25 vjet nga masakra e Srebrenicës, mbi 8 mijë meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë nga forcat serbe

Më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurtë” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë, shkruan Portalb.mk.

Sot, në përvjetorin e 25-të të gjenocidit, do të mbahet ceremoni përkujtimore do të varrosen edhe 8 viktima të gjenocidit në varrezat Potoçari.

Srebrenica u rrethua nga forcat serbe që po përpiqeshin të pushtonin territore nga muslimanët dhe kroatët boshnjakë për të formuar shtetin e tyre.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së kishte shpallur Srebrenicën si “zonë të sigurtë” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, kaluan në zonën e OKB-së.

Trupat holandeze nuk arritën të ndërmerrnin masa kur forcat serbe pushtuan zonën dhe vranë 2.000 meshkuj vetëm më 11 korrik. Rreth 15.000 persona të tjerë ikën nga Srebrenica në malet përreth, por trupat serbe vranë 6.000 prej tyre në pyje.

Varrezat nga masakra e Srebrenicës, foto: Emir Arven - Wikipedia
Varrezat nga masakra e Srebrenicës, foto: Emir Arven – Wikipedia

Familjet e viktimave të Srebrenicës, pas 25 vitesh do t’i varrosin të dashurit e tyre

Viktima me moshë më të re këtë vit është 23-vjeçari Salko Ibiseviç, ndërsa më i moshuari Hasan Peziç 70-vjeçar.

Viktimat të tjerë që do të varrosen janë: “Sead Hasanovic (24), Alija Suljic (26), Hasib Hasanovic (25), Zuhdija Avdagic (48), Bajro Salihovic (52), İbrahim Zukanovic (54), Kemal Music (27).”

Mihad Zukanoviç, i cili gjatë gjenocidit ka qenë në moshën 8-vjeçare, sot do të varrosë gjyshin e tij Ibrahim Zukanoviç.

Ai rikujton se si gjyshi i tij e ka puthur atë për herë të fundit, një moment i paharrueshëm për të.

Ai tregoi se është rritur me gjyshin e tij në Srebrenicë dhe asnjëherë nuk është ndarë nga ai. “Në fushë shkonim së bashku. Kishte një xhaketë të kaltër që nuk e hiqte asnjëherë”, tha ai.

Zukanoviç rikujton se pasi qytetin e kanë pushtuar forcat serbe bashkë me nënën dhe motrën e tij ka shkuar në Potoçari, tek ushtarët holandezë që shërbenin në kuadër të OKB-së, duke treguar se kanë kërkuar gjyshin në mesin e mijëra njerëzve por nuk kanë arritur ta gjejnë.

Më tej, ai tregon një kujtim të tij, kur gjatë qëndrimit në Potoçari, një mbrëmje ka dashur të shkojë në tualet dhe e ka parë një njeri që e ka varë veten pas një kamioni. Kjo ngjarje e kishte frikësuar shumë atë. Ai thotë se shumë njerëz në këtë mënyrë i jepnin fund jetës për të mos u dorëzuar te serbët.

Varrezat nga masakra e Srebrenicës, foto: Wikipedia
Varrezat nga masakra e Srebrenicës, foto: Wikipedia

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button