Trump u bën presion guvernatorëve të rihapin shkollat

Presidenti i SHBA Donald Trump, i cili po u bën thirrje shteteve amerikane të hapin shkollat në vjeshtë, kërcënoi të mërkurën se do të ndërpresë fondet federale për ato shtete që nuk i hapën, transmeton VOA.

Presidenti shkroi në Twitter: “Demokratët mendojnë se do të ishte keq për ta nëse shkollat amerikane hapen para zgjedhjeve të nëntorit, por hapja është e rëndësishme për fëmijët dhe familjet. Mund të ndërpresim fondet nëse nuk hapen!” Presidenti vuri në dukje gjithashtu se në disa vende evropiane shkollat janë të hapura pa asnjë problem.

Nuk është e qartë se për çfarë ndihme konkretisht e kishte fjalën presidenti në komentin e tij. Në SHBA, në bazë të Kushtetutës, secili shtet është përgjegjës për arsimin fillor dhe të mesëm, por qeveria federale ofron një ndihmë shtesë.

Të martën në aktivitete të ndryshme në Shtëpinë e Bardhë zyrtarët e administratës Trump bënë thirrje për rihapjen e shkollave.

Në shtetin e Nju Hempshër një nga shkollat përdori teleferik për një ceremoni diplomimi me qëllim për të siguruar mbajtjen e distancës fizike. Kjo është vetëm një nga masat krijuese që shkollat amerikane po ndërmarrin gjatë pandemisë. Por përtej rrethanave shkollat mund të rihapen së shpejti për vitin e ri shkollor. Presidenti Trump kërkon që kjo të ndodhë në kohë, në gusht ose shtator.

Do t’i bëjmë shumë presion guvernatorëve dhe gjithë të tjerëve për të hapur shkollat“, tha Presidenti Donald Trump.

Shkollat janë pjesë e një plani më të gjerë të presidentit për të rifilluar funksionin normal të ekonomisë, ndërsa po afrojnë zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor. Fëmijët që kthehen në shkollë do t’u japin mundësi prindërve të kthehen në vendet e tyre të punës. Me goditjen e vendit nga pandemia më shumë se 50 milionë nxënës i ndoqën mësimet në internet deri përpara pushimeve verore.

Shoqata amerikane e Pediatrisë ka rekomanduar që nxënësit të kthehen në shkollë në një farë forme në mënyrë që të mos mbeten pas në mësime, një rekomandim që është mbështetur edhe nga ekspertë të sëmundjeve infektive.

Shumë prej nesh pajtohen me atë se shkollat duhen hapur përsëri këtë vjeshtë, por do të shohim se si ta bëjmë këtë gjë. Kujdesi është shumë e rëndësishëm”, thotë William Schaffner, i shkollës së Mjekësisë në universitetin Vanderbilt.

Por sipas një studimi të Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve, vetëm 20 për qind e prindërve ndihen të sigurt për t’i çuar fëmijët e tyre sërish në shkollë. Prindërit me bindje republikane kanë dy herë më shumë të ngjarë të ndjehen mirë për ta bërë një gjë të tillë, krahasuar me ata demokratë. Mesazhet e përziera nga zyrtarët federalë dhe ata shtetërorë lidhur me masa paraprake siç janë maskat, kanë kontribuar në ankthin e prindërve.

Rihapja e shkollave nuk është thjesht një vendim që merret nga qeveritarët, mbikëqyrësit apo drejtorët e shkollave e mësuesit. Është një vendim që kërkon edhe pjesëmarrjen e prindërve. Ata duhet ta dinë se shkollat po marrin masat e duhura për t’i mbrojtur fëmijët e tyre. Problemi nis kur udhëzimet bien në kundërshtim me njëri-tjetrin. Kjo krijon këtë situatë të pasigurt për prindërit që përpiqen të marrin një vendim ndërsa dëgjojnë lloje të ndryshme udhëzimesh nëse një shkollë duhet të bëjë një gjë X apo një tjetër“, thotë John Bailey, Instituti i Ndërmarrjeve Amerikane.

Ndërsa koronavirusi shkakton rrallë sëmundje tek fëmijët, ekziston shqetësimi se ata mund t’ua transmetojnë virusin anëtarëve të familjes sikurse ndodh me gripin.

Nuk e dimë çfarë ndodh në këtë rast. A infektohen fëmijët nga COVID-19 dhe nëse ata e transmetojnë atë apo nëse është shumë e vështirë që ky virus t’i infektojë fëmijët? Këto studime janë ende në zhvillim e sipër“, William Schaffner, Shkolla e Mjekësisë Universitare Vanderbilt

Në muajin prill qeveveria federale u dha 13 miliardë dollarëve shkollave dhe universiteteve si ndihmë për të kaluar në mësimdhënien në internet. Mbetet e paqartë nëse qeveria ka në plan të ofrojë fonde shtesë për rihapjen e shkollave në mënyrë të sigurt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button