Nuk është e vërtetë se tetovarët e kanë dëbuar Zaevin

Lajmin të cilin e recensojmë e filloi portali “Pa censurë” dhe më pas u publikua nga një numër i madh i medieve, të cilat kryesisht njihen për masën si megafon të një partie politike të caktuar. Në këtë lajm ka gjeneralisim të deklaratës së një personi dhe kështu manipulojnë lexuesit përmes sensacionit në titull.

Shkruan: Ardit Ramadani – Vërtetëmatës

Në këtë lajm bëhet fjalë për vizitën e ish kryeministrit Zaev në tregun e gjelbër në Tetovë, autori i këtij shkrimi konkludon se qytetarët shqiptarë “e kanë braktisur” koalicionin LSDM-BESA dhe se këtë të fundit e kanë “dëbuar” nga qyteti i Tetovës.

“Zaevin po e braktisin shqiptarët, sidomos ata të Tetovës ,fiks në momentin kur edhe anketat me kundërshtarin politik VMRO-DPMNE-në nuk janë në favorin e tij” thuhet në lajmin që e recensojmë.

Kurse për ta dëshmuar këtë, autori i këtij lajmi lexuesve nga titulli ju premton një video, ndërkaq kur hapet videoja mund të shihet qartë se e njëjta nuk korrespondon me atë të cilën gazetari i “Pa censure” e ka shkruar në lajm.

Në video shihet konfrontimi i një qytetari me kryetarin e LSDM-së ku i thotë se nuk do ta votojë atë për shkak se është i zhgënjyer si dhe përgjigja të cilën Zaev i jep qytetarit të zhgënjyer. Megjithatë, nuk është korrekte që deklarata e një qytetari të merret për bazë për atë se për kë (nuk) do të votojnë qytetarët e Tetovës në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkaq mënyra se si është i shkruar ky lajm përveç që krijon huti dhe manipulon lexuesit, ata nuk i informon për asgjë si dhe nuk janë respektuar parimet bazë të cilat parashihen në Kodeksin Etik të gazetarëve.

Në fund autori i këtij shkrimi e përfundon lajmin me një informacion tërësisht të ri, ku pretendon se është thënë diçka nga qytetarët e Tetovës, megjithatë nuk specifikon se nga kush, kur edhe ku është burimi i këtij informacioni.

“Disa prej tyre janë të mendimit se kemi mjaftueshëm parti shqiptare dhe kësaj radhe nuk kemi përse përcaktohemi për një parti maqedonase” kështu përfundon lajmi që e recensojmë.

Praktikë dhe teknikë e vjetër e manipulimit nga ana e gazetarëve është përdorimi i burimeve anonime, në momentin kur gazetari i thotë lexuesve se “disa prej tyre”, krijohet një huti e cila nuk ndihmon në informimin e lexuesve, pra në detyrën bazë të një gazetari.

Në video askund nuk dëgjohet që dikush të thotë atë që gazetari e ka cekur në lajm, respektivisht se ka mjaftueshëm parti shqiptare dhe se ata nuk kanë përse të përcaktohen në një parti maqedonase.

Ndërkaq Kodi Etik i gazetarëve thotë kështu “Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”.

Ky lajm është dëshmi se si një lajm manipulues mund të shpërndahet në disa medie dhe kështu të manipulohen një pjesë e madhe e lexuesve, lexuesit duhet gjithmonë të verifikojnë vërtetshmërinë e asaj që e lexojnë kurse në rastin konkret mjafton të shihet videoja në të cilën thirret autori për ta kuptuar se i tërë lajmi është manipulim i pastër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button