“Marshi i Paqes”, të mbijetuarit e gjenocidit në Srebrenicë nderojnë viktimat

Të mbijetuarit e Srebrenicës ishin në fillim të kolonës së Marshit të Paqes që filloi mëngjesin e sotëm nga Maja e Zezë, afër Zvornikut, për të nderuar ata që u vranë në gjenocidin e kryer në vitin 1995 në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Marshi i Paqes 2020”, i cili në aspektin e organizimit u mbajt në kushte të vështira për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), filloi nga Maja e Zezë në vend të Nezukut, siç ishte traditë në vitet e kaluara.

Për dallim nga vitet e kaluara, kur mijëra njerëz nga e gjithë bota morën pjesë në “Marshin e Paqes”, këtë herë dhjetëra persona u nisën nga Maja e Zezë, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do të bashkohen me ta në kampin Liplje.

“Marshi i Paqes” i këtij viti do të mbahet në tre faza, kështu që pjesëmarrësit do të kalojnë natën në Gllodi, ku dhe do të vendoset kampi. Natën e dytë (9 korrik) kampi do të vendoset në Mravnjaci. Mbërritja e pjesëmarrësve të “Marshit të Paqes” në Qendrën Përkujtimore Srebrenica-Potoçari pritet pasditen e 10 korrikut.

Kreu i Nënkomitetit të “Marshit të Paqes 2020”, Munir Habiboviq, tha se numri i pjesëmarrësve në Marshin e Paqes është kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne duhet t’u përmbahemi masave epidemiologjike. Të mbijetuarit do të udhëheqin Marshin e Paqes. Të gjithë ata që u shfaqën mbrëmë deri në mëngjesin e sotëm në kampin e Lipljes do të jenë të akredituar dhe pjesëmarrës në Marshin e Paqes. Nuk do të kthejmë askënd. Unë nuk mund t’ju them numrin e saktë të pjesëmarrësve sepse kemi të akredituar këtu dhe në Liplje. Tani nuk mund të flasim për numrin e pjesëmarrësve, mund të ketë 500 pjesëmarrës. Secili pjesëmarrës duhet të plotësojë broshurën epidemiologjike, t’i matet temperatura”, tha Habiboviq.

Siç tha ai, kanë vendosur, nëse shfaqet një numër pak më i madh i njerëzve, do të vendosin radhë në vende të caktuar dhe në çdo 10-15 minuta do të lëshojnë nga dhjetë persona. Habiboviq njoftoi se ata po ashtu kanë numër më të madh të mjekëve dhe spitaleve mobile.

Në kolonë ishte edhe Almedin Beqiroviq, njëri nga të mbijetuarit e gjenocidit të vitit 1995.

“Fatkeqësisht, në këtë rrugë humba dy vëllezër. E kam kaluar tërë luftën në Srebrenicë. Në vitin 1995 u nisëm në Kodrën e Gurit për depërtim. Jam plagosur këtu. Vëllezërit më mbajtën. Në fund iu luta të më linin. Pas 48 ditëve mbërrita në territorin e lirë afër Kladanjit”, tha Beqiroviq.

Edhe sot, siç tha ai, ku kalon një pjesë të rrugës ku ka udhëtuar në vitin 1995, ai ndalet dhe thotë se ky është vendi i tij i ri i lindjes.

“U bëj thirrje të gjithë njerëzve që e dinë ku ndodhen varret masive, të na tregojnë atë”, tha Beqiroviq për AA.

Salih Mulaliq filloi sot nga Maja e Zezë në rrugën për në Potoçari.

“Unë jam nga të mbijetuarit e kolonës së vdekjes së muajit korrik 1995. Marshi i Paqes, për mua, mbi të gjitha, është një kujtesë e rrugës së vdekjes dhe shpëtimit, si dhe të të gjithë atyre që u vranë në këtë depërtim. Ne shënojmë Marshin e Paqes në mënyrë që të mos harrojmë atë që na ndodhi në vitin 1995. Le t’ua kalojmë brezave tanë dhe kurrë askujt të mos i përsëritet Srebrenica”, tha Mulaliq.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Muharem Mujçinoviq, i cili po ashtu i mbijetoi “rrugës së vdekjes”.

“Kam kaluar këtë rrugë 25 vite më parë. Është një ndjenjë e veçantë të jesh përsëri në këtë rrugë. Është një përsëritje e skenave të vdekjes dhe të jetuarit. Është e vështirë të kalohet kjo rrugë”, tha Mujçinoviq.

“Marshi i Paqes”, një ecje tre-ditore e organizuar që nga viti 2004 për të shënuar përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, simbolizon ruajtjen e kujtesës dhe parandalimin e mohimit të asaj që ndodhi në verën e vitit 1995 dhe përreth Srebrenicës.

Familjet e viktimave të boshnjakëve të masakruar në gjenocidin e Srebrenicës në muajin korrik të vitit 1995 në Bosnjë e Hercegovinë, përjetojnë paqen e hidhur pasi u zbuluan mbetjet mortore të të dashurve të tyre do kenë një varr ku do të mund t’i vizitojnë pas 25 vitesh.

Më 11 korrik të shtunën, në përvjetorin e 25-të të gjenocidit, do të mbahet ceremoni përkujtimore dhe do të varrosen edhe 8 viktima të gjenocidit në varrezat Potoçari.

Një ndër viktimat që do të varroset këtë vit pasi një pjesë të mbetjeve mortore të tij u gjetën në varrezat masive është Bajro Salihoviç. Ai ishte masakruar nga ushtarët serbë në gjenocidin e njohur si tragjedia më e madhe humanitare pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Biri i Bajro, Bahrudin Salihoviç në deklaratën për Anadolu Agency (AA) tha se edhe pse eshtrat e babait të tij në varrezën masive nuk janë plotësuar, nuk dëshirojnë të presin dhe se do ta varrosin këtë vit. Ai tha se herën e fundit e kishte parë më 11 korrik 1995.

Salihoviç shpjegon se si gjithkund e ka kërkuar babain e tij por nuk ka mundur ta gjejë, duke treguar se pas 9 ditëve ka arritur në zonën e kontrolluar nga ushtarët boshnjakë në pyll dhe ata që e kanë parë i kanë treguar se babai i tij është kthyer në drejtim të Srebrenicës.

Për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) ai tregon se vëllezërit dhe motrat e tij nuk do të mund të marrin pjesë në varrimin e babait të tyre.

“Marshova në mesin e njerëzve të vrarë në pyll, marshova nëpër kufoma”, tha ai duke rikujtuar kujtimet e tij kur ai ishte 25-vjeç gjatë periudhës së gjenocidit në vitin 1995.

Sipas tij, janë duke e përjetuar lumturinë e hidhur pasi pas 25 vitesh do ta varrosin babain e tyre, “Do t’i sjellim fëmijët tanë në varrin e gjyshit të tyre, ku do t’u tregojmë se si e kemi humbur atë në gjenocid”, tha Salihoviç.

Familjet e viktimave të Srebrenicës, pas 25 vitesh do t’i varrosin të dashurit e tyre

Mihad Zukanoviç, i cili gjatë gjenocidit ka qenë në moshën 8-vjeçare, këtë vit do të varrosë gjyshin e tij Ibrahim Zukanoviç. Ai rikujton se si gjyshi i tij e ka puthur atë për herë të fundit, një moment i paharrueshëm për të.

Ai tregoi se është rritur me gjyshin e tij në Srebrenicë dhe asnjëherë nuk është ndarë nga ai. “Në fushë shkonim së bashku. Kishte një xhaketë të kaltër që nuk e hiqte asnjëherë”, tha ai.

Zukanoviç rikujton se pasi qytetin e kanë pushtuar forcat serbe bashkë me nënën dhe motrën e tij ka shkuar në Potoçari, tek ushtarët holandezë që shërbenin në kuadër të OKB-së, duke treguar se kanë kërkuar gjyshin në mesin e mijëra njerëzve por nuk kanë arritur ta gjejnë.

Më tej, ai tregon një kujtim të tij, kur gjatë qëndrimit në Potoçari, një mbrëmje ka dashur të shkojë në tualet dhe e ka parë një njeri që e ka varë veten pas një kamioni. Kjo ngjarje e kishte frikësuar shumë atë. Ai thotë se shumë njerëz në këtë mënyrë i jepnin fund jetës për të mos u dorëzuar te serbët.

Çfarë ndodhi në Srebrenicë?

Më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurtë” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.

Srebrenica u rrethua nga forcat serbe që po përpiqeshin të pushtonin territore nga muslimanët dhe kroatët boshnjakë për të formuar shtetin e tyre.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së kishte shpallur Srebrenicën si “zonë të sigurtë” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, kaluan në zonën e OKB-së.

Trupat holandeze nuk arritën të ndërmerrnin masa kur forcat serbe pushtuan zonën dhe vranë 2.000 meshkuj vetëm më 11 korrik. Rreth 15.000 persona të tjerë ikën nga Srebrenica në malet përreth, por trupat serbe vranë 6.000 prej tyre në pyje.

Në ceremoninë e këtij viti do të varrosen edhe 8 viktima të identifikuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button