Libi, beteja për qytetin Sirte, mobilizohen forcat qeveritare dhe të gjeneralit Haftar

Ndërsa intensifikohet beteja për të rifituar qytetin Sirte në Libi, mijëra luftëtarë të huaj nga Rusia, Turqia dhe vende të tjera vijojnë operacionet për t’u dalë në krah palëve të kundërta në konflikt. Qyteti verior shihet si një nyjë strategjike për sa i përket eksporteve të naftës, transmeton OraNews.

Qyteti Sirte në Libi pritet të jetë fushëbeteja e radhës mes forcave besnike të qeverisë dhe atyre kundërshtare të komandantit të Ushtrisë Kombëtare Libiane, Kalifa Haftar.

Një karvan automjetesh të armatosura të luftëtarëve nisën përgatitjen gjatë ditës për mësymjen drejt qytetit verior, i lokalizuar mes Tripolit dhe Bengazit.

Qendra e banuar kontrollohet që prej janarit nga gjeneral Haftari me mbështetjen e Rusisë, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Për zëdhënësin e ushtrisë zyrtare, qyteti Sirte ka rëndësi strategjike për grupet milice për shkak të vendndodhjes si korridor afër fushave naftëmbajtëse të vendit.

“Për ne nuk ka dallim mes Sirtes dhe ndonjë qyteti tjetër që ruhet në mënyrë kriminale nga milicët. Çdo qytet është i rëndësishëm dhe strategjik. Por bandat e shohin Sirten si hyrje drejt porteve dhe fushave të naftës që ata i kontrollojnë për të provokuar shtetin”

Forcat e paktit kombëtar po synojnë të zmbrapsin rivalët nga brigjet mesdhetare, pasi nga muaji maj kanë mundësuar tërheqjen e tyre nga disa territore kyç afër kryeqytetit.

Megjithëse qytetet janë rifituar pa shumë rezistencë, përpara largimit, kundërshtarët e udhëhequr nga komandanti Haftar janë siguruar që zonat të minohen në fshehtësi, duke u marrë jetën deri tani gati 140 civilëve dhe ushtarëve të xhenios që tentonin t’i çaktivizonin.

Këto dhe varret masive nëpër qytetet po hetohen si shkelje të ligjit ndërkombëtar të luftës.

Përpos dy palëve kryesore në konflikt, përplasjet kanë vënë edhe Turqinë përballë fqinjëve si Egjipti apo aleatëve si Rusia, të cilët mbajnë pozicione të kundërta në luftën disavjeçare libiane.

Secila prej këtyre shteteve raportohet të ketë dërguar mbështetje ushtarake, pajisje luftarake madje edhe mercenarë për të mbrojtur interesat vetjakë.

Palët në Libi vazhdojnë bisedimet për armëpushim që nga fillimi i tensioneve në vitin 2014, ndërsa vendi mbetet pre e dhunës nga 2011, që prej rrëzimit nga pushteti dhe vrasjes së diktatorit Muamar al-Gadafi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button