fbpx

Bellingket: Përpjekjet ruse për ndikim në Maqedoninë e Veriut

Në një tekst të titulluar„Russian interference in North Macedonia: A View Before the Elections“ (Ndërhyrja ruse në Maqedoninë e Veriut: Një vështrim para zgjedhjeve”, të publikuar nga portali i njohur për gazetari hulumtuese “Bellingcat” (Bellingket), ndërsa i shkruar nga аutori Jordan Callov, me përkrahje nga Journalismfund.eu, janë paraqitur numër i madh informatash dhe përpunohen ndikimet ruse mbi vendimmarrjen në vend, shkrua Meta, transmeton Portalb.mk.

Në fillim të tekstit theksohet që anëtari më i ri i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut ka një nga shkallët më të këqija të korrupsionit në Evropë, sipas Indeksit të Transparensi Interneshënëll për perceptim të korrupsionit  dhe vlen si një nga vendet me “kulturën politike më së paku të zhvilluar në Evropë”, sipas Indeksit të demokracisë në “Ekonomist”.

“Mbi të gjitha, Maqedonia e Veriut vazhdon me ambiciet e saj ta përforcojë bashkëpunimin ekonomik me Rusinë dhe siç ka theksuar ambasadorja e SHBA-së në NATO, Kejt Bejlli Haçinson gjatë epidemisë së kovid-19, vendi është nën ndikim serioz të fushatës së madhe dezinformuese nga Moska dhe Pekingu, mirëpo bën shumë pak për t’iu kundështuar asaj propagande”, shkruan Callov në tekstin e publikuar në Bellingket.

Rrugë e turbullt drejt integrimit me Perëndimin

“Para se të ndalet në kursin e vet Perëndimor, Maqedonia e Veriut një dekadë ishte në kthetrat e liderit аutoritar – kryetari i VMRO – DPMNE-së nacionaliste, Nikolla Gruevski, i cili intensivisht stimulonte përçarje të brendshme ndërmjet shumicës krishtere dhe pakicës muslimane shqiptare, si dhe konflikte me pjesën më të madhe të fqinjve – Greqinë, Bullgarinë dhe Shqipërinë. Kjo u përshtatej interesave të Kremlinit. Nga njëra anë, kontesti me emrin me Greqinë e bëri të pamundur aderimin e Shkupit në BE dhe NATO, ndërsa në anën tjetër, autoritarizmi dhe nacionalizmi i Gruevskit i mundësoi Rusisë të jetë një nga përkrahësit kryesor të regjimit të tij. Sikur edhe që është pritur, me rrënien e Gruevskit filloi edhe fushata ruse kundër çfarë do ndryshimi të statusit-kuo”, thuhet në fillim të analizës së Bellingket.

Duke e sqaruar ndërrimin e pushtetit në vitin 2017, në analizë thuhet që pas të enjtes së gjakshme, kryeministri i ardhshëm Zoran Zaev ka bërë të ditur që ka prova për ndikim rus për atë që ai e ka quajtur “tentativë e Moskës të realizojë ndikim”në Maqedoninë e Veriut dhe e ka krahasuar gjendjen me tentativën për grushtshtet një vit më parë në Mal të Zi, ku prokuroria inicoi akuza kundër dy oficerëve të GRU, zbulimi ushtarak rus.

“Megjithëse tentativa për grushtshtet në Mal të Zi ishte parandaluar, fushata për ndikim në Maqedoni sa kishte filluar, me theks në kontestin për emrin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë… Kur Zaev dhe kolegu i tij nga Athina, Aleksis Cipras u dakortësuan ta zgjidhin kontroverzën dekadëshe, një grup agjentësh të ndryshëm, me spektër nga spiuna deri në biznesmenë të lidhur me Kremlinin, nisën fushatë në përpjekje për t’i lëkundur këto përpjekje diplomatike. Në korrik 2018, disa javë pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Prespë, Athina largoi dy diplomatë rus për stimulim të kundërshtimit të marrëveshjes në vend. Kjo ndodhi edhe përkrah politikës relativisht miqësore të Greqisë ndaj Rusisë. Vetëm katër muaj më parë Ciprasi refuzoi të përjashtojë diplomatë për shkak të rastit me helmimin e anëtarëve të Skripalj”, shkruan Belingket.

Më tutje në tekst thuhet që kryeministri i atëhershëm Zaev ka shprehur shqetësim për përpjekjet e një biznesmeni grek-rus, ish deputet i partisë qeveritare në Rusi, Rusia e Bashkuar, të stimulojë revoltë nacionaliste në vend. Ky biznesmen, Ivan Savidis, ka qenë i akuzuar për korruptim të shtetasve maqedonas që anojnë kah e djathta dhe huliganë futbolli, si dhe pjesëtarë të shërbimit kishtar dhe të pushtetit në Greqi për nxitje dhe kundërshtim të Marrëveshjes nga Prespa. Edhe shërbimi i zbulimittë SHBA-së ka arritur të kap komunikime të cilat tregojnë që Savidis ka punuar si “mashë” e Kremlinit, siç ka shkruar “Njujorks Tajms”.

Lokacioni i braktisur ndërtimor për kishën“Shën Trojica” në stilin rus afër kompleksit sportiv “Jane Sandanski” dhe hotelit “Rusija” në Shkup. Të gjitha objektet janë në lidhje me biznesmenin rus Sergej Samsonenko. Foto: Meta.mk.

“Në qershor 2018, pasi në Shkup u organizuan demonstrata të dhunshme kundër marrëveshjes, disa gazetarë hulumtues siguruan prova që Savidis ka siguruar së paku 300.000 euro për stimulim të kundërshtimit të marrëveshjes, duke e përfshirë këtu edhe fushatën në rrjetet sociale qëllimi i së cilës ishte të zvogëlohet dalja në referendum në shtator për ndryshimin e emrit. Në ngjаrjet e dhunshme kanë marrë pjesë edhe huliganë, tifozë të klubit të futbollit Vardar, që është në pronësi të milionerit rus Sergej Samsonenko, i cili jeton në Shkup. Në fund, dalja ishte nën 50 përqind, që ishte limiti i duhur që rezultatet nga referendumi të jenë obligative. Sa krejt kjo është rezultat i ndikimit rus është e vështirë të thuhet, mirëpo shumë është e rëndësishme të theksohet që pjesë e madhe e propagandës nacionaliste është dukе u nxitur, ndërsa në disa raste edhe duke u krijuar nga Kremlini“, thuhet në analizën e Callovit të publikuar në “Bellingket”.

Masa aktive: një dekadë shtet i kapur

Analiza thekson që në vitin 2017, Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP) dhe partnerët e vet kanë siguruar numër të madh dokumentesh zbulimi që tregojnë se spiunët dhe diplomatët rus kanë qenë të inkuadruar në thuajse një dekadë përpjekje të gjata për të përhapur propagandë dhe të nxisin mosdakortësime në Maqedoni, si pjesë e përpjekjeve rajonale për t’u penguar vendet ballkanike të aderojnë në NATO dhe BE.

Sipas brifingut të kundëzbulimit të Maqedonisë nga viti 2017, nëntë vite vendi “ka përjetuar propaganda të forte subversive dhe përpjekje të shërbimeve të zbulimit të realizuara nëpërmjet ambasadës së Federatës Ruse (RG). Operacionet ruse kanë filluar në vitin 2008, kur Maqedonia ishte e bllokuar të anëtarësohet në NATO për shkak të kontestit për emrin me Greqinë”, shkruan Bellingket.

Ky dokument, i përgatitur për Vlladimir Atanasovski, drejtor i Drejtorisë së Maqedonisë për siguri dhe kundërzbulim thotë “Me përdorim të mjeteve dhe metodave të ashtuquajtura ‘forcë e butë’, si pjesë e strategjisë së FR në Ballkan, qëllimi është vendi (Maqedonia) të izolohet nga ndikimi i Perëndimit”, dhe përmend disa mënyra si Kremlini përpiqet ta realizojë ndikimin:

– Politika e jashtme ruse është në lidhje të ngushtë me strategjinë energjetike të Kremlinit, që ka për qëllim të kontrollohen resurset energjetike nëpërmjet partneritetit me vendet ballkanike. Për shembull, kompania ruse “Strojtransgaz” ka filluar ndërtimin e gazsjellësit në vend në vitin 2015, për ta mbajtur Maqedoninë në sferën energjetike ruse.

– Aktivitetet e zbulimit rus zbatohen nëpërmjet ambasadës së tyre në Shkup nga tre agjentë të Servisit rus për zbulim të jashtëm (SVR), i mbikëqyrur nga stacioni në kryeqytetin serb, Beograd, si dhe nga katër agjentë të GRU-së, të koordinuar nga Sofja. Krahas kësaj, Kremlini ka vendosur edhe ekip lokal të agjencisë ruse për gazetari TASS dhe “Россотрудничество” dhe nga konsulatet e nderit në Manastir dhe Ohër si “baza zbulimi”.

– Përpjekjet për t’u rekrutuar pjesëtarë të armatës dhe policisë së Maqedonisë, në tentativë të krijohet “masë kritike e pjesëtarëve me trajnim ushtarak, të cilët në moment apo situatë të caktuar politik do të përdoren për t’i arritur interesat ruse”.

– Përpjekje për t’u ndikuar në mediat e Maqedonisë dhe të financohen, duke i përfshirë ato të dedikuara për pakicën shqiptare në vend, për t’u shpërndarë “informata dhe dezinformata” për përkrahjen e qëllimeve të politikës ruse.

Kishë me stil rus në oborrin e hotelit TCC Grand Pllaza në Taftalixhe, Shkup. Foto: Meta.mk.

“Krahas asaj, ka pasur përforcim të konsiduerueshëm të ndikimit kulturor rus në vend, me propagandën e identitetit “pansllavjan” dhe konfesionin e përbashkëtortodoks, me ç’rast janë krijuar rreth 30 shoqata maqedono-ruse për bashkëpunim, hapje e Qendrës kulturore ruse në Shkup dhe sponzorim të ndërtimit të kishave në stilin rus nëpër vend”, shkruan Bellingket, duke paraqitur detaje nga dokumenti i përpiluar për drejtorin e DSK-së.

Siç thotë Callov në analizë, aspekt tjetër ka qenë ndikimi ekonomik, që nuk është i kufizuar vetëm në sektorin energjetik. “Derisa ndikimi politik rus ka për qëllim t’i shfrytëzojë dobësitë e shoqërive në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe t’i dobësojë institucionet liberale, ndikimi ekonomik rus përpiqet të manipulojë me dinamikat e tregut në rajon dhe t’i shfrytëzojë vrimat në sistemin e qeverisjes për të krijuar profite të padrejta dhe të ndikojë në miratimin e vendimeve në vendet”, thuhet në “The Kremlin Playbook”, raporti i Center for Strategic and International Studies (Qendra për studime strategjike dhe ndërkombëtare).

Si shembull që përmendet nga Bellingket është kompania për miniera “Sollvej Grup”: “megjithëse është e paraqitur si grup me pronësi zvicerane ndërsa e drejtuar nga shtetas i Estonisë, ka lëshuar rrënjë ekonomike në kompani metalurgjike dhe shërbime financiare në Rusi, nga të cilat disajanë në lidhje me qarqe të afërta me Vlladimir Putin. “Sollvej Grup” është kyçur në shumë projekte për përforcim të interesave ruse – deri në nivelin që edhe qeveria në Moskë ka lobuar për ato, duke i quajtur “investime ruse”. Prapë se prapë, megjithëse LSDM u kthye kah Perëndimi në nivel strategjik, me sa duket ka lënë derën të hapur për interesat korporativ rus. Kjo parti është angazhuar kundër minierave të reja dhenga viti 2017 i anuloi koncesionet e katër kompanive nga Perëndimi, megjithatë “Sollvej Grup” është kursyer dhe fitoi leje për të vazhduar të operojë edhe 10 vite”, shkruan Bellingket.

Spiun për të gjitha kohërat

Më tutje në tekst thuhet që në prill 2017, ambasadori rus Oleg Shçerbak është takuar me funksionarin e lartë në Ministrinë për Punë të Jashtme të Maqedonisë, Nenad Kolev dhe gjoja i ka treguar se qëllimi i Rusisë është të “krijojë shirit të vendeve neutrale ushtarake” në Ballkan, që i ka nënkuptuar Malin e Zi, BeH, Maqedoninë dhe Serbinë, siç tregojnë dokumentet e sigurisë shtetërore të siguruar nga OCCRP.

“Është e vështirë meqë bëhet fjalë për rastësi ajo që pikërisht në këto vende në të cilat ka operuar një nga agjentët ezbuluar para pak kohe të GRU-së, Blladisllav Filipov. Për momentin atashe ushtarak në ambasadën ruse në Sarajevë, Filipov ishte i kyçur në aktivitete spiunazhe thuajse një dekadë në rajon”, vazhdon Bellingket.

Sipas autorit të tekstit, Filipov në Maqedoni për herë të parë ka ardhur në vitin 2009. Në vitin 2012 është dërguar në Shqipëri dhe pastaj i përjashtuar nga Qeveria si pjesë e aksionit ndërkombëtar në lidhje me helmimin e Skripaljëve. Servisi publik radiodifuziv i Kosovës pohon që gjatë shërbimit të tij në Maqedoni, Filipov e ka rekrutuar apo është bashkuar me Goran Zhvaljeviq, agjent serb. Të dytë e kanë organizuar vizitën në Moskë të Kryetarit të Partisë demokratike të serbëve në Maqedoni, Ivan Stoilkoviq.

Të dytë gjithashtu, sipas Bellingket, kanë qenë të kyçur në organizimin e sulmit në Kuvend në vitin 2017.

Binomi i formuar nga agjenti e zbulimit rus dhe serb kanë vendosur lidhje edhe me “gazetarin” dhe kritikuesin e Zaevit, Mirosllav Llazanski, “analist” në median shtetërore ruse Sputnjik dhe për momentin ambassador i Serbisë në Moskë.

Kundërzbulimi i Maqedonisë gjithashtu e përmend Llazanskin si një nga propaganduesit më të mëdhenj pro-moskian në vend, shkruan Callov në analizë.

Prezenca ruse në mediat në Maqedoninë e Veriut

“Maqedonia e Veriut nuk është vetëm importues i propagandës ruse, por edhe eksportues. Ka shembuj të gazetarëve maqedonas që kanë marrë pjesë në fushatat hibride të Kremlinit në vende tjera. “Fermat e Maqedonisë për trolle”  përdoren shumë për përhapje të dezinformatave në vende tjera, duke përfshirë edhe gjatë zgjedhjeve në SHBA në vitin 2016 kur nëpërmjet 100 ueb-sajteve janë identifikuar si përhapës të propagandës për qytetarët e SHBA-ve, sipas Si-En-En”, shkruan në analizën e Bellingket.

Më tutje në tekst shtohet që një nga shembujt evident të ndikimit është Krum Vellkov, gazetar i lirë nga Strumica i cili në vitin 2016ka shkruar tekst për skandalin e supozuar “PizzaGate” (PicaGejt), në të cilin theksohet që Hillari Klinton ka organizuar rrjet për seks me të mitur në një piceri.

“Absurditeti i kësaj storjes nuk pengon që ajo të transmetohet shumë. Sipas fjalëve të Vellkov, ky tekst është përkthyer në shumë gjuhë dhe është transmetuar në shumë ueb-sajte “alternative”. Teksti fillimisht është publikuar në ueb sajtin “Katehon”, thinj-tenk ujor i vetëshpallur nga një grup imperialistësh rus që mbështesin shumë fushata tjera hibride: oligarki rus Konstantin Mallofeev, këshilltari ekonomik i Putinit, Sergej Gllaziev dhe ish kryetari i Institutit Strategjik të Kremlinit, gjenerali Reshetnikov”, shkruan në tekst.

Roli i Mallofeevit në nxitjen e luftëns në Ukrainën Lindore është dokumentuar shkëlqyeshëm, ndërsa edhe involvimin e Reshetnikov në aktivitetet hibride, pro-Kremlinit të Ballkanit. Në vitin 2016,sipas “Njujorks Tajms”, CIA gjithashtu doli me konkluzion që “Katehon është pjesë e përpjekjeve për ndërhyrje ruse”, shkruan Bellingket.

Në analizë theksohet që propaganda ruse është shumë e pranishme në vend, duke përmendur që prania e Vellkovit në rrjetet sociale është plotë me propaganda antiperëndimore dhe anti-NATO dhe me teori konspiracioni për Rendin e Ri Botëror, ndërsa ai para pak kohe ka pohuar edhe që pandemia e kovid-19 është mashtrim gjeopolitik.

“Një nga tekstet e publikuara nga Vellkov në “Geopolitica” (Gjeopolitika) filialë e “Katehon” në mars 2017, mban titullin “The Final Battle for Macedonia” (Beteja e fundit për Maqedoninë” dhe pohon që vendi “fronti i vendit është sulmuar (për momentin politikisht dhe me mjete të luftës hibride dhe operacione speciale psikologjike) nga demonët “e shtetit të thellë kënetë” në vdekje të cilët tani çdo ditë që kalon janë duke e humbur kontrollin mbi botën”, shkruan Bellingket.

Mirëpo, shtohet që Vellkov nuk shkruan vetëm për gjeopolitikë dhe ka përshtypjen që i promovon interesat ekonomike ruse. Vellkov dhe ithtari i tij Angell Nakov mbajnë fushata kundër projekteve komerciale perëndimore, sikur ai i “Reservoir Minerals” kanadez në malin Kozhuv dhe projektin Kazandoll, që është nga “Sardiçi” ukraino-britanez.

“Ai është përkrahës i madh i njërës prej shoqatave që mban fushatë kundër koncesionarëve  për “Illovicë-Shtukë”, që e mban emrin “Lugina e Shëndoshë”. Njëra nga marrëveshjet për koncesion është anuluar nga qeveria e Zaevit në vitin 2019, pjesërisht dhe për shkak të presionit mbi këta aktivistë”, shkruan Bellingket.

“Përkrahësit e Marrëveshjes pohonin që dezinformatat dhe propaganda anti-perëndimore janë factor shumë i rëndësishëm për ndryshimin e gjendjeve. Disa nga pohimet mund të përshkruhen në druajtjet e sinqerta ekologjike, por megjithatë ka edhe shembuj të dukshëm të propagandës dhe gënjeshtra të qarta. Siç është pohimi apokaliptik që projekti do ta shkatërrojë dheun, ujin dhe ajrin, pavarësisht standardet ekologjike që janë obligative për këtë projekt”, shkruan Callov në tekstin e publikuar në Bellingket.

Më tutje shtohet që një binom tjetër i apologjetëve të Kremlinit gjithashtu qartë e paraqet pasqyrën për njerëzit te të cilët mbështetet Kremlini – propagandistët e liderëve të mëhershëm autoritar.

“Disa nga mbrojtësit e theksuar të Nikolla Gruevskit, lideri i mëhershëm autoritar, të cilët u shndërruan në teoristë histerik prorus për konspiracione pas rënies së tij, Mirka Vellinovska dhe Millenko Nedellkovski më parë ishin shumë të prezent në mediat televizive dhe të shtypit në Maqedoninë e Veriut, janë gjithashtu bashkëpunëtor të “Katahon” të Mallofeev, ndërsa Vellinovska është fituese e medajit rus për kontributin e saj për ‘arsimim të të rinjve’”, shkruan Bellingket, duke thënë që të dy vazhdojnë me përhapjen e dezinformatave, duke përfshirë edhe ato për koronavirusin.

“Në një tekst para pak kohe, Vellinovska i ka përshkruar masat në mes të pandemisë si“korona fashizëm” që do të ishte krahasuar me kampet e koncentracionit në regjimin nacist. Duke implikuar që e tërë situate me virusin është pjesë e konspiracionit të Bill Gejts, BE-së, NATO-s dhe disa faktorëve të tjerë për t’u përfshirë Maqedonia në luftë me Evropën dhe Azinë. Vellinovska edhe më tutje ka ndikim, lidhur me ish liderin Nikolla Gruevski, ndërsa me këtë edhe me një nga partitë më të mëdha – VMRO – DPMNE. Ajo dhe Nedellkovski janë gjithashtu propagandues të zjarrtë të luftërave kulturore maqedonase me fqinjtë Bullgarinë dhe Greqinë, të cilët konsiderohen si një nga pengesat kryesore për Integrimet Perëndimore të vendit”, pohon Callov.

Në konkluzionin e analizës së tij vëllimore të publikuar nga “Bellingket” në bashkëpunim me journalismfund.eu thuhet që Rusia nuk mund ta parandalojë Integrimin Perëndimor të Ballkanit Perëndimor dhe është pikëpyetje nëse realisht ajo ofron alternativë të vërtetë të integrimit të këtillë.

“Megjithatë, Moska e përdor fuqinë e vet edhe për ta ngadalësuar progresin e këtyre vendeve, të mbjellë mosdakortësime, t’i mirëmbajë lidhjet e saj ekonomike dhe politike dhe si rezultat përfundimtar ta përforcojë rëndësinë e saj gjeostrategjike”, përfundon Callov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button