Hoti: Kryetarët e komunave përkrahin shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve, njofton Insajderi.

Hoti ka njoftuar me anë të një statusi në Facebook, se me organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, sot kanë pasur një video konferencë me kryetarët e komunave për të vlerësuar gjendjen me COVID-19.

“I falënderoj kryetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen për vendimet e Qeverisë lidhur me menaxhimin e covid-19 dhe për propozimet e tyre për masat shtesë që duhet të marrim në javët në vijim për tu ulur numri i të prekurve. I informova për angazhimin e Qeverisë për të krijuar kapacitete shtesë shëndetësore në QKUK, në spitalet rajonale dhe në spitalet private, pastaj për rritjen e kapaciteteve testuese dhe decentralizimin e testimeve në regjione dhe në spitale private, për angazhimin e stafit shëndetësor në nivel vendi etj”, ka shkruar ai, transmeton Insajderi.

Hoti tha se duhet një koordinim shumë më i ngushtë i inspektorateve për të mbikëqyrë zbatimin e masave, me mbështetje të policisë.

“I falënderova komunat për mbështetjen që i kanë dhënë policisë me logjistikë gjatë kësaj kohe. I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button