RMV, u diskutua raporti vjetor i Agjencisë së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët ku u diskutua raporti vjetor i Agjencisë së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Tryeza e rrumbullakët me temë “Prezantimi i Raportit të të Drejtave Themelore 2020: Vlerësimi i standardeve të të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut përmes prizmit të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian (BE), para hapjes së negociatave për pranimin në BE” u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komiteti i Helsinkit dhe Instituti i Politikave Evropiane.

Duke rikujtuar se raporti është publikuar më 11 qershor, ministri Dimitrov theksoi se kjo është hera e parë që Maqedonia e Veriut është pjesë e këtij raporti.

“Qëllimi i këtij takimi është të shohim se ku po qëndrojmë mirë, ku mund të bëjmë më mirë, ku po bëjmë gabime, në mënyrë që të arrijmë një nga idealet civilizuese të Evropës këtu tek ne, e kjo do të thotë që njeriu të jetë i barabartë dhe të jetojë në një shoqëri të lirë dhe të drejtë, ku sundon ligji”, tha Dimitrov.

Drejtoresha e Institutit të Politikave Evropiane, Simonida Kacarska tha se instituti ka përgatitur raportin për Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar, duke shtuar se në këtë mënyrë vendi është bërë pjesë e mekanizmave të monitorimit të Agjencisë së të Drejtave Themelore të BE-së.

“Raporti regjistron arritjet kryesore, përfshirë Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të cilin ne e dimë se Gjykata Kushtetuese e anuloi. Në fakt, njëra nga porositë kryesore që sot ne si organizatë hulumtuese do të donim të jepnim, është nevoja që përbërja e re parlamentare t’i rikthehet kësaj çështjeje sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha Kacarska.

Ajo gjithashtu tha se Maqedonia e Veriut në masë të madhe e ka harmonizuar legjislacionin me BE-në, por theksoi se në shumë sfera vendi duhet të fokusohet në zbatimin e ligjeve dhe ndërtimin e praktikës ligjore.

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, në fjalimin e tij tha se Maqedonia e Veriut bëri hapin e parë në vitin 2018, kur emëroi një anëtar-vëzhgues në Agjencinë e të Drejtave Themelore të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button