RMV, të rinjtë e partive politike me ide të ndryshme për arsimin, nuk i përgjigjen ftesës së UNSHM-së

Biseduan me nxënës, hulumtuan problemet e shkollave si dhe mësimdhënësit që në fund të dalin me dokumentin “Pesë pikat për arsimin” me qëllimin e vetëm që i njëjti të nënshkruhet nga partitë politike që garojnë në zgjedhje, e më pas të implementohet. Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme bashku me ambasadorin Zhbogar pritën partitë në Shkup që të bëjnë zotimin. Megjithatë, gjetën përkrahjen e vetëm dy partive politike, shkruan Portalb.mk.

Cili është dokumenti që iu frikësuan partitë politike?

Dokumenti është hartuar nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, me anë të këtij dokumenti ata kërkojnë zotimin e partive politike për të sjellë ndryshimet e duhura dhe të nevojshme në sferën e arsimit.

Këto janë pesë pikat e dokumentit:

  1. Të korrigjohen gabimet në librat shkollor dhe nxënësit të furnizohen me libra shkollor në afatin e duhur.
  2. Të reduktohet puna administrative për stafin pedagogjik dhe psikologjik të shkollave të mesme.
  3. Të investohet në zhvillimin e aftësive të teknologjisë informative të kuadrove arsimore për tu përballur në mënyrë më efikase me sfidat e mësimit online gjatë krizave të pa parashikueshme natyrore ose të tjera.
  4. Të përshtaten plan programet mësimore në shkollat fillore dhe të mesme duke marrë për bazë metodat arsimore që përdoren në shtetet me arsim progresiv të Bashkimit Evropian.
  5. Shkollat në RMV të kenë kushte të mjaftueshme higjienike për të mbrojtur shëndetin e nxënësve dhe mësimdhënësve.
    Blendi Hodai
    Blendi Hodai

Biseduam me Blendin, ai u shpreh se këta pika janë jashtëzakonisht të rëndësishme për nevojat bazike të nxënësve në arsim në Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se shkollat nuk kanë as kushte higjienike në shkolla apo libra.

“5 pika për sistemin e arsimit është një dokument përkushtimi shumë i rëndësishëm për nevojat bazike të nxënësve në arsim. Është tragjike në vitin 2020, shkollat të mos kenë kushte higjienike, libra, psikolog dhe arsimi të mos ketë strategji për digjitalizim” tha Blendi Hodai, kryetar i UNSHM-së.

Ndërkaq për partitë politike të cilat nuk kanë nënshkruar dokumentin, ai thotë se “me këtë akt kanë treguar se nuk e kanë prioritet arsimin dhe nevojat e nxënësve”. Megjithatë, ai informon se kjo iniciative do të vazhdoje edhe pas zgjedhjeve të 15 korrikut, ku partitë që janë të interesuara dhe nuk kanë nënshkruar do të mund të bashkëngjiten.

Ç’thonë të rinjtë e partive politike?

Omer Ajdini, kryetar i FRASH.
Omer Ajdini, kryetar i FRASH.

Omer Ajdini nga koalicioni i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa, mospjesëmarrjen në ditën kur është nënshkruar ky dokument nga partitë politike e arsyeton me mungesë të koordinimit brenda partiak. Ndërkaq, zotohet se do të kujdeset që secila pikë e atij dokumenti të realizohet në qoftë se ata e marrin pushtetin.

“Mospjesëmarrja në nënshkrimin e dokumentit me pikat për arsim të organizuar nga UNSHM ishte problem i mungesës së koordinimit. Koha e fushatës e ngarkuar edhe me barrën e pandemisë ndonjëherë po na bën të bëjmë lëshime të panevojshme si kjo në fjalë. Prandaj kërkojmë falje dhe mirëkuptim nga UNSHM. Ne jemi plotësisht të gatshëm që ta pranojmë dokumentin dhe ta nënshkruajmë atë” thotë Omer Ajdini për Portalb.mk.

Ai vlerëson se “arsimi është një nga sektorët më të shkatërruar nga politizimi dhe keq menaxhimi i pushtetit në ikje përgjatë dy dekadave të fundit. Gjendja e cilësisë në arsimin tonë u dëshmua më së miri nga rezultatet e Programit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), ku Maqedonia e Veriut u rendit dy herë me radhë si një nga performueset më të dobëta në botë”.

Mihail Novkovski, forumi rinor i koalicionit "Ripërtrirje".
Mihail Novkovski, forumi rinor i koalicionit “Ripërtrirje”.

Nga koalicioni “Ripërtrirje” i VMRO-DPMNE-së biseduam me Novkoskin, një nga rinistët e këtij koalicioni i cili tha se dokumenti nuk është nënshkruar për shkak se kanë vërejtje në pikën e katërt të dokumentit, ai shtoi se arsimi në vend duhet të bazohet në tradicionalen dhe maqedonasen.

“Në lidhje me pesë pikat të cilat i ka përgatitur Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, ne si koalicion kemi vërejtje vetëm në pikën e katërt, por është hipokrite që e njëjta të nënshkruhet nga Qeveria e cila nuk e ka lëvizur gishtin këta tri vite për arsimin në vend, por u kujdesën vetëm për xhepin e vet. Në lidhje me pikën e katërt ne jemi kundër kopjimit të librave nga jashtë, të cilat edhe në të kaluarën e kemi parë se nuk janë në favor për arsimin tonë”shembulli me kembrixhin” arsimi maqedonas duhet të bazohet në tradicionalen, autoktone të krijuara nga ekspertët tanë, pse të kopjojmë librat e dikujt kur ne kemi të tonat që në nivel botëror veprat e tyre njihen dhe vlerësohen” theksoi Mihael Novkoski nga koalicioni “Ripërtrirje”.

Fatkeqësisht, edhe pse tentuam disa here nuk morëm përgjigje nga të rinjtë e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për atë se si i vlerësojnë ata pesë pikat e lartpërmendura, dhe pse të njëjtit nuk e kanë nënshkruar dokumentin. Nga kjo parti politike përveç që nuk e nënshkruan dokumentin, refuzojnë edhe të arsyetohen për këtë.

Dokumenti i UNSHM-së.
Dokumenti i UNSHM-së.

Informojmë se ky dokument është nënshkruar nga koalicioni “Mundemi” i LSDM-BESA dhe nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe të njëjtit janë zotuar që menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të përveshin krahët për të realizuar secilën pikë të këtij dokumenti.

Gjendja e arsimit në vend, e tmerrshme

Në rezultatet e fundit të testimit ndërkombëtar PISA, i cili është realizuar në 79 shtete, nxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë së Veriut kanë zënë vendin e 67 për lexim dhe matematikë, ndërkaq vendin e 62 për dije në shkencat natyrore duke mbetur kështu në fund të listës së vendeve të rajonit.

Pavarësisht kësaj, ministri i Arsimit dhe Shkencës nuk e pa të arsyeshme të marre përgjegjësi por përkundrazi këtë të fundit e vlerësoi si hap pozitiv për shkak se siç tha ai, vendi ka arritur të ngjitet disa vende më lartë gjatë dy testimeve të fundit.

“Unë mendoj se ky është një përparim i rëndësishëm. Ky është një tregues i shkëlqyeshëm që ne jemi në rrugën e duhur, ne jemi në drejtimin e duhur, dhe natyrisht duhet të vazhdojmë”, tha menjëherë pasi u shpallën rezultatet e PISA, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Ndryshe, nga ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk kanë dalë me plan konkret për atë se si planifikojnë të zhvillojnë procesin arsimor në vitin e ardhshëm shkollor, marrë parasysh situatën e krijuar me pandeminë e virusit korona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button