike, i dyfishuan ato.

Nga Fatbardha Curri

Më 26 qershor filloi fushata zgjedhore në vendin tonë. Partitë politike publikuan spotet publicitare. Kreativiteti mori hov, partitë duke “manipuluar me ndjenjat” e publikut, nuk zgjodhën as metoda, edhe kur ato ishin në kundërshtim me Kodin zgjedhor.

Kështu ata, në spote publicitare, si subjekte paraqitën fëmijët e mitur. Ata as nuk ishin turbulluar, fytyrat dhe veshjet e tyre vëreheshin qartë.

“Nuk është e lejuar pjesëmarrja e të miturve në reklamimin e paguar politik”, thuhet në nenin 76 të Kodit zgjedhor.

(Ne do t’ua sjellim disa, por siç duhet të jenë, dhe jo siç i kanë publikuar partitë)

Spoti i BDI-së

 

Spoti i LSDM-së

 

Spoti i VMRO-DPMNE-së

Shkeljet i vazhduan mediat

Duke e marrë materialin si të gatshëm, në po të njëjtën formë e publikuan edhe disa media. Kjo bëhej edhe kur kishte për qëllim të kritikohej subjekti për mënyrën se si e ka realizuar spotin publicitar.

“Foli” për spotin (ne e kemi turbulluar fytyrën e të miturës)

Në titullin shkruan se “Ahmeti ka keqpërdorur fëmijët për fushatë”, ndërkohë që si foto kryesore sërish përdor fotografi nga spoti pa e turbulluar fytyrën e të miturës.

“Askush nuk e kishte pritur se Ali Ahmetin do të bëjë një gabim kaq të rëndë, mirëpo si duket frika nga zgjedhjet e 15 korrikut po reflektohet te kryetari i BDI-së. Keqpërdorimi I fëmijëve në politikë ndalohet me konventa ndërkombëtare, kurse BDI ka bë dy klipe reklamuese me fëmijë të vegjël. Edhe më keq, në spotin e dytë publicitar Ahmeti paraqitet me mbesën e tij katërvjeçare”, thuhet në artikullin që e recensojmë.

Në po të njëjtën formë e ka publikuar edhe media tjetër.

“Me keqardhje ju informojmë se Ali Ahmeti po keqpërdorë fëmijët në fushatë parazgjedhore”, shkruan Lajmpress.org.

Tetova 1 për spotin e VMRO-DPMNE-së
Foto
Tetova 1 për spotin e VMRO-DPMNE-së

Ngjashëm ndodhi edhe duke informuar për mënyrën se si reagoi publiku për spotin e një partie tjetër politike. Në këtë artikull u publikuan spotet publicitare, të cilat edhe pse kishin pjesëmarrje të fëmijëve, të njëjtit nuk ishin turbulluar.

“Spoti parazgjedhor që nxiti humor dhe reagime në publik (Video)”, thuhet në artikullin e Tetova1.

Edhe pse mediat kritikojnë partitë, duket se të njëjtat harruan të jenë vetëkritike. Pasi, me mosturbullimin e fytyrave të fëmijëve, ata e dyfishuan shkeljen e partive politike. Kështu, mediat kanë bërë edhe shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të Kodit etik të gazetarëve.

“Radiodifuzerët nuk guxojnë të emitojnë reklamim të paguar politik në lajme, programe të veçanta informative, programe edukative, programe për fëmijë, dhe në transmetim nga evenimentet fetare, sportive, kulturore, argëtuese e të tjera”, thuhet në nenin 76 të Kodit zgjedhor.
“Gazetari nuk duhet të intervistojë ose të fotografojë fëmijë nën 16 vjeç pa pëlqimin e prindërve ose kujdestarit, përveç nëse kjo nuk është në përputhje me të drejtat e fëmijëve. E njëjta zbatohet edhe për personat me nevoja të posaçme, të cilët nuk janë në gjendje të gjykojnë me vetëdije”, thuhet në Kodin etik të gazetarëve.

Për të alarmuar për situatën reagoi edhe Agjencia e shërbimeve mediatike dhe audio – vizuale.

“Radiodifuzerët kanë përgjegjësi redaktuese për çdo vendim të emetojnë ndonjë përmbajtje në servisin e tyre programor. Për këtë duhet me kujdes t’i kontrollojnë të gjitha përmbajtjet dhe të refuzojnë t’i emetojnë ato me të cilat shkelet jo vetëm Kodi Zgjedhor, por edhe të Ligjit për shërbime mediatike për audio dhe audiovizuale. Kjo veçanërisht ka të bëjë në ndalesat e veçanta të nenit 48, ku bien edhe nxitja dhe përhapja e diskriminimit, intolerancës dhe urrejtjes mbi të cilën ka qenë e ndaluar baza diskriminuese”, qëndron në kumtesën e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.

Kanë reaguar edhe nga ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi”.

“Jemi skajshmërisht të zhgënjyer dhe të revoltuar nga raporti i papërgjegjshëm i të gjithë faktorëve institucional dhe politik ndaj fëmijëve dhe të drejtave të tyre gjatë fushatës parazgjedhore. Për herë të tretë u bëjmë thirrje të gjitha partive politike, Komisionit shtetëror zgjedhor, Prokurorisë themelore publik dhe mediumeve ta ndryshojnë raportin e tyre dhe të tregojnë se fëmijët janë të rëndësishëm për ta, secili në kuadër të kompetencave të veta”, reaguan nga “Megjashi”.

Për lexuesit: Bëhuni selektues i mediave

Në situata të tilla kur shohim se si nëpërmjet artikujve shkelje regjistrojnë edhe mediat, kjo duhet t’ju ndez alarmin se nuk duhet të lejoni që të informoheni nga media të cilat shkelin parimet bazë të gazetarisë e që janë: informimi dhe edukimi. Mos harroni gjithashtu, se media nga e cila informoheni ju, duhet të jetë analitike dhe kritikuese. Kjo ju jep të drejtën që të informoheni nga media të cilat kritikojnë duke analizuar a komentuar, por gjithmonë duke promovuar pluralizmin e mendimeve dhe qëndrimeve dhe debatet publike. E këto media të cilët transmetuan spotet duke mos u turbulluar fytyrat fëmijëve, nuk duhet të meritojnë më vëmendjen e juaj.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button