fbpx

Mbi pushtetin ekzekutiv!

Sistemet demokratike politike të shteteve evropiane të bazuara në sundimin e së drejtës, si parim bazë të tyre e kanë të institucionalizuar parimin e ndarjes së pushtetit, me ç’rast Kushtetuta e RMV-së e përcakton parimin e ndarjes së pushtetit si vlerë themelore të rendit kushtetutes. Rrjedhimisht, sipas kësaj, pushteti shtetëror në RMV përbëhet prej pushtetit ligjvënës, bartës i së cilit është Kuvendi i RMV-së, pushteti ekzekutiv, bartës së të cilit janë: Kryetari i Republikës dhe Qeveria dhe pushteti gjyqësor, bartës i së cilit janë gjykatat.

Qeveria sikurse edhe shefi i shtetit, është organ i pushtetit ekzekutiv, me atë që, për dallim nga shefi i shtetit që ekziston në të gjitha sistemet shtetërore, qeveria është karakteristike vetëm për sistemet parlamentare me pushtet ekzekutiv dykrerësh, meqë nëse në sistemin presidencial, nuk ekziston qeveria si organ formal kushtetues, por si një trup faktik i bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit. Në aspektin historik, qeveria për herë të parë paraqitet në Mbretërinë e Bashkuar, në formën e kabinetit të ministrave duke u zhvilluar prej një trupi feudal të shekullit të mesëm “Curia regis” e më vonë si: “Privy Council” (Këshilli privat ose i fshehtë). Këtë trup, që kishte rolin këshilldhënës (ndihmës), e përbënin njerëzit më të besueshëm të mbretit gjë që shihet edhe nga vetë termi: “minister”- të ndihmohet, të kujdeset ndërkaq, (latinisht termi “minister” d.t.th “shërbëtor”). Kështu, me kalimin e kohës, ky trup bëhej më i vëllimshëm, kështu që prej tij filloi të veçohet një rreth i ngushtë i këshilltarëve që merr emrin: “kabinet” i emëruar nga mbreti për të shqyrtuar çështjet më të rëndësishme, e që me kalimin e kohës do të shndërrohet në organ shtetëror duke u bërë kështu faktor i kufizimit të pushtetit të mbretit. Në këtë drejtim, mbreti duke dashur që të sigurojë përkrahjen e parlamentit, filloi t’i emërojë ministrat e tij nga radha e shumicës parlamentare (partisë politike në pushtet) dhe, nga ky moment, ministrat gradualisht filluan të largohen nga mbreti dhe të afrohen me parlamentin sepse nuk vareshin më nga mbreti. Andaj, në këtë mënyrë, pushteti ekzekutiv lëvizi nga mbreti me përgjegjësi në qeveri me përgjegjësi, e cila gradualisht e fitonte autonominë në raport me mbretin, duke u krijuar kështu edhe instituti i përgjegjësisë politike të qeverisë dhe të ministrave para parlamentit. Sidomos, në fillim të shek. XVIII-të, në kohën e mbretit Xhorxhi i I-rë që i përkiste dinastisë së Hanoverit e që nuk dinte anglisht, andaj, për vendimet e kabinetit atë e njoftonte anëtari më me ndikim, të cilën gjë 20-të vite radhazi e bënte Robert Volpoli, andaj edhe emri i tij ndërlidhet me krijimin e funksionit të ministrit të parë (kryeministrit) – Prime minister. (Shasivari, Dr. Jeton, E drejta kushtetuese, Libri I, (Botimi i parë), Shkup, 2015,).

Zgjedhja e Qeverisë së RMV-së

Shkurt dhe shqip, shumica parlamentare e formon apo e zgjedh Qeverinë, pavarësisht asaj se a bëhet fjalë për Monarki parlamentare apo për Republikë Parlamentare. Kësisoj, edhe sipas Kushtetutës së RMV-së, Kryetari i Republikës është i obliguar që në afat prej 10-të ditësh nga dita e konstituimit të Kuvendit mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend dhe kjo gjë ka ndodhur, ndodh që nga sjellja e Kushtetutës së RMV-së në vitin 1991 dhe ndryshe nuk mund të ndodh as në të ardhmen. Pra, nëse e lexoni Kushtetutën e RMV-së ajo përmban vetëm dy dispozita në lidhje me dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë. E para është më tepër teknike, kurse e dyta është e karaterit esencial apo thelbësor. Me dispozitën e parë vetëm konstatohet se “Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut e përcakton mandatarin për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë” (neni 84, parag. 1, alineja 1), kurse dispozita e dytë e përcakton procedurën dhe përmbajtjen e dhënies së mandatit. Pra, sipas Kushtetutës, “Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut është i detyruar në afat prej 10-të ditësh nga dita e konstituimit të Kuvendit mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend.” (neni 90, parag. 1). Pra, bëhet fjalë për dispozitë imperative, e cila e lidh shefin e shtetit që mandatin t’ia besojë atij personit pas së cilit qëndron shumica parlamentare, përkatësisht më së paku 61 deputetë. Në këtë drejtim, Kushtetuta e RMV-së për dallim prej disa kushtetutave tjera, është më rigjide.

Dhënia e mandatit

Që nga viti 1992 e deri në vitin 2017, dhënia e mandatit për formimin e Qeverisë është bërë mbi dy principe. Mandati i është dhënë mbi principin e numrit më të madh të mandateve që një parti i ka fituar ose mbi principin e shumicës parlamentare të përbërë nga deputetët e më tepër partive politike. Së këndejmi, në vitin 1992, Kiro Gligorov ia besojë mandatin për formimin e Qeverisë Lubço Georgievskit, i cili atëherë ishte lider i VMRO-DPMNE-së me 38 mandate. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për sigurimin e shumicë parlamentare, mandati iu kthye shefit të shtetit. Gabimi i presidentit Gligorov konsiston në atë se ai nuk kërkoi nga kandidati për kryeministër garancë për sigurimin e shumicës parlamentare paraprakisht, megjithëse ai ishte koshient se kandidati nuk mund ta arrinte. Në të njëjtën mënyrë është vepruar me mandatet e Petar Goshevit dhe Branko Crvenkovskit. Petar Goshevi e fitoi mandatin si lider i partisë së tij me 31 mandate. Edhe ai e ktheu mandatin për shkak të mospajtimit të tij personal në lidhje me propozimet e kandidatëve për ministra, edhe pse e kishte të siguruar shumicën parlamentare. Në fund mandatin për formimin e Qeverisë e morri Branko Crvenkovski i cili kishte sukses të formojë shumicë parlamentare prej 70-të deputetë.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1994, mandatin për formimin e Qeverisë përsëri e fitoi Branko Crvenkovski, si bartës i koalicionit i cili fitoi 87 mandate.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1998 u formua shumica parlamentare prej 69 mandateve. Mandatin për formimin e Qeverisë, presidenti Gligorov ia dha Lubço Georgievskit edhe pse e kishte kundërshtar politik.
Pas zgjedhjeve parlemantare të vitit 2002, presidenti Boris Trajkovski ia dha Branko Crvenkovskit së bashku me partitë koalicionuese të tij me 60 mandate dhe BDI me 16 deputetë. Edhe në këtë rast, kishte lëshim nga ana e presidentit Trajkovski i cili pa ngurrim ia besojë kandidatit Crvenkovskit edhe pse politikisht i takonte VMRO-DPMNE-së për formimin e Qeverisë.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, mandatin e fitoi Nikolla Gruevski, me 45 mandate edhe pse pati vështirësi t’i sigurojë 62 mandate për formimin e Qeverisë, gjë që u përsërit e njëjta gjë nga ana e presidentit Branko Crvenkovski në vitin 2008 kur VMRO-ja përsëri e fitoi mandatin pas sigurimit të shumicë parlamentare. Mandati është dhënë edhe nga ana e Gjorge Ivanovit pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011 dhe 2014, të cilin e fitoi Nikolla Gruevski së bashku me BDI-në. Por problemet e njëjta u paraqitën pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016. Në janar të vitit 2017, presidenti Ivanov ia besojë mandatin Nikolla Gruevskit, pa kërkuar paraprakisht prej tij garancion për sigurimin e shumicës parlamentare. Pas kthimit të mandatit nga ana e Gruevskit, ai refuzoi që t’ia jep partisë së dytë për formimin e Qeverisë e që ishte Zoran Zaevi, i cili vetëm se kishte marrur garancion për sigurimin e shumicës parlamentare prej 67 mandateve, gjë që më në fund ia besojë atij.
Siç shihet, praktika e dhënies së tillë të mandateve themelet e veta i gjen që nga zgjedhja e Qeverisë së parë të RMV-së e deri më sot dhe përderisa nuk kemi ndryshime kushtetuese mbi këto dispozita kushtetuese një precedent i tillë do të ndodh edhe në të ardhmen konform kushtetutës. Por, kjo gjë u ka pamundësuar dhënien e mandateve partive politike shqiptare dhe nuk i ka favorizuar, madje as që janë pyetur ndonjëherë se a mund të formojnë koalicione me partitë maqedonase për formimin e Qeverisë së RMV-së, që natyralisht do të duhej të vinte pas disa përpjekjeve të pasuksesshme nga ana e partive politike maqedonase për sigurimin e shumicës parlamentare, praktikë e “betonuar” me Kushtetutë, çështje që ngelet të shohim se a do të vlejë e njëjta edhe në këto zgjedhje parlamentare ku kemi kandidat shqiptar për kryeministër si dhe në zgjedhjet e ardhshme të RMV-së.

Kush duhet të jetë në krye të Qeverisë së RMV-së?

Fundja, çdo kush që i fiton votat e popullit dhe arrin ta merr shumicën parlamentare, sepse një thënie e fuqishme latine thotë: “Vox populi est suprema lex!” që në përkthim i vjen: “Zëri i popullit është ligj suprem!”.
Qeveria e re e RMV-së, meqënese do të jetë në prag të Bashkimit Evropian duhet të ketë qeverisje demokratike me konsensus sepse vetëm ajo për momentin mund “të sigurojë” një qëndrueshmëri të saj. Por, nuk duhet jetuar në “iluzione” se ky mekanizëm duhet funksionuar gjithmonë kështu. Qeverisja e mirë është më se e nevojshme për RMV-në, për funksionim normal të rendit juridik dhe bërjen e shtetit të së drejtës. Pra, Volteri jep përgjigjen më epike mbi atë se cila do të jetë qeverisja më e mirë te ne: “Qeverisja më e mirë është ajo në të cilën njeriu i nënshtrohet vetëm ligjeve”, e kështu sigurohet demokracia dhe drejtësia.
Shpërdorimi i pushtetit duhet të jetë çështje e së kaluarës për çdo qeveritarë të ardhshëm të RMV-së. “Nuk është e vërtetë që pushteti prish njerëzimin. Por e vërteta është se kur horrat vijnë në pushtet e prishin pushtetin” – thotë George Bernard Shaw. Andaj, këta të dytët nuk na duhen në pushtet.
Talleyrandi thotë: “Arti i vendosjes së njerëzve të duhur në vendin e duhur është kushti i parë në shkencën e qeverisjes.” Andaj, qeveria e ardhshme, duhet ta vlerësojë aftësinë e jo partinë. Dhe përfundimisht duhet të ndodh ajo që thotë Ronald Regan se: “Ne duhet të refuzojmë idenë se çdo herë që një ligj është shkelur, shoqëria është më fajtore se shkelësi i ligjit. Është koha për të rivendosur rregullin amerikan që çdo individ është përgjegjës për veprimet e tij.”
Dhe mbi të gjitha, pa aforizma prioritet i kryeministrit dhe Qeverisë së ardhshme të RMV-së duhet të jetë luftimi i COVID-19 dhe procesi integrues. Kush duhet të jetë në krye të Qeverisë së RMV-së? Pa dyshim, drejtësia dhe demokracia!

Autori është student pranë Fakultetit juridik – UEJL, në ciklin e dytë të studimeve, në drejtimin “E drejta kushtetuese dhe administrative”

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close