Politikanët shqiptarë: Masakra që ndodhi në Srebrenicë ishte gjenocid në zemër të Evropës”

Zyrtarët e lartë dhe drejtues të partive politike të Shqipërisë dhe Kosovës kanë reaguar në lidhje me 25-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në rrjetet sociale ka shkruar se masakra që ndodhi në Srebrenicë 25 vjet më parë, ishte gjenocid i një shkalle të paprecedentë në zemër të Europës, që nuk duhej të ishte lejuar të ndodhte.

Meta shprehet se 11 korriku 1995 shënon një moment historik të rëndësishëm dhe të paharruar për të gjithë dhe thekson më tej se “Sot kujtojmë viktimat e pafajshme dhe të gjithë ata që pësuan tmerre të paimagjinueshme në gjenocidin e Srebrenicës. Duhet të reflektojmë dhe t’i shqyrtojmë me shumë kujdes veprimet tona, për t’u dërguar një mesazh të qartë brezave të ardhshëm, për të mos i harruar dhe për të mos i lejuar kurrë më të tilla mizori të ndodhin në rajonin tonë”.

Presidenti i Shqipërisë thekson se është e një rëndësie jetike që bashkëjetesa etnike-fetare dhe kulturore të ruhet e të forcohet, sipas tij pa lejuar askënd të helmojë dhe të përçajë popujt dhe kombet “qoftë edhe duke ricikluar ide që sjellin ndërmend shpërnguljet masive, në mënyrë që tragjeditë e përjetuara t’i përkasin vetëm të kaluarës së hidhur por jo shumë të largët të rajonit”.

“Duke ju bashkuar sot lutjeve për shpirtrat e viktimave dhe dhimbjes së patreguar që përjetuan popujt dhe kombet e Ballkanit, në nderim të kujtimit të tyre, duhet të forcojmë bashkëpunimin dhe bashkëjetesën për të ecur përpara drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian”, shkruan Meta.

Gjithashtu ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në reagimin e saj publikuar në rrjetet sociale shkruan se i shpallur në korrik të vitit 1995 “vend i sigurt”, nga OKB-ja, Srebrenica u shndërrua në vendin ku ndodhi gjenocidi i paparë në historinë më të re njerëzore.

“Ky vend u bë vendvarrezë për mbi 8 mijë burra e djem boshnjakë, të cilët u vranë nga regjimi gjenocidal serb vetëm pse i takonin një etnie e religjioni tjetër. 25 vjet më pas Srebrenica ende thërret! 25 vjet më pas, Serbia ende mohon krimin. Dhimbja për viktimat nuk ka përkatësi, ndaj sot bashkëndjejmë me familjet e viktimave. Nuk do të ketë asnjëherë paqe të qëndrueshme pa drejtësi për viktimat. Srebrenica, kurrë më”, shkruan Osmani.

Në lidhje me këtë përvjetor ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili në rrjetet sociale shkruan se sot bëhen 25 vite prej ditës kur ndodhi masakra që tronditi botën: gjenocidi në Srebrenicë.

“Bosnja përballet ende me një numër masiv rastesh të pazgjidhura për këtë masakër. Përballet me persona që e mohojnë ekzistimin e gjenocidit të kryer atje. Por, ajo çka ka ndodhur në Srebrenicë është gjenocid. Jo vetëm sepse e ka parë gjithë bota, por këtë e ka vërtetuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND). Fatkeqësisht, GjND e kualifikoi si gjenocid vetëm krimin që ka ndodhë në Srebrenicë e jo krimet që kanë ndodhë në tërë Bosnjë e Hercegovinën (BeH), praktikisht duke konsideruar ‘gjenocidin komunal’”, shkruan Kurti.

Sipas Kurtit, ende nuk ka drejtësi e paqe për Srebrenicën dhe BeH, duke shtuar se “Prandaj, kjo mizori peshon rëndë në ndërgjegjen ndërkombëtare edhe çerek shekulli më vonë”.

Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button