fbpx

Shqiptarët e Luginës dialogojnë me qeverinë serbe

Është zhvilluar sot takimi i parë ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe përfaqësuesve të qeverisë serbe me ndërmjetësimin e OSBE-së në Bujanoc, me qëllim të “vazhdimit të dialogut të ndërprerë” për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të kësaj zone. Takimi i sotëm ishte i pari që pas heqjes së lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në qendër të Preshevës nga xhandarmëria serbe.

Me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Misionit të OSBE-së në Serbi, është zhvilluar sot takimi i parë i ashtuquajtur për “vazhdim të dialogut në mes të përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe Qeverisë së Serbisë”.

Përderisa në takim merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike që tubojnë shqiptarët e Luginës, qeverinë serbe e përfaqësonte Kryetari i Trupit Koordinues qeveritar për Jug të Serbisë, Zoran Stankovic.

Në takimin e sotëm i cili u mbajt pa pranin e medieve, shqiptarët duket të ishin të përgatitur. Ata gjatë takimit siç mësohet ia kanë dorëzuar një listë kërkesash përfaqësuesit të qeverisë serbe, përmes së cilës janë kërkuar zgjidhjet e një varg kërkesave jetike për shqiptarët e këtushëm, transmeton RTK.

Takimi i sotëm është i pari që pas heqjes arbitrare të Pllakës Përkujtimorë të Dëshmorëve të UÇPMB-së në qendër të Preshevës, nga ana e xhandarmërisë serbe.

Ndryshe as takimi i sotëm nuk ka kaluar pa tensionim të gjendjes në Luginë.

Në orët e para të ditës së sotme persona të paidentifikuar kanë hequr nga ballkoni i godinës së Këshillit Kombëtar Shqiptarë, flamurin kombëtar të cilin autoritetet e Këshillit Kombëtar e patën vendosur që nga 28 nëntori i vitit të kaluar dhe asnjëherë nuk e kishin hequr përkundër kërcënimeve dhe urdhëresave të ndryshme të autoriteteve shtetërore serbe. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button