Anëtarësimi në NATO paraqet tejkalim të pengesave për RMV-në (VIDEO)

“Anëtarësimi ynë në NATO është një nga tre momentet më të rëndësishme në historinë tonë të re”, tha Presidenti Stevo Pendarovski në video-fjalimin për Ditën e NATO-s, duke e vlerësuar atë moment në një grup me Ditën e Pavarësisë, 8 Shtator 1991 dhe ditën e pranimit në Organizatën e kombeve të Bashkuara, 8 Prill 1993, shkruan Portalb.mk.

Më 27 Mars, Republika e Maqedonisë Veriore zyrtarisht u bë anëtare e NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.

Por pse anëtarësimi në NATO është aq i rëndësishëm?

“Në kohë të këtilla, miqtë dhe aleatët janë më të rëndësishëm se kurdoherë. Maqedonia e Veriut tani i ka miqtë dhe aleatët më të mirë në botë. Ne të gjithë jemi më të sigurt dhe më të fortë se vetëm. Prandaj, mirëserdhët në NATO” – tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në ceremoninë solemne me rastin e pranimit të aleatit të 30-të.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) është aleancë ushtarake, qëllimi kryesor i së cilës është të mbrojë lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj përmes mjeteve ushtarake dhe politike. Anëtarët, ndërkohë, janë të përkushtuar të kultivojnë parimet e lirive individuale, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Garanci për sigurinë dhe integritetin e shtetit

“Anëtarësimi në NATO e rrumbullakon shtetësinë e Maqedonisë, e cila garanton mbijetesën dhe integritetin territorial të shtetit modern të Maqedonisë”, thekson Instituti Ndërkombëtar i Lubjanës për studime të lindjes së mesme dhe ballkanike (IFIMES) në analizën e fundit për Maqedoninë. “Anëtarësimi në NATO si akt historik i shtetit”, shkruan Portalb.mk.

Pulla postare – Maqedonia e Veriut në Nato

“Anëtarësimi në NATO nënkupton siguri, stabilitet dhe mirëqenie. Kjo forcon besimin dhe sigurinë ndaj shtetit për tërheqje të investimeve të huaja. Në të njëjtën kohë, anëtarësimi në NATO është një hap i madh drejt anëtarësimit në BE. Është një përvojë e drejtpërdrejtë e të gjithë anëtarëve të rinj pas përfundimit të Luftës së ftohtë”, thekson Instituti.

NATO ka tre misione themelore: mbrojtjen kolektive, menaxhimin e krizave dhe sigurinë bashkëpunuese. Parimi i parë bazohet në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit nga viti 1949, merr të cili është themeluar Aleanca dhe në kuptimin më të thjeshtë do të thotë se sulmi ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithë aleatëve. Deri më tani, ky parim është zbatuar vetëm një herë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA.

“Dhe gjithmonë kam menduara që NATO është parakusht për zhvillim, kështu që nëse e keni të garantuar sigurinë, kufijtë dhe integritetin territorial, është e qartë se në çdo fushë tjetër mund vetëm të përparoni sepse tashmë keni parakushtet për një gjë të tillë”, tha Pendarovski.

Në menaxhimin e krizave, NATO i vë në dispozicion kapacitetet e fuqishme ushtarake dhe politike për të përballur me çdo krizë që mund të ndikojë në sigurinë e çdo aleati ose Aleancës. Kjo është veçanërisht e dukshme në përpjekjet e Aleancës për t’u përballur me pandeminë e kovid-19, e cila ka përfshirë kapacitetet e saj mjekësore dhe shkencore. Ndërsa, me angazhimin për sigurinë bashkëpunuese, NATO është e përkushtuar për kontribut aktiv në sigurinë ndërkombëtare, shkruan Portalb.mk.

Pandemia ka treguar disa nga përfitimet

Pikërisht pandemia e Kovid-19 që i mundësoi publikut të Maqedonisë për të parë disa nga përfitimet e anëtarësimit në Aleancë. Pasi më 30 mars vendi kërkoi ndihmë për përballje me pandeminë, nga Qendra Euro-Atlantike e NATO-s për koordinim si përgjigje ndaj Katastrofave (Euro-Atlantic Disaster Response Coordination Centre – EADRCC), autoritetet e Maqedonisë pranuan ndihmë nga disa aleatë në pajisje dhe financa nga ShBA-ja, Turqia, Norvegjia, Holanda, Sllovenia, Hungaria, Britania e Madhe, Republika Çeke dhe Bullgaria. Në luftën me kovid-19, autoritetet e Maqedonisë e përdorin edhe Sistemin për komandë gjatë incidenteve (Next-Generation Incident Command System-NICS), të cilin vendi e miratoi vitin e kaluar për koordinim në të gjitha nivelet e pushtetit në situata krize. Krahas ndihmës materiale, NATO është aktive edhe në luftën me fushatën e dezinformatave për pandeminë.

Maqedonia e Veriut në NATO
Maqedonia e Veriut në NATO

Mirëpo, efektet nga anëtarësia janë shumë më të thella. Ndër të tjerat, institucionet e Maqedonisë tani kanë qasje në sistemin e përbashkët të NATO-s për siguri dhe zbulim dhe tek informatat që i përgatitë, si dhe në kapacitetet për luftë kibernetike dhe mbrojtje kibernetike.

Profesionistët e Maqedonisë kanë mundësi për punësim në bazat, qendrat për komandë dhe agjencitë e NATO-s, ndërsa anëtarësia e plotfuqishme duhet të nxitë edhe efekte mbi ekonominë – secili vend anëtar i ri i NATO-s shumë shpejtë pas anëtarësimit në Aleancë ka arritur rritje të BPV-së,r edhe investimeve të huaja.

Mirëpo, ekonomistët theksojnë që përfitimi më i rëndësishëm është qasja në tregjet e huaja dhe mundësia për eksport të produkteve të standardizuara. NATO ka marrëveshje për standardizim (STANAG) për qindra produkte dhe shërbime, të dedikuara për t’i mundësuar secilës prej armatave të shfrytëzojë rezerva nga cila do armatë tjetër e vendeve anëtare, shkruan Portalb.mk.

“Anëtarësia nuk do të thotë vetëm dobi për strukturat ushtarake për sigurisë dhe mbrojtje. NATO me bordet e saj të shumta merret edhe me çështje, siç janë arsimi dhe çështjet ekologjike, inovim, hulumtime shkencore, subjekte ekonomike të cilët pasi të pajisen me certifikatë të NATO-s, mund të fitojnë punë, në tenderë të ndryshëm brenda aleancës, të cilët në të kaluarën nuk ka qenë e mundur”, thotë IFIMES në analizë.

Filluan të zgjidhen problemet që kanë zgjatur me dekada

Anëtarësia në NATO ka çuar edhe deri në zgjidhje të problemeve vendase të cilat kanë zgjatur shumë kohë. Duke përdorur veto për anëtarësi në Samitin në Bukuresht në vitin 2008 si arsyetim, buxheti i mbrojtjes ishte i përgjysmuar një dekadë, ndërsa qeveria e Maqedonisë vazhdimisht e prolongonte pajisjen e ushtrisë.

Për atë shkak, lajmet sot janë prokurime banale sikur çizme, uniforma ose goma dhe vajra për motor. Inxhinierët ushtarak kanë fituar makina të reja inxhinierike për herë të parë pas 16 viteve, ndërsa ushtria blen edhe autoblinda të ri, që janë paralajmëruar më tepër se një dekadë.

Ndërkaq, Qendra e Maqedonisë për trajnim të pilotëve është pjesë e nismës për trajnim për fluturim, e iniciuar nga 11 aleatë.

Anëtarësia është edhe konfirmim përfundimtar i përpjekjeve të ushtarëve të Maqedonisë në operacionet jashtë atdheut. Armata tanimë 18 vite merr pjesë në misione të NATO-s. Operacionet ndërkombëtare, sipas ministres për Mbrojtje, Radmilla Sheqerinska, janë “shansi më i mirë të ndërtojmë kapacitete më të mëdha dhe Armata jonë të mbahet në gjendje gatishmërie”.

“Më në fund u bëmë vendi-anëtar i tridhjetë, këtë, do thosha jemi duke e pritur nga viti ‘93, nga deklarata e parë në Parlamentin e atëhershëm të Maqedonisë e miratuar me konsensus absolut nga të gjitha grupet parlamentare”, thotë presidenti Pendarovski, shkruan Portalb.mk.

Mirëpo, dobia kryesore nga anëtarësia në NATO është barabarësia në marrëdhëniet në ndërkombëtare.

“Anëtarësia nënkupton të drejtë për bashkë-vendimmarrje në çështje kyçe për politikën ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut më nuk do të jetë temë debati, por së bashku me shtetet anëtare tjera do të debatojë dhe do të kontribuojë për zgjidhjen e çështjeve dhe sfidave kyçe ndërkombëtare. Kjo është lëvizje kuante në funksionimin e shteteve që janë bërë anëtare të plotfuqishme të NATO-s”, thekson IFIMES.

Me ceremoninë e ngritjes së flamurit të Maqedonisë pranë Komandave të NATO-s më 30 mars të këtij viti, përfundimisht, ka mbaruar odiseja e Maqedonisë që zgjati 26 vite, 3 muaj e 4 ditë nga Vendimi i Kuvendit për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike dhe 20 vite, 11 muaj e 2 ditë pasi më 25 prill të vitit 1999 në Samitin e NATO-s në Uashington u bë zyrtarisht kandidat për anëtarësim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button