Kuvendi miratoi rezolutën për unitet politik

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projekt-rezolutën e propozuar nga deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi-Krasniqi, për “unitet politik e qytetar në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës”, transmeton Koha.net.

Pas një debati të gjatë në Kuvend, rezoluta mori përkrahjen e 61 deputetëve.

Në rezolutë përfshihen dhjetë pikat, ndër të cilat thuhej se rikujtohet se Kosova ishte viktimë e Serbia agresori e se duhet të gjendet zgjidhje e shpejtë për çështjen e të pagjeturve. Po ashtu aty thuhet se Kuvendi ia kujton bashkësisë ndërkombëtare përpjekjen 20-vjeçare për të vendosur drejtësi ndaj veprimeve të shtetit serb në Kosovë, teksa Kuvendi përsërit thirrjen për drejtësi të plotë. Po ashtu aty thuhej se Kuvendi respekton Dhomat e Specializuara dhe kërkon që puna e tyre të bazohet në respektimin e ligjeve të Kosovës e të jenë të paanshme. Me rezolutë, Kuvendi ka shprehur edhe shqetësimin për “shkeljet e mundshme procedurale të bëra me rastin e publikimit të aktakuzës së emrave përkitazi me propozim-aktakuzën e pakonfirmuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së”.

“Kuvendi i Kosovës e sheh të domosdoshëm unitetin politik për të mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës duke theksuar faktin se Kosova edhe sot përballet me Serbinë. Ky unitet politik e qytetar që ka për synim vendosjen e drejtësisë në pajtim me rendin kushtetues të Kosovës, rikonfirmon përkushtimin dhe bashkëpunimin dhe miqësinë e paanshme me SHBA-të, BE-në, NATON-n si dhe përkushtimin për fqinjësi të mirë”, thuhet ndër tjerash aty.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button