BEFASI NGJASHMËRISHË

Duke shfletuar paralelisht shkrimet e poligrafit shqiptar Faik Konicës dhe të mendimtarit të Rilindjes evropiane Mishel Montenjit, me të cilin zë fill zhanri i esesë, vërejta ngjashmëri të mëdha mes biografive, preokupimeve dhe tipareve të veprave të tyre.

Montenji – skeptiku që tallte institucionet shtetërore e kishtare dhe antivlerat letrare e shkencore, erdhi në jetë në një kohë me përçarje të përgjakshme racore e religjioze. Ai qe krijues atipik, letrar me personalitet të veçantë, me natyrë të pakënaqur dhe me tipare të pakategorizueshme. Qe ambasador e prefekt i Bordeauxit dhe synoi pavarësinë e veprimit politik. Përveç tre librave të famshëm me ese, shkroi dhe udhëpërshkrime interesante. Eseja ishte petku që i shkonte knap siluetës së shpirtit të Montenjit, i cili shkroi me jetën e tij për kulturën perëndimore. Ajo përbën shtyllën e rilindjes franceze dhe evropiane që ushtroi ndikim të dukshëm në filozofi e në letërsi. Sprovat e tij e kanë ruajtur freskinë dhe vazhdojnë të lexohen akoma. Ato janë kundër dhunës e robërisë dhe përshkohen me nota të theksuara mosbesimi në realitetin ekzistues, duke qenë se Montenjin e shoqëroi gjatë gjithë jetës fryma e dyshimit, që, për shumëkë, përbën njërin prej tipareve kyçe të një intelektuali të kompletuar. Zhanri i ri i esesë ia dha ndjenjën e lirisë dhe të veprimit, sepse i pëlqente të shkruajë jashtë skemave e rregullave. Sprovat e tij të letrarizuara dilnin dukshëm nga kornizat e sistemeve letraro-filozofike. I ndikuar nga Plutarku, Erazmo e Makiaveli…, Montenji shkroi dhe ese epistolare – do si dialogë me vetveten. Esetë e shkruara me gjuhën që u përgjigjej nuancave të mendimeve të tij, u mbështetën në përvojën jetësore. Ai la pas vetes një vepër të hapur, si gjithë letrarët e mëdhenj të kohëve moderne që lexuesin e konceptojnë si bashkautor të veprave të tyre. Qe lexues pasionant i teksteve të vjetra që i shërbenin si pikëmbështetje të përvojave personale. Përçmoi portretet statike dhe iu dorëzua procesit të ndryshimit të vazhdueshëm. Për nga kujdesi për format qe klasicist tipik. Esetë e Montenjit patën jehonë në gjithë Evropën, veçmas në shekujt XVIII e XIX.

I këtillë qe Montenji, i ngjashëm me Faik Konicën si dy pika uji të një lumi të vetëm, sepse edhe poligrafi ynë erdhi në jetë në botën e përçarë shqiptare në aspektin krahinor e religjioz; edhe Ai qe krijues atipik – i veçantë në letërsi dhe në filozofinë e tij politike; edhe Ai e pati esenë petk shpirti dhe shkroi me jetën e tij për kulturën shqiptare e evropiane; edhe Ai qe letrar dhe personalitet i veçantë, me natyrë të pakënaqur e me tipare të pakategorizueshme, lexues pasionant i teksteve të vjetra, krijues eseshë të letrarizuara dhe jashtë çdo kornize e skeme ekzistuese, që edhe sot janë paradoksalisht të freskëta dhe përbëjnë esencën e letërsisë së Rilindjes shqiptare; edhe Ai shkroi ese epistolare, që, pa dyshim, përbëjnë pjesën më të realizuar të veprës së tij, hiq Albaninë…; edhe Ai kultivoi gjuhën që u përgjigjej nuancave të mendimeve të tij dhe la një vepër të hapur letrare që përshkohet gjithashtu nga notat e theksuara të mosbesimit në realitetin ekzistues; edhe Konica qe ambasador që preferoi pavarësinë e veprimit politik dhe ishte kundër dhunës e robërisë, edhe Konica ishte i dyshimtë si Montenji dhe nuk i besonte kujt kur ishte në pyetje Shqipëria…

Siç shihet, ngjashmëritë ndërmjet dy krijuesve të shekujve të ndryshëm, që patën dhe jetëgjatësi të njëjtë (Konica jetoi 62, kurse Montenji 59 vjet), nuk kanë fund. Ato ndoshta burojnë nga formimi i tyre në shkolla të ngjashme: Faik Konica nisi ta njohë botën në Kolegjin e Jezuitëve të Shkodrës, që praktikonte një pedagogji të ngjashme me atë të Montenjit, sipas së cilës: më me rëndësi është të modelohet koka e nxënësit të mendojë, se sa të mbushet me dituri…

Njohësve të Montenjit e të Konicës nuk ka mundur t’u shpëtojë e dhëna se veprat e tyre eseistike u bënë themele mbi të cilat u ngrit letërsia moderne: ajo evropiane e nxitur nga Montenji dhe ajo shqiptare e nxitur nga Konica. Që të dy jetuan në kohëra kur mendimi për fenonemet dhe dukuritë e ndryshme duhej thënë pa eufemizma dhe kur fryma kritike ishte e vetmja armë që mund të davariste mjegullnajat e kultivuara me sistem në mendjet e masave të gjera popullore, lehtësisht të manipulueshme. Në kontekst të eseve të tyre mund të hapet paranteza mbi temën interesante të erodicionit si letërsi dhe letërsisë si erodicion, sepse në këtë aspekt të dy autorët qenë eruditë, krijues dhe mjeshtër të shfrytëzimit të citateve – autorë veprash që u shkruajtën si rezultat i librave të lexuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button