VMRO-DPMNE-ja premton se do ta bëjë gjyqësorin të pavarur, ASH-Alternativa paralajmëron veting

Sundim të së drejtës dhe reforma në gjyqësor premtojnë edhe partitë opozitare të përbërjes së fundit parlamentare VMRO-DPMNE nga blloku maqedonas dhe nga blloku shqiptar Aleanca për Shqiptarët, e cila tani është në koalicion me ish partnerin qeveritar të LSDM-së, Alternativa. Ata premtojnë se gjyqësori do të jetë i pavarur, i paanshëm, transparent dje efikas, nëpërmjet masave të cilat ata do t’i ndërmarrin nëse ata vijnë në pushtet, njofton Portalb.mk.

Nga VMRO – DPMNE në sundimin e ligjit dhe drejtësisë, kjo parti ka për qëllim të rivendosë besimin e qytetarëve në sistemin kushtetues-ligjor. Edhe pse akuzohet nga LSDM, për shkeljen e drejtësisë në gjyqësor. Sipas kësaj partie, thuhet në programin e tyre, se si parti përgjegjëse ka zbuluar të gjitha dobësitë të sistemit kushtetues-juridik dhe politik në Maqedoni dhe u përkushtohet qytetarëve se do të ofrojë zgjidhjet më të mira për tejkalimin e tyre. Për të arritur këtë qëllim synon që:

  • VMRO-DPMNE, menjëherë pas formimit të qeverisë do të formojë një grup ekspertësh me detyrë që të tregojë të gjitha dobësitë e regjistruara, dispozitat problematike, të paqëndrueshme dhe të pa zbatueshme në Kushtetutën e Maqedonisë dhe të përgatisë zgjidhje të reja, moderne, kushtetuese, në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane.
  • Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë në praktikën e deri tanishme ka treguar një mori dobësish. Operacionalizimi jo konsekuent kushtetues i parimit të ndarjes së pushteteve dhe relikteve nga sistemi i mëparshëm parlamentar (ekziston mundësia e vetë-shpërbërjes së Kuvendit, por jo shpërbërja e Kuvendit në kushte të caktuara siç është, për shembull, në një votim mosbesimi në Qeveri;
  • Maqedonia duhet të hartojë një Strategji të Përgjithshme të Zhvillimit Kombëtar që do të përcaktojë filozofinë strategjike të vendit mbi bazën e së cilës do të vendoset lidhja midis grupimeve të ndryshme, të cilat në formën e strategjive sektoriale zhvillohen për secilën zonë të veçantë. VMRO-DPMNE do të zhvillojë një sistem të posaçëm të ish studentëve që janë larguar nga Maqedonia, dhe të cilët me ekspertizën dhe lidhjen e tyre me komunitetet e biznesit në vendet ku ata punojnë mund të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe të përgjithshëm të vendit.
  • Në drejtim të rivendosjes së sistemit juridik, VMRO-DPMNE do të ofrojë zgjidhje të reja sistematike për shndërrimin e gjyqësorit në subjekte me të vërtetë të pavarur, transparent, përgjegjës dhe efikas. Qeveria e VMRO-DPMNE-së do të përgatisë një listë të kontrollit të sundimit të ligjit në një shkallë evropiane përmes së cilës zbatimi i standardeve dhe vlerave evropiane do të kontrollohet në tekstin e të gjitha drafteve ose projektligjeve përpara se ato të miratohen në Parlament. Të gjitha ndryshimet kushtetuese, propozimet dhe projektligjet nga fusha gjyqësore do t’i dërgohen Komisionit të Venecias për mendim para se ato të paraqiten në Parlamentin e Maqedonisë. Rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias ose Greko do të përfshihen plotësisht në projektligj ose fatura për të sjellë legjislacionin e vendit në përputhje me standardet dhe vlerat evropiane.

Programin e plotë zgjedhor të VMRO-DPMNE-së mund ta lexoni: KËTU

Nga partia Aleanca për Shqiptarët në koalicion me partinë Alternativa, theksojnë se Gjyqësori dhe Prokuroria Publike do duhej të ishin deri më sot në gjendje të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme jo t’i trajtojnë rastet në mënyrë selektive dhe të pabalancuar. Ata premtojnë një gjyqësor i pavarur, efikas dhe i drejtë, thuhet në programin e tyre.

Gjatë qeverisjes së tyre koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të zbatojë një numër masash prioritare për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur, efikas dhe të drejtë, si:

  • Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky proces i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kryhet nga një organ i pavarur, i themeluar enkas për këtë arsye dhe në përputhje me standardet evropiane. Ai do të ngrihet mbi bazën e tre kritereve kryesore, siç janë: vlerësimi i pasurisë, kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale. Procesi i vetingut do të kryhet duke respektuar parimin e procesit të rregullt ligjor, proporcionalitetin, barazinë, paanshmërinë dhe efektivitetin, gjithë kjo bazuar në standardet europiane.
  • Riorganizimi i gjykatave themelore dhe të apelit në bazë të rajoneve planore, kjo me synim të rritjes së efikasitetit dhe uljes së ndërhyrjeve politike, por edhe me synim e një gjyqësori më të afërt me qytetarin, më përfaqësues dhe më të besueshëm.
  • Reformimi i rolit dhe procedurës së emërimit të Prokurorit Publik Shtetëror për t’i miratuar ato në përputhje me standardet europiane.
  • Reformimi i sistemeve për emërimin, avancimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të siguruar që pavarësia e sistemit gjyqësor të respektohet dhe promovohet në të gjitha nivelet, duke e mbrojtur në të njëjtën kohë gjyqësorin nga ndërhyrjet politike. Një ndër masat do të jetë miratimi i një strategjie të burimeve njerëzore të sistemit gjyqësor,që siguron transparencë të plotë në emërimin, avancimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në avancimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
  • Zbatimi i drejtësisë në së balancuar etnike. Trupi i jurisë, që do të merret me procedimin e lëndëve në të gjitha nivelet e institucioneve të drejtësisë, në një të tretën e tij do të përbëhet nga pjesëtarë të bashkësisë etnikesë cilës i takon i pandehuri.
  • Përmirësimi i sistemit informativ për menaxhim të automatizuar të rasteve të gjykatave për të siguruar funksionalitet dhe besueshmëri të plotë, pa ndërhyrje politike dhe me mundësi të nxjerrjes së të dhënave në nivelin qendror.
  • Rritja e transparencës së gjykatave. Sistemet e brendshme të gjykatave për menaxhim të rasteve janë shumë të limituara në aspekt të funksioneve dhe raporteve që gjenerohen. Me qellim të mbledhjes dhe publikimit të të gjitha informatave me interes publik, që procedohen në gjykata në nivel të shtetit, do të ngremë një agregator të integruar.
  • Ndryshimi i Ligjit për noterë dhe Ligjit për përmbarim, për ta rritur kështu konkurrencën dhe për ta liberalizuar tregun me qëllim të rritjes së qasjes në drejtësi. Kostoja e përgjithshme e zbatimit dhe kohëzgjatja e procedurës vazhdojnë ta pengojnë efikasitetin e sistemit. Kjo, së bashku me praninë e detyrueshme të një avokati në procedurat para noterëve (përfshirë në çështje trashëgimore), e pengon qasjen në drejtësi. Prandaj duhet të përmirësohet monitorimi i veprimtarisë së përmbaruesve nga dhoma përgjegjëse dhe Ministria e Drejtësisë.
  • Ekzekutimi i shpejtë i të gjitha gjykimeve të GJEDNJ-së kundër vendit, duke hartuar lista të masave praktike dhe efektive në secilin rast ose kategori rastesh, si dhe duke i forcuar kapacitetet financiare dhe njerëzore të Byrosë për Përfaqësim pranë GJEDNJ-së.
  • Përmirësimi i situatës në burgje dhe vendet e tjera të mbajtjes, duke adresuar rekomandimet e papërmbushura të Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor ose Degradues, si dhe duke marrë masat e duhura për të gjitha rastet e keqtrajtimit.

Programin e plotë zgjedhor të ASH-së dhe Alternativës mund ta lexoni: KËTU

Edhe partitë tjera që dalin në zgjedhje kanë premtuar gjyqësor të drejtë, efikas dhe transparent. KËTU mund të lexoni se çfarë premtojnë për gjyqësorin partitë e pushtetit të përbërjes së fundit parlamentare.

Ndryshe, më 15 korrik në vend  mbahen zgjedhjet e dhjeta parlamentare, zgjedhjet e pesta të parakohshme parlamentare që nga pavarësia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button