Rëndësia e votimit

Mbeten edhe më pak se një javë deti tek dita e votimin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2020. Më pak se një javë për të vendosur për opsionin që duhet të qeverisë me shtetin në katër vitet e ardhshme. Fushata parazgjedhore është në kulminacion. Në debatet televizive të përditshme dhe në takimet me qytetarët shpalosin platformat e të gjitha partive politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje. E gjithë situata shpesh herë duket si një kakofoni zërash dhe ofertash të ndryshme, herë të qarta por shpesh edhe shumë të paqarta, që në vend se t’i shtjellojnë gjërat dinë të mbjellin shumë konfuzion mes votuesve.
Parti që dita ditës ndryshojnë partnerët koalicionues, lëvizje politike që spostohen nga e majta në të djathtë, koncepte nacionaliste e multietnike të bëra lëmsh… Vërtet nuk është shumë e lehtë për votuesin të përcaktohet se çfarë në fakt dëshiron të votojë, sepse mesazhet janë shpesh kundërthënëse dhe jokonzistente.

E megjithatë, demokracia nuk ka element tjetër më të rëndësishëm se momenti i votimit dhe marrjes së vendimit për atë se kush duhet të udhëheqë me shtetin për katër vitet e ardhshme. Që nga kohët e lashta të Greqisë dhe Romës antike, përmes parlamentarizmit Britanik, e deri tek demokracitë përfaqësuese të shteteve moderne, nuk ka tjetër sistem që në mënyrë efikase mundëson shprehjen e mirëfilltë të vullnetit qytetar gjatë zgjedhjes së udhëheqësisë së shtetit. Në ditën e votimeve qytetari është sovrani, ndërsa politikani është subjekti ardhmëria e të cilit është tërësisht e pasigurtë. Ky është momenti kur sillet vendimi, ky është momenti kur qytetari vendos për kahjen që shteti do e marrë në vitet e ardhshme.
Si i tillë, ai moment është unik dhe shumë i rëndësishëm, gjithmonë kur ka zgjedhje, referendum ose formë tjetër të vendimmarrjes demokratike. Si i tillë ai moment kyç assesi nuk duhet anashkaluar ose neglizhuar nga bartësit e të drejtës për të votuar.

Ka të tillë qytetarë që në kohëra kur mesazhet politike janë jo të qarta ose konfuze, ose shumë të ngatërruara ose jo sa duhet konzistente, vendosin ti dënojnë të gjithë politikanë duke mos dalë në votim në ditën e zgjedhjeve. Për fat të keq kjo gjë nuk dënon askënd nga politikanët por i dënon të gjithë qytetarët. Në këtë mënyre qytetari heq dorë nga e drejta e tij natyrore për të zgjedhur udhëheqësin. Në këtë mënyrë ky qytetar kontribuon direkt në marrjen e vendimeve të gabuara. Sepse në fund të fundit qeveritë zgjidhen me ose pa votat e abstenuesve, ndërsa ata e humbin mundësinë për të shprehur qartë vullnetin e tyre.

Çdo vullnet i shprehur është më i rëndësishëm dhe më i sinqertë se vullneti i pashprehur. Problemet asnjëherë nuk janë zgjidhur me abstenim por me shprehje të qartë të përkrahjes ose mospërkrahjes së opsioneve të ofruara.

Prandaj, me 15 korrik, dil dhe voto!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button