Ambasada Gjermane: Karantinë e detyrueshme për ata që vizitojnë Shqipërinë, vend me rrezikshmëri nga COVID-19

Ambasada Gjermane në Tiranë u drejtoi të premten një apel për kujdes emigrantëve shqiptarë dhe shtetasve gjermanë që kërkojnë të kalojnë pushimet verore apo dhe qoftë të vizitojnë Shqipërinë, transmeton EN.

Përmes një deklarate për shtyp Ambasada thotë se Shqipëria kategorizohet me rrezikshmëri të lartë prej pandemisë së COVID-19, nuk ofron kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ka kapacitete të kufizuara testimi për COVID-19, nuk ofron testime sipas dëshirës dhe se kjo mund të detyrojë vendosjen në karantinë për 14 ditë pas kthimit në Gjermani.

Në njoftimin e saj Ambasada thotë se për shkak të situatës me pandeminë mund “të ndihmojë vetëm në një masë të kufizuar” në rast se gjatë qëndrimit në Shqipëri mbyllen kufijtë.

Për të gjithë ata që do të kthehen më pas në Gjermani do të kërkohet vendosja në karantinë për 14 ditë.

“Menjëherë pas kthimit duhet të lajmëroni institucionin kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh. Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlen për të gjithë nënshtetasit, edhe për ata gjermanë, dhe pavarësisht qëllimit të udhëtimit,” – thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Për çdo shkelje të karantinës parashikohen gjoba të majme, ndërsa theksohet se emigrantët mund t’u kërkojnë autoriteteve lokale në Gjermani që të testohen, testim “i cili do të shkurtonte kohën e izolimit”.

Gjermania raporton rreth 200 mijë raste me COVID-19, prej të cilave të paktën 9,125 kanë përfunduar me vdekje.

Ndërkohë në Shqipëri janë raportuar 3,278 raste, nga të cilat 85 kanë përfunduar me vdekje. Ajo që e cilëson situatën “me rrezikshmëri” është fakti se javët e fundit në Shqipëri ka pasur një prirje në rritje të rasteve dhe fataliteteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button