Saraçini: Borxhi publik i Maqedonisë këtë vit do të rritet për 33.3 për qind

Në një ligjeratë para studentëve të Fakultetit ekonomik në Shkup, ministri i ekonomisë Valon Saraçini tha se zhvillimet ekonomike globale në mënyrë të pashmangshme reflektohen edhe në ekonominë e Maqedonisë, duke pasur parasysh hapjen e saj në tregun evropian.  Por, sipas tij pozita e vendit tone është shumë më e favorshme. 

‘Maqedonia është larg para vendeve të Bashkimit Evropian, sa i përket borxhit publik, i cili vjet ishte 31 për qind nga PBV-ja,  këtë vit parashikohet të rritet në 33.3 për qind, dhe në vitin 2014-të, parashikohet të jetë 35 për qind’, tha sot ministri Saraçini. 

Ai para studentëve prezantoi politikat ekonomike të qeverisë në kushte të krizës financiare.

Saraçini tha se e një rëndësie të veçantë për inkurajimin e zhvillimit ekonomik është tërheqja e kompanive të huaja, për të cilin qëllim janë krijuar Zona teknologjike zhvillimore,  dy prej të cilave në Shkup dhe nga një në Shtip dhe në Tetovë, ku kohët e fundit është përzgjedhur edhe menaxhues, konsorciumi norvegjez me përvojë të madhe. 

“Paralelisht, qeveria po punon në programet kërkimore gjeologjike per energji dhe burime minerale, ku janë ndarë  60 koncesione të reja” u shpreh Saraçini.
Ligjerata e Ministrit Saraçini ishte pjesë e projektit  ‘Bashkëpunimi i biznesit me shkencën’  i mbështetur nga Ministria Federale Gjermane për bashkëpunim ekonomik si dhe  Ministria e ekonomisë,  mbrojtjes së  klimës, energjisë dhe planifikimit hapësinor të Krahinës  Rajland Fallc, dhe në bashkëpunim me Odën e Zejtarëve dhe Fakultetin Ekonomik në Shkup. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button