Thaçi bën thirrje për respektim të masave për mbrojtje nga koronavirusi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se gjendja me koronavirusin në Kosovë është tejet shqetësuse dhe bëri thirrje që të respektohen masat në mënyrë më rigoroze.

“Ju bëj thirrje që t’i zbatoni në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe t’i respektoni rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Duke i zbatuar masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore secili qytetar ruan veten, të afërmit e tij dhe gjithë shoqërinë”, transmeton REL.

Thaçi po ashtu ka shprehur mirënjohje për stafin shëndetësorë dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave nga koronavirusi i ri.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar të shtunën se në spitalet publike në Kosovë janë të shtrirë 301 pacientë të konfirmuar me COVID-19 pozitiv.

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 184 janë në oksigjenoterapi, 132 në QKUK dhe 52 në spitalet e përgjithshme.

Nga 301 pacientë, 22 janë në gjendje të rënduar me përkujdesje intensive.

Në Kosovë, që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 4.512, dhe 97 pacient kanë vdekur.

Ndërsa, numri i rasteve aktive është 2.259.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se me trendin e rritjes së vazhdueshme të rasteve të reja, po konsiderohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button